PROFIL/Talat Xhaferi: misteret politike të “Komandant Forinës”, gjeneralit që u ngjit në krye të shtetit maqedonas

Në verën e vitit 2001, gjenerali i armatës maqedonase, një nga të paktët ushtarakë ekselentë të Maqedonisë që kishte përfunduar Akademinë elitare në Beograd, mori një sfidë nga ana e shefave të tij: të asgjesonte rezistencën e armatosur shqiptare në Maqedoni që sapo kishte nisur rrethimin nga kodrat e Tetovës dhe rrethinat e Shkupit.

Para sfidës së jetës së tij, që natyrisht i ishte bërë me një hile gjakftohtë që të vriste vëllezërit e tij shqiptarë, gjenerali Talat Xhaferi, nga fshati Forino i Gostivarit, që mori si nofkë lufte emrin e fshatit të lindjes, zgjodhi të bënte një telefonatë;

një telefonatë që realisht shënoi fundin e një konflikti më shumë taktik sesa civil të armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Xhaferi bisedoi me një epror të rëndësishëm të NATO-s në Bruksel dhe i tha se ai dhe shqiptarët e tjerë, pjesëtarë të armatës së Maqedonisë nuk ishin gati të vrisnin qytetarët e tyre por do të bashkoheshin në një zgjidhje që shmangte gjakderdhjen e cila mund të mbyste në luftë gjithë Ballkanin.

Ajo telefonatë realisht ka qenë një nga nyjet më nevralgjike të konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni dhe ku ndërkombëtarët, NATO dhe BE i kërkuan Shkupit zyrtar që të bënte një marrëveshje me shqiptarët.

Në qeveri ishte një politikan i ashpër nacionalisht, themeluesi i VRMO-DPMNE, Ljupço Georgievski, mentori politik i Nikolla Gruevskit që më pas u bë edhe armiku i tij më i ashpër.

Georgievski nuk pranoi, madje premtoi se do t’i zhdukte shqiptarët e armatosur me gjak dhe me hekur. Bleu dhe katër helikopterë gjuajtës të prodhimit rus që bombardonin në Tetovë e Haraçinë.

Havier Solana, në atë kohë shefi i diplomacisë së BE-së i dha afat Georgievskit vetëm dy javë” o mbyll konfliktin ose negocio.

Kryeministri urdhëroi operacione ndëshkuese dhe pritej që të sulmonte me zjarr dhe hekur vendbanimet shqiptare, siç bëri në rrethinat e Tetovës, ku dhe u vranë dy shqiptarë të pafajshëm në mes të rrugës, pamje që bënë xhiron e botës.

Por një ultimatum i erdhi nga UÇK-ja e Ali Ahmetit: “Artileria shqiptare në Haraçinë ka shënjestruar objetet ushtarake në Shkup dhe ndëshkimi do të jetë i rreptë nëse masakrohen shqiptarët”.

Georgievski nuk kishte rrugë tjetër veçse të negocionte Marrëveshjen e Ohrit që solli në qeveri militarët e UÇK-së.

Gëzim Ostreni, ushtaraku profesionist nga Dibra që komandonte operacionet e UÇK-së, si dhe Talat Xhaferi, ishin oficerët më të famshëm në radhët shqiptare, e që natyrisht jo të vetmit.

Lufta në Maqedoni nisi në Tanushë, por realisht u zhvillua në telefon shoqëruar me lëvizje taktike, edhe pse ka pasur të vrarë e dëshmorë si pasojë e operacioneve të rënda ndëshkuese të njësiteve famëkeqe maqedone që u akuzuan nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit.

Talat Xhaferi, megjithatë, nuk integrohet që në fillimet e ardhjes së BDI-së, partisë së dalë nga UÇK-ja, në qeverinë e përbashkët, njëherë me LSDM-në e më pas me Nikolla Gruevskin e VRMO-së.

