Pse i fshehin partitë raportet financiare të fushatës së zgjedhjeve të 11 qershorit?

Nga Blendi Gashi

Përfaqësuesit e partive kosovare në çdo paraqitje flasin për transparencë, por kur vjen koha të tregojnë burimet e financimit, në shumicën e rasteve heshtin dhe nuk i publikojnë në ëebfaqet e tyre duke ngritur dyshime për paratë e shpenzuara.

Edhe në zgjedhjet nacionale partitë nuk kursyen xhepin pasi përveç tubimeve elektorale, shpenzuan jo pak për reklamat përmes posterave, billbordave, reklamimeve në televizone e rrjete sociale.

Por edhe pse kanë ikur katër muaj nga mbajtja e parlamentareve, ende nuk ka një shifër se sa shpenzuan partitë.

Që mungon transparenca te subjektet politike përsa i takon mënyrës së financimit e thotë edhe organizata joqeveritare “Demokraci Plus” e cila tërheq vërejtjen se asnjëra nga partitë nuk i ka publikuar raportet e shpenzimeve nga fushata e zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit në faqet e tyre.

Kjo organizatë u bëri thirrje partive që të publikojnë raportet e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve të fundit si dhe raportet e rregullta financiare sepse sipas saj transparenca financiare është e vetmja mënyrë për të kthyer besueshmërinë e qytetarëve tek partitë politike.

Ja ç’mendojnë analistët…

Lidhur me këtë problematikë analistët politikë thonë se partitë fshehin burimet financiare për shkak se disa prej tyre financohen nga para të pista.

Analisti politik, Shemsi Jashari, e quan një praktikë të trashëguar tani e sa kohë mospublikimin e raporteve nga partitë, siç thotë për arsye se financohen nga klientela të ndryshme dhe nga biznese të caktuara që janë të lidhura me to, të cilat shperblehen pasi partitë marrin pushtetin.

Sipas tij, edhe sikur të bënin publike financat vështirë se ato do ishin të vërteta, do kishte mospërputhje mes shpenzimeve reale dhe atyre të deklaruara.

“Kjo sjellje e partive politike tregon edhe mungesë të llogaridhënies ndaj votuesit, prandaj  edhe si praktikë e tillë vazhdon prej zgjedhjeve në zgjedhje, pasi s’ka presion të mjaftueshëm qytetarë për të kërkuar transparencë në këtë drejtim dhe poashtu mekanizmat shtëtrorë që do duhej të kërkonin llogari  përmes ligjit kontrollohen nga vetë partitë në pushtet”, thotë Jashari për tesheshi.com.

Faik Krasniqi, njohës i rrethanave politike thotë se shpenzimet që partitë deklarojnë zyrtarisht janë deri në 10 herë më të vogla sesa shpenzimet reale elektorale.

Sipas tij, mungesa e transparencës dhe sistemi informal i financimit të partive politike dhe fushatave elektorale është një fenomen i mbartuar përgjatë fati dy dekadave të tranzicionit në Kosovë, i evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare.

“Arsyeja e fshehjes së raporteve të partive politike gjatë fushatave elektorale, ka të bëjë me paratë e pista me të cilat financohen këto parti. Në të kundërtën çdo parti do t’i bënte në mënyrë transparente shpenzimet e fushatave elektorale”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.

Kujtojmë se raportet e shpenzimeve të rregullta të partive politike deri në vitin 2016 janë bërë publike nga AAK dhe LDK, përderisa Nisma dhe Vetëvendosje i kanë të publikuara vetëm deri në vitin 2015. Në anën tjetër, PDK nuk ka të publikuar asnjë raport të financave të saj në faqen zyrtare të partisë. /tesheshi.com/