PROPOZIMI/ Kriza, oferta e parë ndërkombëtare vjen nga Vjena: koalicion PS-PD

Ambasadori austriak në Shqipëri, Johan Sattler, u shfaq këtë të enjte si zëri më i fortë e më i ashpër ndërkombëtar i këtyre orëve të vështira për Shqipërinë, ku sërish janë kthyer skena me ushtrim dhune, zjarr e flakë.

Nga Shkodra, atje ku nisi sulmi opozitar mbi KZAZ-të, në një takim me të rinj, Sattler tha se ende nuk po mund ta kuptonte se ç’po ndodhte me vendin tonë.

“Edhe pse jetoj prej 30 vitesh këtu nuk e kuptoj atë çfarë ndodh. Klanet, përplasjet e tjera, edhe pse jepen disa shpjegime për këto, nuk ms bindin asnjëherë”, tha ai.

Duke komentuar atë që ndodhi në Shkodër dy net më parë, diplomati austriak tha se ishte plotësisht dakort me atë ç’farë shprehu znj. Topalli pas vënies së zjarrit në një shkollë, aty ku qe instaluar një KZAZ.

“Djegia e shkollave është aspak e këndshme. Ata me mendësi demokratike nuk djegin shkolla dhe unë bie dakord me zonjën Topalli”, tha njeriu i Vjenës në Tiranë.  

Nga ana tjetër, sa i përket përgjimeve, ai shtoi se për gjithçka vendosin gjykatat.

“Përgjimet mund te jenë të sakta dhe nëse ka përbërje kriminale duhet të konfirmohet. Nuk e di nëse e keni ndjekur një video që tronditi Austrinë dhe nëse ka diçka duhet gjykuar nga gjykatat dhe këtu shpresa e madhe është tek drejtësia. Vettingu është gjithashtu duke u bërë dhe duhet t’i marrim hap pas hapi dhe duhet ta nisni nga sistemi gjyqësor. Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme”, tha ambasadori austriak.

Por pse nuk po ndërhyrjnë ndërkombëtarët  për zgjidhjen e krizës?

“I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Nuk jemi në 1912, jemi në 2019 dhe përgjegjësia është totalisht e juaja. Momentet që po jetojmë janë përsëritur shpesh ne 25 vitet e fundit dhe them se është koha te ulemi dhe t’i shohim çfarë duhet rregulluar“, shtoi ai, duke vijuar:  “çdo herë kur ka zgjedhje në Shqipëri ka kriza, në vendet e tjera zgjedhjet i zgjidhin krizat ndërsa këtu është e kundërta”.

E në fund, diplomati austriak e ka bërë një propozim, ashtu tanget dhe mes rreshtash.

“Për të zgjidhur kriza të mëdha duhet të ketë edhe koalicione të mëdha dhe ju duhet të jeni më të bashkuar për të qenë pjesë e BE”, theksoi ai.

Kujtojmë se një koalicion fluid mes PS dhe PD u përfol se mund të kishte pas marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës në 2017, e kjo në kushte qeverisëse pas zgjedhjeve. Por humbja e PD-së çoi në ndryshim pozicioni politik të saj përballë mazhorancës. /tesheshi.com/     

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts