Protesta në Nju Jork: piktura që ka rihapur plagët e racizmit në Amerikë

Bëhet fjalë për një nga imazhet më të fuqishme që kanë mbetur në kujtesë nga racizmi që infektoi shtetet jugore të Amerikës në vitet 1950 – fotografia e një djaloshi 14-vjeçar të rrahur keq, të linçuar pas akuzave fallco se kishte flirtuar me një grua të bardhë- shtrirë në arkmortin e funeralit.

Nju Jorku duket se është ndarë më dysh mes atyre që janë pro dhe atyre që janë kundër ekspozimit të një pikture bazuar tek fotografia në fjalë, në një muzeum të kryeqytetit botëror të artit dhe nuk mungojnë akuzat për shfrytëzim racist dhe censurë.

Në qendër të betejës për përvetësim kulturor është piktura e artistes ekspresioniste Dana Schutz “Arkmorti i hapur” (2016), një përshkrim i tmerrshëm i  Emmett Till, linçuar në Misisipi në vitin 1955.

Piktura fillimisht u dënua me shpejtësi nga kritikët që pretenduan se Schutz, e cila është e bardhë, po përfitonte nga një moment përcaktues në historinë afro-amerikane. 

Disa artistë e akuzuan atë se “nuk kishte asgjë për të thënë ndaj komunitetit me ngjyrë për traumën e tyre”, duke kërkuar që vepra “të shkatërrohej dhe të mos hynte fare në asnjë treg apo muze”.

Duke marrë parasysh rrethanat e një ankthi në rritje në lidhje me censurën artistike dhe shkurtimin e financimit të artit nën administratën Trump, kritikët e Schutz u përballën me një sërë akuzash për ushtrim censure. Një zë liberal e feminist, Marilyn Minter shkroi në Facebook: “Bota e artit mendon se Dana Schutz është armiku? E majta po ha bijtë e vet sërish. Censura nga e majta ta shpif vërtet”.

40-vjeçarja Schutz tha për faqen e internetit Artnet se ajo e kishte bërë pikturën në përgjigje të vrasjeve nga policia të personave me ngjyrë të paarmatosur gjatë verës së vitit 2016. “Eshtë një pikturë problematike, dhe unë e dija se do përfshihesha në debat”.

Piktura kontraverse e Schutz vjen ndërsa hetuesit e OKB-së për të drejtat e njeriut paralajmëruan për një “trend alarmant dhe jo-demokratik” në Shtetet e Bashkuara ndërsa 19 shtete kanë paraqitur për miratim ligje që do të reduktonin lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës që nga zgjedhja e Donald Trump.

Ndërsa në ekstremin tjetër, është shtuar numri i incidenteve të “përvetësimit kulturor”. Por, asnjë prej tyre nuk krahasohet me përfitimin nga fotografia e Till, i masakruar në arkmortin e tij, që ndihmoi në nisjen e lëvizjes për të drejtat civile. Familjarët e Till u takuan me prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe i kërkuan atij të përforconte ligjin që mundëson procedimin e dosjeve të vjetra me dekada të aktivistëve të të drejtave civile.

Liderët e të drejtave civile druhen se administrata Trump mund të mos kërkojë zbatimin e Aktit Emmet Till për krimet për të drejtat civile, që lejon departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në të rihapin rastet e pazbardhura që kanë ndodhur përpara vitit 1980.

Në një libër publikuar së fundmi, gruaja që akuzoi Till për ngacmim seksual, Carolyn Bryant Donham, pranon se dëshmia e saj ishte e fabrikuar. Pasi u shfajësuan për vrasjen nga një juri e gjitha e bardhë, burri i parë i Donham, Roy Bryant dhe gjysmë-vëllai i tij, JW Milam, pranuan se kanë vrarë Till në një intervistë të paguar për revistën “Look”. Rasti u rihap në vitin 2004, por prokurorët federalë dolën në përfundimin se nuk mund të vazhdonte për shkak të statutit të kufizimeve.

Pas takimit me Sessions, kushërira e Till, Deborah Watts tha se ai kishte rënë dakord se ligji duhej të zbatohej. Piktura e Schutz, me kanavacën me reliev që pasqyron plagët e tmerrshme të Till, do të mbetet e ekspozuar, thanë zyrtarët e muzeut në Nju Jork.

Fotografia e Emmett Till është e rëndësishme për historinë amerikane, thotë shkrimtari dhe historiani i kulturës afro-amerikane, John Jennings, por “Schutz ka të drejtën për të bërë art dhe piktura nuk duhet të shkatërrohet. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm për diskutimet që shtrojmë”.

Nëna e Till, Mamie Till Bradley, dha autorizimin për fotografinë origjinale për shkak se ajo dëshironte “që bota të shihte se çfarë i kishin bërë ata burra, djalit të saj”.

“Risjellja e fotografisë krijon diçka shumë të ndryshme nga ajo që kishte si synim fillimisht”, thotë Jennings.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts