Provokacja serbe: Një rrugë e Beogradit merr emrin “Heronjtë e Koshares”, kushtuar atyre që vranë mbi 170 shqiptarë

Aleksandër Vuçiç ka ndërhyrë me një provokacion folklori që të fitojë pikë tek radikalët serbë që nuk po e presin mirë nismën e tij për të diskutuar mbi Kosovën.

Siç bën të ditur B92, Vuçiç, nëpërmjet njeriut të tij të afërt që drejton Beogradin, kryebashkiakun Sinisha Mali, ka emërtuar një rrugë të rëndësishme të kryeqytetit serb në nderim të oficerëve e ushtarëve të trupave famëkeqe të Sllobodan Millosheviçit që kanë vrarë shqiptarë në Betejën e Koshares, por që pastaj gjetën vdekjen.

Mali deklaroi se bulevardi që lidh Urën Ada me rrugën e vjetër Toshin Bunar, e që të lidh me Zemunin do të quhet tani e tutje, “Rruga e herojnve të Koshares”.

Kryebashkiaku i Beogradit bëri të ditur se kërkesa ka ardhur online nga qytetarët dhe ai do t’i bindet nismave që vijnë “nga poshtë” si për rrugët ashtu edhe për ngjyrën e autobusëve urbanë.

Beteja e Koshares është zhvilluar në prillin e vitit 1999 midis ushtrisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një territor fare pranë kufirit me Shqipërinë, pikërisht në korridorin ku furnizohej UÇK me armë, municione dhe logjistikë.

Beteja e Koshares ka qenë e tmerrshme për të dyja palët, edhe të dyja shpallën fitore, si UÇK ashtu edhe Millosheviçi.

Por në fakt, në Koshare ra realisht kufiri mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke shënuar edhe gjestin simbolik të prishjeve të piramidave famëkeqe që u vendosën nga Komisioni i Kufijve i Konferencës së Londrës.

UÇK nga ana tjetër pati shumë dëme, si nga ana njerëzore, ushtarake dhe logjistike, por edhe politike.

Ende edhe sot për Kosharen qarkullojnë disa versione..

Por Kosharja ka një protagonist të rëndësishëm, të gjallë dhe me pushtet, gati për t’u bërë kryeministër.

E ai quhet Ramush Haradinaj. Ramushi, si komandant i UÇK-së për Dukagjinin përballoi betejën e Koshares së bashku dhe natyrisht me grupin tjetër të udhëhequr nga Rustem Berisha.

Por pikërisht pas Koshares nisi edhe ndarja e madhe mes LDK-së, FARK-ut dhe UÇK-së, që ishte dhe përçarja e forcave të armatosura të Kosovës. FARK me Tahir Zemajn që në atë kohë u larguan nga formacionet zyrtare të UÇK-së, e cila nga ana tjetër po shkonte gjithnjë e më shumë drejt një formacion politik i qartë.

Në Koshare u vranë mbi 170 ushtarë të UÇK-së, ndër ta edhe Agim Ramadani, komandati i Brigadës që luftoi atje, i cili ishte edhe një intelektual i njohur.

Kosharja është simbolikë e rëndësishme për shqiptarët sepse rrëzoi piramidat apo “gurët e ndarjes”, por siç duket edhe për serbët, pasi shënoi humbjen e një territori që e morën qesim nga Fuqitë e Mëdha.

Ashti si në Vidovdan, edhe në një rrugë të Beogradit ata do të përkujtojnë heronjtë që luftuan për një tokë që nuk ishte e tyrja. /tesheshi.com/