728 x 90 Leaderboard

Rama, intervistë nga Nju Jorku: Fluksi i refugjatëve nuk do na gjejë të papërgatitur

“Shkalla e mbledhjes së taksave në Shqipëri është ndër më të ulëtat në botë, por ky fakt nuk e ndalon këtë vend që të lëshojë një Eurobond të ri që shkon nga 300 milionë në 500 milionë euro”.

 

Kryeministri Rama bëri këto komente ndërsa ndodhet në Nju Jork, gjatë një interviste për agjencinë Reuters. Ai ka vijuar më tej, duke thënë se qeveria vendosi të shkojë në tregje, ndërsa ka një Eurobond që po maturohet.

 

“Shpresojmë se ne do të marrim një përgjigje të mire nga tregu, edhe pse kohët nuk janë nga më të mirat,” tha Rama duke iu referuar tregjeve të paqëndrueshme financiare globale.

 

Kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi një sukses nivelin prej 27 për qind të mbledhjes së taksave në Shqipëri, krahasuar si tha, me 23 për qind që ishte dy vjet më parë.

 

Ndërsa për rritjen ekonomike të vendit në 2015, kryeministri tha se ato shkojnë nga 2.7 në 3 për qind.

 

“Rënia e çmimeve të naftës dhe mineraleve, një burim të ardhurash për Shqipërinë, më shumë se niveli i ulët i mbledhjes së taksave ishte arsyeja përse qeveria shkurtoi shpenzimet më parë gjatë muajit”, deklaroi Rama gjatë intervistës.

 

Në lidhje me koncensionet për nxjerrjen e naftës, Rama sqaroi se “kompanitë fituese do të marrin kontratën dhe pastaj, në bazë të ekuilibrit midis investimeve dhe fitimeve, do të paguajnë 50 për qind të fitimeve, vetëm kur të kenë arritur të famshmin Faktor “R”.

 

Rama tha se të ardhurat nga nafta dhe pritshmëritë e një investimi nga 3.5 miliardë dollarë në 3.8 miliardë dollarë në një zonë të veçantë ekonomike pranë portit të Durrësit do të krijojnë 30.000 vende të reja pune.

 

Në lidhje me refugjatët, kreu i qeverisë shqiptare pranoi se ka të dhëna për një fluks emigrantësh edhe në Shqipëri. “Ka një mundësi shumë të lartë që me ardhjen e dimrit dhe me vështirësitë e tjera refugjatët të mund të lëvizin në një tjetër kanal. Nuk do të na gjejnë të papërgatitur, por kjo varet edhe nga dendësia e fluksit të refugjatëve”, deklaroi Rama. /tesheshi.com/

 

Related posts