Rama: Berisha një lider, Basha imitator, konsideratë për Boden e Topallin, Kryemadhi një “tenxhere pa kapak”

Kryeministri Rama ka dhënë vlerësime për disa nga figurat kryesore të politikës shqiptare.

I pyetur në “Studio e Hapur” nga gazetarja Eni Vasili, Rama foli për Nanon, Berishën, Metën, Blushin, Kryemadhin e të tjerë.

Për Nanon, tha se kërkonte regullisht këshilla prej tij, siç tha, meqë dhe ai kishte ecur më parë në rrugën ku po ecte dhe ai tani.

Për Berishën tha se padyshim ai ishte një lider, por jo nga ata që pëlqehej prej tij. Në gjykimin e Ramës, Berisha më tepër interesohet që të shkatërrojë kundërshtarin sesa të ofrojë diçka nga vetja e tij. “Më shumë e gëzon dështimi i kundërshtarit, sesa suksesi i tij”, tha Rama.

Për Bashën dha vlerësimin se ai thjesht përpiqet të imitojë, pa patur diçka të vetën origjinale.

Për Metën tha se është politikan race; por që kur është fjala tek Kryemadhi, tha se ajo thjesht është bashkëshortja e Metës. “Një tenxherë pa kapak”, e cilësoi Rama gruan që drejton LSI-në, duke thënë se si e tillë, vetëm zhurmë do bëjë.

Për Blushin tha se e konsideronte “njeri të familjes”. Dhe, fakti që ai, siç Rama e kishte paralajmëruar, nuk arriti të ribëhej deputet në kushte të tjera politike, ora me një parti të re të tijën, nuk e gëzonte aspak. “Gjithsesi meriton konsiderata për guximin që ndërrmori”, tha Rama.

Më pas, i pyetur se kë do vlerësonte nga PD, Rama fillimisht shprehu vlerësime për Alfred Serreqin, ish-ministrin e Jashtëm në qeverinë e parë Berisha. Më pas, kreu të majtës befasoi kur veçoi ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode. “Është i vetmi njeri i lapsit, një njeri që luan me partiturë, ndërkohë që të tjerët luajnë me vesh në ansamblin e Saliut”, tha Rama. Sipas tij, ka qenë Bode ai që ka bërë të pamundur të tjera piramida në qeverinsjen “Berisha 2”. Po ashtu, Rama dha vlerësime dhe për Jozefina Topallin, siç tha, si një politikane konsistente në atë që besonte. /tesheshi.com/