Profil post-mortum: Jonuz Musliu, radikali i qetë që donte të këmbente Preshevën me veriun e Kosovës

Nga Ylli Pata  

Thuajse të gjitha mediat serbe kanë publikuar lajmin e vdekjes së Jonuz Musliut, si një humbje e rëndësishme politike e faktorit shqiptar në Preshevë.

B92, në obituarin e saj e cilësonte të ndjerin Musliu si “homologun” e Hashim Thaçit, meqë ai ka qenë Drejtori politik i UÇPMB-së, siç ishte Thaçi në UÇK.

Por ndryshe nga Hashim Thaçi, Jonuz Mulsiu ishte një disident klasik i regjimit komunist serb dhe më pas atij të Millosheviçit.

Ka qenë i burgosur politik për një kohë të gjatë dhe menjëherë pas daljes nga burgu organizoi rezistencën e armatosur, ç’ka çoi në një marrëveshje mes Beogradit dhe shqiptarëve të Luginës, të cilët kanë qenë historikisht më të persekutuarit dhe kanë vuajtur pasojat e të qenit larg qendrave nevralgjike shqiptare si Tirana e Prishtina.

I lindur në fshatin Konçul në vitin 1959, Jonuz Musliu ideoi, themeloi në vitin 2001 dhe organizoi në këtë fshat rezistencën e armatosur të shqiptarëve të Preshevës, duke u përballur me alternativën e një detante që kishte mbizotëruar në Luginë prej vitit 1991 nga Partia e Aksionit Demokratik e Riza Halimit.

UÇPMB-ja ishte një reaksion shumë i rrezikshëm, njëkohësisht dhe shumë i rëndësishëm.

I rrezikshëm, pasi shqiptarët e Preshevës mund të pësonin një hakmarrje të Beogradit, i cili kishte thyer hundët në Kosovë dy vjet më parë, por edhe i rëndësishëm pasi për herë të parë shqiptarët e Preshevës u formatuan si njësi politike dhe jo një pakicë që përdoret si lodër.

Pas lufte, Jonuz Musliu themeloi Lëvizjen për Progres Demokratik, arriti të zgjidhet kryetar i Këshillit komunal të Bujanocit, ndërkohë që për disa mandate është zgjedhur Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës.

I ndjeri Musliu ishte baba i tre djemve: Fatlumit, Shqiprimit dhe Sarandit, si dhe një bashkëshort i devotshëm.

Edhe pse politkisht ka qenë një majtist, ai është munduar që ta bashkojë faktorin politik shqiptar në Preshevë, ku fragmentarizimi i tij është një plagë e vazhdueshme.

Fehmi Ramadani, një mik i Musliut, gazetar dhe socialog i njohur nga Presheva, i cili jeton në Prishtinë, në një prononcim për “tesheshi.com” e konsideron Jonuz Musliun një “patriot të madh”.

“Lugina humbi një veprimtar të madh të kombit, i cili ishte pjesë e të gjitha proceseve që kishin ndodhur në rajon që nga viti 1981. Edhe unë e kisha fatin ta kem shok, mik dhe të isha bashkëpunëtor në kohë të vështira.  Vërtet ishte një njeri i shkëlqyeshëm, trim, atdhetar dhe kishte një vizion të qartë politik mbi kauzën kombëtare”, thekson Ramadani.

Musliu i përket grupit politik që u “gatua” në demostratat e vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës dhe ka ngritur gjithmonë opsionin që Lugina e Preshevës i përket Kosovës si unitet territorial dhe vitin e fundit propozoi që veriu i Kosovës të këmbehet me Luginën, nëse arrihet në ndarjen e Kosovës.

Këtë opsion, Musliu nuk e ngriti thjesht sa për të bërë “presion nacionalist”, por e ka elaburuar gjatë në opinionin publik serb.

Madje në mediat më nacionaliste të Beogradit, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, ka folur me durim, edhe pse duke e ditur se do ta keqpërdorin, por mjaftonte që të paraqiste platformën e tij publikisht, së cilës i besonte verbërisht.

Kjo solli që disa herë në zyrën e tij të vijnë diplomatë të SHBA-së dhe BE-së, të cilët e kanë këshilluar që të mos u hapte shumë kokëçarje me një “tjetër çështje shqiptare”, por Jonuz Musliu me qetësinë e tij olimpike u shpjegonte pa u lodhur se këmbimi do të ishte një opsion në të mirë të të gjitha palëve dhe që mund të zgjidhte situatën përfundimisht.

Jonuz Musliun, jo vetëm që nuk e përkrahu as Tirana e Prishtina, por as mediat shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri nuk e diskutuan qasjen e tij për Luginën e Preshevës.

E për turpin tonë, më shpesh e intervistonte Sputnik-u rus e mediat serbe, (normalisht për të përdorur pjesën që u interesonte) sesa mediat shqiptare.

Dhe në një përgjigje se pse del aq shpesh në mediat serbe, i ndjeri u përgjigj se ai ishte i hapur për të gjithë, por  qarqet e Tiranës dhe Prishtinës janë “të zënë” me “baballarët e kombit” që kanë okupuar ekranet e portalet…/tesheshi.com/  

Related posts