Protesta studentore: koha për të parë nga ’97-ta, koha për të parë nga “Pranvera arabe”

Një palë zgjedhje të humbura nuk do ishin asgjë për Edi Ramën, fituesin emblematik të shumë prej tyre sa është në politikë, përballë kësaj goditjeje që ka marrë e po merr nga studentët. Duke marrë për të mirëqenë faktin se pas tyre, brofjes së beftë, masivizimit magjik, e stoicizmit heroik, nuk qëndron asnjë forcë okulte, ajo është shuplaka më e rëndë, dhe pa dyshim e merituar për Ramën, stilin e tij xanxar në komunikim, por dhe trendin e qeverisjes me rezultate shumë pak të prekshme e të ndjeshme. Dhe armiqtë e tij nga shumë kategori shoqërore, të bërë kapicë këto kohë, po përjetojnë tipikisht atë “ngazëllimin arab” kur nisi “Pranvera” e famshme, fillimisht me Tunizinë, për t’u pasuar nga Libia, Egjipti e në fund Siria. Dhe kur ne i shohim sot ato zhvillime, efektet tyre, dramat njerëzore që prodhuan, faktin se ende disa prej tyre nuk gjejnë dot qetësi, stabilitet e janë shndërruar në varre të hapura që gëlltisin çdo ditë njerëz, apo se si një vend si Egjipti përfundoi në një diktator më të keq se ç’e kishte, tregon se sa naiv ka qenë ai ngazëllim, sa pa tru, pa mendim, sa pa vetëdije. E më dramatikja është se ato nuk shërbejnë kurrë si mësim historik. Dhe popujt, e testojnë vetëdijen e pjekurinë e tyre, pikërisht kur e marrin të kaluarën si mësim.

E ndërkohë, ne si shqiptarë kemi dhe një leksion të afërt në kohë si ’97-ta, ku edhe pse protestat ngjanin të përligjura diku nga humbja e parave, e që po ashtu ngazëllyen anti-berishistët e të gjithë kategorive që fërkuan duart e i dhanë gojës për atë që po ndodhte, rezultati që ato prodhuan qe ndër më tragjikët, i pakrahasueshëm as me luftrat. Me qindra viktima, armatosje e popullsisë (me pasoja dhe sot), ushtri e shtet i rënë, e sigurisht para që kur nuk u kthyen. Ndërsa Berisha që ra, do kishte rënë një ditë edhe pa gjithë këtë kosto kaq të rëndë. Edhe pse dukej në kulmin e fuqisë së pushtetit, ai ra qetësisht në 2013-ën.

Ne sot, po përballemi me nuanca të trishta të fillimeve të ‘97-ës, gjithashtu dhe të “Pranverës arabe”, që edhe pse larg nesh, qe shumë afër si përjetim për shkak të një popullsie të lidhur me sensitete fetare me atë botë. Tek e fundit, janë dhe ligjësitë e njëjta. Sidomos sa i përket fillimit; zemërim, entuziazëm, ngazëllim ndenjë hakmarrjeje….dhe më pas përplasje, anarki, destabilitet dhe pa dyshim viktima.

Një zhvillim nuk mund të gjykohet i fragmentarizuar pa llogaritur pasojat në kohë. Kështu veprojnë komunistët shqiptarë kur mbrohen ndaj akuzave për sistemin e tyre hoxhist, duke e përligjur veten me kauzën e drejtë të luftës për çlirim. Një pjesë e historiografisë botërore sot, ka avancuar drejt gjykimeve komplomentare, duke marrë në konsideratë efektet në kohë. Për ne sot, komunizmi ishte një tragjedi shumëplanëshe e jo shpëtim nga nazifashizmi.

Ndaj, ne si shoqëri jemi sot në provën e madhe të historisë se si do e trajtojmë protestën studentore. Edhe pse e padiskutueshme në vlerën e saj si kauzë – një shuplakë e domosdoshme ndaj qeverisë, një lehtësim i barës financiare, një kthim edhe më i fuqishëm i vëmendjes ndaj katrahurës universitare, një riinjektim i reagimit qytetar ndaj padrejtësive dhe abuzivitetit – ajo ka plot aspekte të diskutueshme. Pos një majtizmi me trajta jakobine – përzënia e dy pedagogëve – ajo shfaq prirje të theksuar për anarki.

Pas gati një jave, edhe pse me fjalë artikulohen kërkesat lehtësisht të zgjidhshme – mjafton një dialogim për aspekte proceduriale – duket se fryma e saj motivohet gjetiu, edhe në aspekte të një deliri rinor, ngarkuar me frustacione individuale e kolektive bashkë, që më pas, ndihur dhe nga ngazëllimi e ushqyerja në rrjete sociale e ushtrisë së armiqve të qeverisë, të cilët u ngjajnë sulmuesve të depove në ’97-ën, duke marrë armë e qëlluar në ajër “kundër Berishës”, ku në vend të plumbave janë statuset delirante, rreziku i një precipitimi është mëse evident. Dhe kjo, në raport më një mundësi siç janë zgjedhjet e afërta lokale, ku Ramës mund t’i jepet dërrma me votë, është gjithsesi e tepërt, për të mos thënë e rrezikshme. Është koha për të parë pas ‘nga 97-ta, koha për të parë nga “Pranvera” tragjike arabe! /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts