reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Progresi dhe regresi ekonomik i Kosovës gjatë vitit 2016, pak shpresë për 2017-ën

Nga Bashkim Kastrati

Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2016 u karakterizua me disa zhvillime pozitive, por më shumë pati zhvillime negative, të cilat ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Investimet e huaja vazhduan të kenë rënie. Për këtë njëri nga fajtorët është kriza politike që e shoqëroi Kosovën gjatë gjithë vitit. Por duhet cekur se trendi i rënies së investimeve të huaja ka qenë edhe në vitet e fundit dhe fajtor shkaku kryesor i kësaj situate është korrupsioni dhe sistemi i pareformuar gjyqësor. Dështimi i privatizimi të Brezovicës ishte lajm i keq për ekonominë e Kosovës.

Protestat e dhunshme dhe disa storie me vështirësitë që po hasin investitorët që kanë investuar në Kosovë kanë paraqitur një imazh të keq për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu edhe ika masive e mijëra shqiptarëve të Kosovë në fillim të vitit 2016 paraqiste një indikacion të keq për Kosovën.

Gjatë vitit 2016 shumë pronarë të bizneseve ua vunë drynin bizneseve të tyre, duke falimentuar. Edhe gjatë këtij viti pati deklarata të ndryshme mbi numrin e të papunëve që vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa premisat për t’u përmirësuar kjo situatë në vitin 2017 janë shumë të vogla.

Lajm i keq ishte edhe rënia e remitencave nga diaspora, kjo për faktin se remitencat kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rëndësi të madhe për mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Rritja ekonomike e shënuar gjatë këtij  viti ishte një sinjal shprese, por kjo rritje nuk ndikon shumë tek ulja e nivelit të papunësisë.

Humbja e 30 milionë eurove nga Post-Telekomi i Kosovës ishte një goditje e radhës në fundin e vitit 2016, ndërsa një tjetër proces i rëndë gjyqësor e pret këtë kompani në fillim të këtij viti.

Importi ka vazhduar me trendë të rritjes, ndërsa eksporti mbetët pothuajse i njëjtë, hendeku mes tyre është shumë i madh. As investimi i qindra miliona eurove në fushën e bujqësisë nuk e uli importin e produkteve bujqësore. Kosova ende vazhdon të jetë e varur nga produktet e huaja.

Në Kosovë ende ka ndërmarrje të uzurpuara edhe pse kanë kaluar 17 vjet që nga përfundimi i luftës. Kjo paraqet një sinjal negativ për investitorët potencial. Zonat e premtuara ekonomike mbetën vetëm në letër, asgjë konkrete nuk u bë në këtë drejtim as në vitin 2016. Premtimi për hapjen e 200 mijë vendeve të punës, sigurisht që mbeti vetëm për konsum politik, nuk u fol më për krijimin e fondit të zhvillimit pre 2 miliardë eurove.

Edhe në vitin 2016vazhduan shpenzimet e mëdha për dreka, darka meditje, vetura etj. Ndonëse ka pasur një tendencë për të ulur këto shpenzime, ato mbesin ende të larta,duke marrë parasysh situatën ekonomike në Kosovë. Qytetarët edhe gjatë vitit 2016 vazhduan të marrin kredi në masë të madhe, ndërsa normat e interesit vazhdojnë të jenë ende të larta, edhe pse ka pasur një rënie në vitin 2016. Edhe gjatë vitit 2016 furnizimi me energji elektrike nuk ishte i kënaqshëm. Shumë qytete e fshatra u përballën me reduktime të energjisë elektrike. Problemi me furnizim me energji elektrike, konsiderohet si një nga problemet që pengon ardhjen e investitorëve të huaj.

 

Disa nga të arriturat dhe ngecjet

Në vitin 2016 lajm pozitiv për ekonominë ishte përfshirja e Kosovës në rrjetin e gazit përmes Shqipërisë. Gjithashtu miratimi i Ligjit për Trepçën ishte një lajm pozitiv, edhe pse i kundërshtuar nga një pjesë e opozitës.

Naim Gashi profesor i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se viti 2016 në Kosovë kishte një varg arritjesh, por kishte edhe ngecje. Sipas tij, e arritura më e madhe ishte rritja ekonomike 4.1% më larta në Evropë.

