728 x 90 Leaderboard

Pse Turqia kërkon të godasë në Afrin?

Nga Bujar M. Hoxha

Marrëdhëniet e tensionuara mes dy aleatëve strategjikë të NATO-s, SHBA-së dhe Turqisë, kanë njohur një tjetër përshkallëzim ditët e fundit. Kjo për shkak të asaj që po ndodh në anën siriane të kufirit jugor të Turqisë; një situatë që po i nervozon gjithmonë e më tepër turqit, të kërcënuar tashmë.

Lufta civile siriane është shndërruar nga një përpjekje për rrëzimin e regjimit të Beshar Esadit në një proxy war ku ndërthuren interesat e fuqive botërore, më së pari të SHBA-së dhe Rusisë. Turqia, si një fuqi rajonale, por dhe më tepër se kaq, është më e prekura nga këto zhvillime.

Amerikanët i kanë mbështetur prej kohësh me armatime luftëtarët kurdë, nën ombrellën e PYD-së dhe YPG-së, në luftën kundër ISIS-it në Siri. Më së fundi, vetëm një javë më parë, një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja lajmëroi për planet për krijimin e një force sigurie kufitare në veri të Sirisë, të përbërë nga 30.000 trupa, me bazë SDF-në, Forcat Demokratike Siriane, të mbizotëruara nga YPG-ja, Njësitë e Mbrojtjes Popullore.

Turqia i çmon PYD-në dhe YPG-në si zgjatimet siriane të PKK-së, organizatës terroriste kurde, me të cilën është në luftë të përditshme prej dekadash. Armatimi i këtyre grupimeve nga amerikanët ka qenë një shqetësim i kahershëm i autoriteteve turke, që vazhdimisht i kanë paralajmëruar aleatët përtej oqeanit për rrezikun e paraqitur prej tyre për sigurinë në Turqi.

Të zhgënjyer nga amerikanët për mosdorëzimin e ideatorit të  përpjekjes për grusht shteti në korrik të 2016-s, turqit ndihen më tej të tradhtuar nga armatimi dhe mbështetja logjistike e këtyre forcave kurde. Ankthi i turqve shtohet kur një premtim i Donald Trump-it për ndërprerjen e furnizimit të tyre me armatim nuk përmbushet, ndërsa lajmet nga terreni janë gjithnjë e më shumë jopremtuese.

Turqia i frikësohet krijimit të një korridori terrorist përgjatë kufirit të saj; një korridori me luftëtarë kurdë të PKK-së e të degëzimeve të saj siriane. “Mburoja e Eufratit”, një operacion i suksesshëm ushtarak i forcave turke në Siri, ishte veç hapi i parë në shmangien e një rreziku të tillë, bashkuar me luftën ndaj ISIS-t. Afrini është stacioni i parë në këtë operacion të ri, që mendohet të pasohet nga ndërhyrja ushtarake turke në Menbixh dhe në pjesën lindore të Eufratit.

Qeverisësit e Turqisë kanë patur vijueshmëri në qëndrimin e tyre ndaj përpjekjes për krijimin e një force sigurie kufitare në anën tjetër të kufirit. I ashpër ka qenë reagimi i presidentit Erdogan, ashtu si i kryeministrit Binali Jëlldërëm. Ky i fundit paralajmëroi të premten se Turqia nuk do të tolerojë asnjë kërcënim të sigurisë kombëtare. Ministri i Jashtëm turk, Çavushogllu, shkon më tutje, duke nënvizuar se plani amerikan për krijimin e një force sigurie kufitare në veri të Sirisë do t’i dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së.

Përndryshe, qëndrimi amerikan është luhatur mes bërjes së njohur të planit dhe mohimit të tij, nga pranimi i shqetësimeve të drejta turke në lidhje me të te thirrja për Turqinë për të mos hyrë në Afrin.

Sulmi i pritshëm në Afrin, me bombardimet e para të artilerisë turke mbi pozicionet e YPG-së që kanë nisur tanimë, shihet nga turqit si një mbrojtje e sigurisë kombëtare. Vlen të citohen këtu fjalët e një artikullshkruesi turk, që prej kohësh ka kërkuar një ndërhyrje në Siri: “Hyrja në Afrin është… përpjekje për të eliminuar kërcënimin më të madh dhe më të afërt për Turqinë. Nuk është luftë, por mbrojtje. Eshtë përpjekje për të siguruar të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.”

Objektivin e aksionit të pritshëm luftarak të përmasave të mëdha e sqaron zëdhënësi i presidenti turk, Ibrahim Kallën, i cili thekson se ai synon vetëm YPG-në, e se nuk është kundër kurdëve sirianë. Kallën kërkon të shmangë një keqinterpretim të qëllimshëm të operacionit, si goditje të kurdëve sirianë, kur në të vërtetë në shenjë janë degëzime të terroristëve të PKK-së.

Operacioni është i ndërlikuar për shkak të pranisë në terren të shumë aktorëve. Ushtria turke është aktualisht e pozicionuar dhe në pritje të urdhrit, e mbështetur dhe nga Ushtria e Lirë Siriane. Koordinimi për ndërhyrjen ajrore, për të shmangur çdo incident, i ka çuar në mesjavë në Moskë dy figurat kryesore të ushtrisë dhe të shërbimit inteligjent turk. Megjithatë, presidenti Erdogan ka deklaruar këtë të shtunë se operacioni ka nisur efektivisht, duke premtuar dhe operacionin pasues në Menbixh.

Turqia e çmon operacionin në Afrin si të ligjshëm, madje si të vonuar. Afrini është parë si qendër e sulmeve terroriste mbi tokën turke, dhe aty pretendohet të ketë mijëra pjesëtarë të YPG-së, një kërcënim i drejtpërdrejtë për të. Shumë pikëpyetje kishte një kohë, në nisje të operacionit “Mburoja e Eufratit”, por suksesi i tij e përligj veprimin ushtarak në Afrin për të mos lejuar krijimin e një korridori që do të minonte sigurinë e Turqisë.  /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts