reklama juaj ketu

Pse Rama i përmendi Metës “rimartesën me PD-në” dhe cilat janë lëvizjet e mundshme të kreut të LSI-së

Edi Rama ka përgënjeshtruar shkoqur atë që thotë prej dy muajsh, që po bisedon me Ilir Metën se si do të fitojnë zgjedhjet në 2017.

Vetë përsëritja herë pas here e kësaj fraze ishte një kod i qartë politik se ka diçka që nuk shkon.

Dhe këtë LSI e ka bërë tashmë të qartë se ka vetëm dy rrugë për të në vitin e ardhshëm: ose opozitë ose kryeministër.

Dhe Edi Rama ia ktheu menjëherë në një intervistë –  jo nga Top-Channel siç e ka bërë rëndom por nga Klan – një metodë jo e zakontë e përdorur deri tani.

Edi Rama tha pak a shumë se “LSI duhet të zgjedhë që të qëndrojë me ne apo të rimartohet me PD-në”.

Pra nuk la një rrugë të mesme, duke e futur Metën mes dy zgjedhjeve.

Dhe këtë mësohet se e ka bërë edhe në takimet konfidenciale me kreun e Kuvendit.

Zbulohet ky fakt edhe Artur Zheji, analisti shumë i afërt me Metën, i cili në një pamflet satirik vë në gojën e Ramës: “Siç ka thënë Stalini i madh, o me ne o kundër nesh nuk ka rrugë tjetër”.

Por menjëherë, pa kaluar as një orë nga intervista e Edi Ramës, ka nxituar përgjigja nga Andi Bushati, i cili është në një farë mënyre është “zëri jo-zyrtar i Lulzim Bashës”, pasi portal i tij, lapsi.al mbështetet fuqishëm nga ana e kreut të PD-së.

Bushati vendos kusht të koalicionit të Metës me Bashën, pikërisht atë që Edi Rama i ka kërkuar Ilir Metës përpara 2013-ës. Jo thjesht largimin nga koalicioni me Ramën, por i një ikje demonstrative dhe denoncuese.

Bushati thekson se “Meta duhet të marrë anën e opinionit publik ku të denoncojë të gjithë aferat e Edi Ramës”, e në shkrim ai thekson se LSI qëndron në koalicion thjesht për të marrë pjesën e saj të pushtetit.

Por cilët janë skenarët e mundshëm?

Ilir Meta ka prej korrikut që ka dhënë shenja të një afrimi me Lulzim Bashën, që kur pati të njëjtën performancë në lidhje me reformën në drejtësi.

Por një ikje nga koalicioni dhe afrim i thjeshtë me PD-në përpara përfundimit të mandatit të kësaj qeverie, do t’i kushtonte shumë LSI-së pasi metoda e rritjes së elektoratit të kësaj force më shumë ka ardhur si një rrjet influence ku premtohen punësime apo favore të lidhura me pushtetin. Dhe një largim mund të shkaktojë edhe tronditjen e administratës e cila e pasigurtë për një fitore të LSI-së në zgjedhjet e 2017-s mund të kalonte në mënyrë të natyrshme te PS-ja.

Ndryshe ishte viti 2013 kur Meta u largua prej Berishës kur mori garanci nga Rama se do të marrë 40% të pushtetit në të gjithë vendin, ndaj dhe rriti premtimet dhe zonat e influencës të lëna si “carte blanche”.

Shkurt, Metës po i  kthehet në boomerang pikërisht vota klienteliste që aplikoi gjithë këto vite. Dibra ishte vetëm një episod ku LSI nuk mundi dot të rriste influencën, madje duke e lënë degën e saj në Peshkopi në një gjendje më minore se më përpara.

Edhe pas kërcënimit për të mos votuar në këshillin bashkiak nëse nuk jepen vendet e kërkuara, PS-ja nuk lëshoi pe, por e la LSI-në në margjina, duke mos e ftuar as në festën e fitores, që si “krushq” të rinj ishin drejtuesit e PDIU-së së Idrizit, të cilët morën edhe pozicionin e karshillëkut ndaj partisë së Metës.

Edhe vizita në Athinë e kreut të Kuvendit ishte një performancë politike e luftës kundër çiftit Rama-Idrizi, e cila pritet të shpallet zyrtarisht në mënyrë që të pëlcasë “artileria e rëndë”, pasi “dronët” dhe “avionët spiunë” po hedhin “bomba” prej kohësh.

Po cila është hapësira ku mund të lëvizë Ilir Meta që ta vërë në vështirësi Ramën?

Në fakt nuk ka shumë rrugë, pasi në korrik ai bëri një lëvizje me “nëndetësen 105” kur as me Arta Daden dhe dy deputetë të tjerë, plus edhe Blushin e Hafizin, por nuk bëri fajde që ta rrëzojë qeverinë.

E vetmja rrugë është largimi demonstrativ dhe dalje automatike nga qeverisa. Por Edi Rama e di mirë që pikërisht kjo është lëvizja që Ilir Meta nuk e bën dot, ndryshe LSI-ja nuk do të ishte LSI por diçka tjetër… /tesheshi.com/