Xhamat e thyer të objektit të Qeverisë së Kosovës janë duke u ndërruar. Këtë punë po e kryen kompania MSS, e cila është e kontraktuar për mirëmbajtjen e xhamave të objektit të qeverisë.
Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me ndonjë vlerësim zyrtar për dëmet e shkaktuara, por një ditë pas protestës ishte dhënë një vlerësim jozyrtar se janë thyer 93 xhama dhe se dëmet arrinin deri në 200 mijë euro.
Thyerja e xhamave të ndërtesës së Qeverisë ka ndodhur me 27 janar gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe shoqatës “Thirrjet e Nënave”, ku u kërkua shkarkimi i Ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksander Jabllanoviç.
Burime të portalit tesheshi.com, kanë treguar se fillimi i punëve për ndërrimin e xhamave është vonuar për shkak se pritej të ketë sërish protesta të dhunshme kundër ministrit në fjalë (tashme të shkarkuar), por pastaj edhe për kthimin e Trepçës në pronësi të shtetit.
Vendosja e xhamave të ri pritet të realizohet brenda kësaj jave. /tesheshi.com/