QËMTIMI/ Një e nga një: ç’përmbajnë 5 pikat e opozitës për vetdjegie mandati

Akti heqjes dorë nga mandati i deputetit, një lloj aksioni politik ky i opozitës që është një dalje nga sistemi, bazohet në 5 pika.

Mes të përgjithshmes dhe konkretes, ato dominohen më shumë nga e para, duke patur brenda tyre shumë pak elementë të së dytës, më tepër të imagjinuara.

Le t’i marrim me radhë për të parë nëse vërtet e përligjin këtë rebelim të opozitës me djegie mandatesh.

Të asgjesimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës – pra është fjala për mbetjen e vendit pa Gjykatë Kushtëtuese si pasojë e vettingut.

Kjo është plotësisht e vërtetë. Reforma në Drejtësi e aplikuar në Shqipëri është e para e këtij lloji në botën demokratike. Madje disa vende, nga ato me standart të përfaërt me Shqipërinë, po e studiojnë për ta marrë si model. Duke qenë një “herë e parë”, ajo ka sjellë dhe të papritura, siç është pra mbetja përkohësisht pa Kushtetuese. Por janë ndërkombëtarët, tutorët e reformës, ata të cilët e kanë legjitimuar këtë defekt, duke thënë se do jetë thjesht kalimtar. Pra në këtë rast, PD duhet ta ketë me ndërkombëtarët e jo me qeverinë. Ndryshe është në pozitën e atij që “i bie gomarit pas nuk ka ç’i bën samarit”.

Të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë dhe dosjet gjyqësore të publikuara në mediat ndërkombëtare – e para, nuk janë dosje gjyqësore por dosje me përgjime ende nën hetim, apo gati për hetim, pas së cilave duhet të dalë e vërteta nëse vërtet janë blerë apo jo vota. Sepse aludohet për blerje e jo vjedhje votash. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar dosje përgjimesh që shoqërohen me dyshime e aludime për blerje, e nuk ka dhënë definicione se vërtet aty ka patur blerje. Këtë duhet ta provojë drejtësia, gjersa pala e akuzuar, në kërë rast kryebashkiaku Dako, rrëzon çdo pretendim për blerje apo ndonjë shkelje ligji.

Të kapjes së kësaj qeverie në afera korruptive e kriminale – e pasqaruar se për ç’afera konkrete, besohet se është fjala për kompaninë fallsifikatore të Unazës së Re dhe adio-përgjimet me Babalen, apo dhe rasti i Fushë Krujës. Me të tilla ka qenë plot dhe ish-qeverisja e PD-së, e kjo sipas përzgjedhjes që bën opozita për t’i parë sipas interesit të saj disa ngjarje apo zhvillime.

Fjala vjen, për opozitën e djeshme, Gërdeci ishte aferë qeveritare me pasoja vrastare, ndërsa për qeverinë e kohës ishte thjesht një fatkeqësi. Verdikti gjyqësor e përcakton si aksident teknologjik.

Kështu dhe për videon Meta – Prifti. Aty, sipas opozitës së kohës ishte një aferë e pastër korruptive, ndërsa sipas drejtësisë ishte një video e manipuluar (dhe PD nuk ngacmohet kurrë me Metën për këtë rast).

Të eliminimit të parlamentit si forum të demokracisë – një pikë që meriton disa pikëpyetje e pikëçuditëse nga pas. Kush e ka eliminuar? – është më kryesorja pyetje që ngrihet në këtë rast. Me ç’është parë, qartazi fare, është opozita ajo që e ka eliminuar: 1) Duke e bojkotuar, e për më tepët pa arsye të qartë. 2) Duke mos iu përmbajtur, në rastin e prezencave, asnjë rendi dite apo rregulloreje.

Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve, duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës – kjo pikë e fundit, përveçse vuan nga një përgjithsësim efemer, ka dhe nonsense gjuhësore e logjike, siç është theksimi në një vend i “njeriut” dhe i “shqiptarëve”, pa u kuptuar se pse është bërë kjo ndarje.

Përgjithësimi në formulim, pa asgjë konkrete nga pas, e lë atë në ligjërimin rutinor të opozitës, të cilën e ka pjesë të saj në çdo kohë, në çdo rrethanë, derisa të jetë opozitë. Pa diçka konkrete, thjesht mbetet këndvështrim. Dhe këndvështrimet klasike të një opozite, kurrë nuk mund të jenë të njëjta me atë të qeverisjes. Për një opozitë, qeveria është më tepër se e keqe; është vetë djalli! Ajo që bën diferencën etike ështe respektimi i rregullave të lojës për mënyrën se si duhet luftuar djalli e se si duhet t’i merret pushteti. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts