728 x 90 Leaderboard

Protesta e 29 shtatorit kundër Thaçit: ja politikanët që u thanë “Po” vetëvendosësve

Nga Blendi Gashi

Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga protesta e Vetëvendosjes kundër Thaçit me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, kjo parti ka nisur të marrë mbështetje edhe nga jashtë strukturave të saj.

Ndërsa zyrtarisht ende asnjëra parti opozitare, as LDK-ja e as Partia Socialdemokrate nuk kanë deklaruar se do e mbështet protestën, ka disa politikanë që kanë ndarë mendjen dhe do dalin në rrugë me vetëvendosësit këtë të shtunë, pavarësisht se partitë e tyre janë kundër.

E para që i ka dhënë përkrahje protestës së opozitës është deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, përkundër se partia e saj nuk e sheh daljen në rrugë si zgjidhje.

Personalisht si deputete mund të them se protestat paqësore janë një ndër mjetet e kundërshtimit politik, kështu që në momentet kur një përfaqësues politik siç është presidenti nuk merr parasysh qëndrimet e shumicës dërmuese të spektrit politik në vend, nuk merr parasysh kushtetutën e vendit, atëherë natyrisht që edhe qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre, qoftë përmes zgjedhjeve, qoftë në mënyrat e tjera të shprehjes së pakënaqësive të tyre. Por, gjithnjë ato protesta duhet të jenë paqësore që të merren seriozisht”, ka deklaruar Osmani.

Edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Agim Bahtiri po del kundër qëndrimeve të partisë së tij dhe krah Kurtit.

Kryetar i Mitrovicës së Jugut, gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi me Kurtin ka ftuar qytetarët që ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Thaçi.

Në fjalimin e tij Bahtiri u shpreh se nuk është mësuar të thërras protestë, mirëpo tash është momenti i duhur.

Nuk jam mësuar të thërrasë protestë, por kësaj radhe do të thërrasë fuqishëm. Është momenti i duhur, koha e duhur, e vetëm populli do t’ia kallëzojë vendin çdokujt. E do të jem me popullin, sepse ai është sovrani i këtij vendi”, ka pohuar Bahtiri, ndërsa shefi i tij, Behgjet Pacolli, javë më parë qëndroi në pushime në bregdetin shqiptar pikërisht me Thaçin.

“PO” protestës së Vetëvendosjes i ka thënë tashmë edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, por që njihet si tejet i afërt me grupin parlamentar të LDK-së.

Ai ka bërë thirrje qytetarëve ta përkrahin protestën, duke thënë që të gjithë janë të obliguar që t’i dalin në mbështetje çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër, siç thotë skenari të kobshëm të presidentit Thaçi.

“Të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës. Të gjithë ne–qytetarë, politikanë, shoqëri civile, studentë, pensionerë, profesionistë, diasporë, e njerëz të pavarur–jemi të obliguar që t’i dalim në mbështetje çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër këtij skenari të kobshëm, përfshirë edhe këtë protestë. Po e shohim intensifikimin e cenimit serioz të Kushtetutës nga Presidenti, një Qeveri dhe kastë në pushtet që po e falimentojnë dhe ndajnë shtetin, dhe “liderë” të papërgjegjshëm në pushtet që po e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, reagimi i pavonuar qytetar është jetik për Kosovën! Dhe i vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion për ne si qytetarë dhe opozitarë kundër të keqes mbetet protesta! Në këtë frymë, ju njoftoj që do t’i bashkëngjitem Protestës paqësore të datës 29 shtator 2018. Njëheri, i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës që të marrin pjesë masovikisht në këtë protestë, për ti dalë Zot vendit”, shkruan Sejdiu në Facebook.

Ai më tej thotë se përmes kësaj proteste duhet dërguar porosi të zëshme të gjithëve, brenda dhe jashtë Kosovës, se për Kosovën vendosin qytetarët e saj dhe askush tjetër.

“Se interesat personale nuk janë më të rëndësishme se interesat kombëtar. Se Kosova është shtet, dhe do të mbetet shtet! Se ne nuk nënshtrohemi! Poashtu, bëj apel publik që protesta të jetë paqësore, sepse dhuna i shkon në favor zaptuesëve të shtetit. Shihemi te vendi, më 29 shtator në ora 14:00!”, thotë Sejdiu.

Kujtojmë se VV protestën e ka thirrur për datë 29 shtator nga ora 14:00 në sheshet e Prishtinës. /tesheshi.com/

Related posts