Duke shkuar pak në pareantezë, Talat Xhaferi drejtoi Brigadën e 116 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e cila luftoi egërësisht me njësitë speciale të famëkeqit Sojan Agelov, i cili deklaroi më pas se ka humbur gjysmën e njërëzve të tij në përballjen me Xhaferin, madje edhe vetë është plagosur në atë luftë.

Integrimi i Xhaferit në pushtetin e përbashkët ishte i ngadalshëm, ku deputet i BDI-së zgjidhet që në vitin 2001.

Vetëm në vitin 2004, Ali Ahmeti e propozon gjeneralin shqiptar si zv.ministër të Mbrojtjes së Maqedonisë, për të ndikuar në krijimin e një ushtrie multietnike dhe jo njëngjyrëshe në Maqedoni.

Pasi shërben për katër vjet, Talat Xhaferi rihyn në Parlament si deputet ku drejtoi procesin legjislativ për të impelemtuar Marrëveshjen e Ohrit në institucionet e Sigurisë.

Në vitin 2013 ndodh dhe zhvillimi më i rëndësishëm: Talat Xhaferri emërohet ministër i Mbrojtjes dhe në faqen e saj zyrtare BDI shpall se “UÇK” hyn në ARM.

Ministrinë e Mbrojtjes përpara Xhaferrit e drejtonte një tjetër shqiptar, Fatmir Besimi, por emërimi i ish-“Komandant Forinës” ishte epokal.

Sakaq,  ky zenith përkoi me rënien dekadente të reputacionit të BDI tek shqiptarët që shikonin se edhe pse me njerëzit e tyre në qeveri, sërish Gruevski po i vret; e që arriti kulmin në vitin 2015 me masakrën e Kumanovës në Lagjen e Trimave, e cila siç po del ditë pas dite ka qenë një kombinacion i tmerrshëm i shërbimeve sekrete që synonin ta fusnin Maqedoninë në një përpasje ndëretnike, në mënyrë që të mbanin shtetin-tampon siç u krijua Maqedonia, si pjesë e influencës ruse.

Por BDI realisht nuk tentoi që mëkatin e saj në pushtet ta kthejë në fuqi destabilizuese në radhë të parë për shqiptarët.

Duroi sulmet e pafundme, shkoi në zgjedhjet e vitit të shkuar, pagoi çmimin dhe i hyri negocimit për të drejtuar proceset në vend. Duke abandonuar Nikolla Gruevskin dhe hyrë në një marrëveshje me liderin e opozitës Zoran Zaev, i cili i kishte marrë BDI-së një copë të madhe në trevat shqiptare duke fituar 50 mijë vota nga sulmet dhe panënaqësia ndaj Ali Ahmetit, Ali Ahmeti zgjodhi që këto 50 mijë vota të mos i lëshojë në “bregun matanë” por t’i mbajë për shqiptarët.

Dhe sigurisht në negociata të ngushta me ndërkombëtarët vendosi Talat Xhaferin si kandidatin për të drejtuar Parlamentin e Maqedonisë. Si i pari shqiptar që merr postin numër dy të shtetit, e natyrisht duke vënë figurën më të rëndësishme politike që Ali Ahmeti e mbajti afër që nga vera e 2001-shit.

Ish-ushtaraku i  armatës Jugosallave dhe më pas asaj maqedonase është realativisht i ri, edhe pse jep më i madh-55 vjeç, i martuar me dy fëmijë si arsim ka të gjitha shkallët e shkollimit ushtarak, që nga shkolla e Mesme, Akademia e Beogradit e më pas posdiplomimi në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Maqedonase.

Dhe nuk kishte metaforë më të gjetur për Ali Ahmetin që e nisi pushtetin e tij nga lufta, që në krye të shtetit me të cilit luftoi dhe negocoi, të dërgojë gjeneralin e tij më të besueshëm, Talatin e Gostivarit, i cili kaloi me sukses apo fat, provën e frikshme të linçimit nga huliganët e Gruevskin që masakruan Zijadin Selën e Strugës por edhe Zoran Zaev, që tashme plagët po i përdor për t’u ulur sa më shpejt në kolltukun e kryeministrit. /tesheshi.com/

Related posts