“Kjo rritje është e bazuar në realizimin e projekteve publike, sektorin privat, të ardhurat nga diaspora dhe konsumi i lartë. Ndërsa tek parametrat makroekonomik, vazhdon të ketë trend negativ bilanci tregtar mbi 2 miliardë euro”, thotë Gashi.

Ai thotë se gjatë vitit 2016 viti kishim një ngecje në investimet e jashtme të cilat shënuan rënie si pasojë e dështimit të investimeve në Qendrën Turistike në Brezovicë dhe vonesat në nisjen e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike.

“Viti 2016 ishte i suksesshëm në raportet tregtare me BE-në, sepse nga 1 prilli i vitit të kaluar hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në, ky Kosova gradualisht po bëhet pjesë e një tregu prej 508 milionë konsumatorësh”, thotë Gashi, duke shtuar se në vitin 2016 u përfundua ndërtimi i interkonjeksionit energjetik me Shqipërinë, por kjo lidhje energjetike nuk hyri në fuqi për shkak të ndikimit që kanë në Qeverinë e Shqipërisë, lobuesit që eksportojnë energji në Ballkan.

“Këtyre lobuesve që kanë përkrahës edhe në Prishtinë nuk u shkon përshtati lidhja energjetike Kosovë-Shqipëri sepse ata nuk kanë ku ta shesin energjinë. Të njëjtit lobues me disa OJQ kosovare po e pengojnë edhe projektin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë”, theksoi Gashi.

Ai mendon se gjatë vitit 2016 është vërejtur një politikë restriktive e shpenzimeve buxhetore, një luftë më e ashpër e evazionit fiskal dhe e luftimit të kontrabandës. Sipas tij, kjo ka mundësuar që buxheti i Kosovës të rritet në 2 miliardë euro për vitin 2017.

“Për vitin 2017 mendoj që Qeveria dhe Kuvendi urgjentisht duhet të përfundojnë procedurat për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, duhet të vazhdojnë reformat fiskale për inkurajim të investimeve të jashtme, duhet të arrijnë konsensus për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave etj”, thotë Gashi.

 

Nuk ka indikacione për progres të theksuar ekonomik në vitin 2017

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2016 ishte e brishtë dhe se nuk është karakterizuar me zhvillime të ndryshme të cilat do të gjeneronin zhvillim ekonomik, e rrjedhimisht hapje të vendeve të punës dhe uljen e nivelit të varfërisë.

Ai thotë se viti 2016 ka pas disa suksese në aspektin e zhvillimi ekonomik, miratimi i Ligjit për Trepçën, miratimi nga Kuvendi i Kosovë i ligjit për investime strategjike, marrja e kodit (gjeografik) telefonik, MSA-ja et”, thotë Beqiri.

Ai thotë se nëse iu referohemi ngjarjeve ekonomike të vitit 2016, mund të themi se ekonomia kosovare ka kapitulluar tërësisht. Sipas tij, dështimi i investimeve në Bezovicë, kriza politike në vend, demarkacioni, asociacioni i komunave me shumicë serbe janë kontribuuesit më të mëdhenj destabilizues.

“Buxheti i Republikës se Kosovës nuk është një buxhet zhvillimor, si i tillë nuk garanton vende të reja pune pavarësisht se a është buxhet historik ose më i madhi që nga paslufta, sipas Kryeministrit Mustafa. Një buxhet është i mirëseardhur kur garanton vende të reja pune dhe investime në prodhimtari. Kosova blen 2 miliardë euro prodhime të huaja, kurse shet vetëm 260 milionë”, theksoi Beqiri.

Ai thotë se borxhi total i Republikës së Kosovës është 842 milionë euro, prej të cilave, 473 milionë euro është borxh i brendshëm, kurse 368 milionë euro i përket borxhit ndërkombëtar.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës për vitin 2016 lë shumë për të dëshiruar.

“Mbesim me shpresë se viti që kemi hyrë do të jetë një vit i ringjalljes ekonomike të Kosovës, sepse është treni i fundit para se të shpërthejë një pakënaqësi totale e qytetarëve, dhe kam frikë se gjërat do të përkeqësohen shumë dhe do të vijë deri të trazirat e mëdha sociale. Në njërën anë politikanë milionerë, e nga ana tjetër njerëz që janë ka vuajnë për kafshatën e bukës. Ka ardhur koha që me i thënë mjaft kësaj situate”, u shpreh Beqiri. /tesheshi.com/