“Provokacja” e re e Edi Ramës në Prishtinë për “një” president: heshtin serbët, sulmon opozita!

Nga Ylli Pata

Edi Rama ka lëshuar sot një deklaratë që sipas të gjitha gjasave do të quhet “provokacion”, ose provokacja. Duke folur në Kuvendin e Kosovës, ai tha se dy vendet duhet të kenë një politikë të jashtme dhe një kryetar shteti.

“Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada të njëjta. Pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare shpjegoi më pas idenë:

“Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales. Por historia për të cilën morra leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet.

E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj, dhe e shkuara e 20 viteve të fundit të këtij vendi, Kosovës, u ka paraprirë fal njerëzve të po këtij vendi, i një të ardhmeje që në çdo rast është më e afërt sesa largësia që e shohim sot”, tha Edi Rama.

Kryeministri ka cituar Eqerem bej Vlorën, një intelektual antikonformist që është përplasur edhe me xhaxhain e tij, Ismail Vlorën.

“Teksa shpaloste perpipecitë e shumta të Shqipërisë pas pavarësisë, Eqerem Bej Vlora mes të tjerash shkruante; tri herë jam gjykuar për shkak të kësaj dashurie tekanjoze me emrin Shqipëri.

Një herë prej turqve, sepse e dashuroja shumë, një herë prej rebelëve fanatikë sepse nuk e urreja dhe tani prej bashkëqytetarëve të mi sepse nuk e dashuroj as sa duhet. Tani kjo dashuri e marrë mori fund i thashë vetes.

Por, ishte e thënë të ndodhte ndryshe. Pothuajse një shekull më vonë, kur ky përjetim pat frymëzuar një prej pendëve më të vyera shqiptare, betejat e brendshme, konflikti ndërpartiak i ditës, dhe pezmi politik i seancave në Shqipëri dhe në Kosovë, ende rëndojnë këmbët tona në vrapimin drejt të ardhmes. Edhe sot sikurse atëherë, duket qartë se është e thënë të bëhet ndryshe.

Edhe nëse sot mundësitë institucionale midis shteteve tona janë objektivisht më të kufizuara, se sa energjitë dhe talentet e popullit tonë, Kosova dhe Shqipëria duhet të mendojnë jo vetëm për njëra-tjetrën, por edhe nëpërmjet njëra-tjetrës, perspektivës së përbashkët.

Dekada e fundit e këtij vendi nuk është rast për të romantizuar të shkuarën, por mundësi për të rimenduar të ardhmen.

Përvjetorët e Kosovës, nuk duhen lënë të kthehen në retrospektivë vetëkënaqësie, por të kthehen në perspektivë vetëpërsosje.

Me dëshirën e madhe që në 20-vjetorin e Pavarësisë, unë të jem sërish këtu, por atëherë thjesht si baba i Zahos, me djalin adoleshent që do të vijë të shijojë koncertin e Rita Orës së re dhe me vendosmërinë që si kryeministër i Shqipërisë të bëj gjithçka mundem për të bërë realitet atë ç’ka thashë”– tha ndër të tjera Rama.

Ështe shumë e çuditshme, se gjithë kjo deklaratë e Ramës në Kuvendin e Kosovës nuk është komentuar nga asnjë media serbe.

Por opozita shqiptare nuk ia ka lënë mangut. Edi Paloka, nënkryetari i Kuvendit, përfaqësues i PD-së ka lëshuar arsenalin “bërthamor”, tipik të opozitës.

Ja postimi i Palokës (origjinal me të gjitha pasaktësitë gjuhësore):

“Kllouni! Pasi ul te mbathurat ne cdo rast e akt ku realisht mbrohen interesat e shqiptareve, del e ben deklarata bombastike pa asnje vlere praktike e qe madje mund te demtojne interesat e shqiptareve kudo qe jetojne.

Te gjithe e mbajne mend se si me deklarata boshe nacionaliste i coi mardheniet me Greqine ne krize e ne menyre krejt te panevojshme.

Por ne momentin e pare qe ju desh te veproje e jo te flase uli te mbathurat si per varrezat e ushtareve, per detin dhe per Çamerine.

Te njejten gje ben me Kosoven. Bente shoë me mbledhje te perbashketa qeverie, pa asnje vlere praktike e reale, po nderkohe puthej e lepihej me Vucic. Deklaronte gjoja “me guxim” ne Serbi se Kosova eshte e pavarur , (a thua se po mos e deklaronte ky, Kosova do humbte pavarsine ) po nderkohe nga dashuria Rama-Vucic perfitonte Serbia qe hapte negociatat” .

Duket se Beogradi e ka nuhatur se gjithçka ndodhi sot në Prishtinë është si mesazh i politikës së brendshme dhe jo sinjal që shkon për ndërkombëtarët. Megjithatë nuk ka folur ende LSI-ja… /tesheshi.com/

 

Related posts