728 x 90 Leaderboard

Qasje historike: Perëndimi mori shumë nga Krishtërimi, por debati nuk ka përfunduar ende

Në vitet e hershme të Iluminizimit, disa filozofë të guximshëm sfiduan rendin kristian – një detyrë dukshëm e pashpresë. Por përpjekjet e tyre u shpërblyen dhe prej asaj kohe janë shkruar volume të tëra, nga autorë të ndryshëm që prej Dideroit deri tek Richard Dawkins, në lidhje me triumfin e njeriut sekularist. Por, çfarë ka bërë Krishtërimi, në fund të fundit, për njerëzit?

“Shumë”, argumenton së fundmi, Nick Spencer në një libër të konsideruar të shkëlqyer me titull “Evolucioni i Perëndimit”. Spencer, drejtues kërkimesh në Theos, një organizatë fetare në Londër, e vijon qasjen e tij nga vepra epike e Larry Siedentop e vitit 2004, “Shpikja e individit” – në një rivlerësim sesa shumë bota Perëndimore i detyrohet Krishtërimi. Nuk është një tezë shumë popullore, por si zëri i një profeti në shkretëtirën post-moderne, Spencer provokon refkletime që shkojnë shumë më përtej bla-blave të luftërave moderne kulturore. Ai dëshiron të sigurohet që perëndimorët të dinë se nga vijnë si një mënyrë për të ndriçuar rrugën ku po shkojnë.

Duke nisur me botën antike, autori e çon lexuesin në një udhëtim ekstravagant për të takuar, mes shumë të tjerësh, Augustinin e Hipos dhe Xhon Lokun, sikundër edhe Tomas Piketin. Autori beson se fakti që Krishtërimi u bë besimi i mjedisit europian ka verbuar njerëzit të shohin se çfarë doktrine revolucionare ishte (dhe është). Dhe ai beson qartësisht se ky besim mund të luajë ende rolin e tij. Krishtërizimi i Europës, thotë autori, nuk ishte një tufë klerikësh reaksionarë që përpiqen të mbysin një botë antike fisnike, të lirë e sekulariste, por një ide e re “e mbështetjes vullnetare për shoqërizimin e njerëzve në të cilën njerëzit qëndrojnë bashkë përmes dëshirës dhe dashurisë sesa gjakut apo objektivave të përbashkëta materiale”. Krishtërimi deklaroi se humanët “kishin akses ndaj realiteteve më të thella si individë më shumë sesa anëtarë të përhumbur të një grupi”.

Nga e gjithë kjo, me një riqasje nga Reformacioni, erdhi edhe origjina e botës moderne: një besim në barazinë e statusit si baza e përshtatshme për një sistem të ligjshëm dhe pohimin e të drejtave natyrore që sjellin lirinë individuale, ashtu sikundër edhe nocionin që një shoqëri e ndërtuar mbi garancinë e një barazie morale duhet të ketë edhe formën përfaqësuese të qeverisjes.

Libri nuk është një ankimim tragjik për humbjen e mbretërisë së Krishterë. Spencer është i sinqertë për mëkatet e Kishës. Por shpesh, thotë ai, këto mëkate i ndalojnë njerëzit të shohin përfitimet e përbashkëta, psikologjike, edukuese dhe krijuese që kanë rrjedhur nga besimi i krishterë. Dhe ai shqetësohet për mungesën e normave të thella kulturore me të cilat luan Perëndimi. A mundet që besimet sekulariste të lidhin njerëzit në shoqëri, tani që ka më shumë organizata sesa individë?

Zhveshur nga bagazhi i mjedisit nga vjen, argumenton Spencer, Krishtërimi ende ka shumë për të thënë ndaj një bote në amnezi për dinjitetin njerëzor, lirinë politike dhe pabarazinë ekonomike. Dhe, duke cituar William Wilberforce, ai paralajmëron se vlerat e krishtera janë të pandashme nga vetë Krishtërimi.

Pas agresionit që kanë nxitur debatet “Zoti kundër Shkencës”, libri i Spencer, vjen si një kontribut më i butë, edhe pse jo më pak provokativ, në diskutim. Dhe po ashtu, kritikët thonë se është i shkruar bukur. Autori beson se jo të gjithë në Perëndim janë të zhveshur nga magjia e besimit fetar dhe se fundi i fesë është po aq afër sa edhe fundi i historisë së predikuar nga Francis Fukuyama.

Ajo që përgjon në gjithë Perëndimin e sekularizuar është diçka që ai e quan “zhgënjim me zhgënjimin”. Njerëzit ende duan më shumë sesa lirinë dhe zgjedhjen. Ata duan të përkasin, duan rrënjë komunitare në diçka që e kanë të përbashkët dhe dëshirojnë të gjejnë kuptimin përtej vetes së tyre. “Pasi kemi mbërritur tek vetja sekulariste”, thotë Spencer, “ne vazhdojmë kërkimin”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts