PROFIL: Ja kush është Arbër Vllahiu, i përzgjedhuri i Ramushit për të sfiduar Shpend Ahmetin në Prishtinë

Nga Blendi Gashi

Ndërsa Ramush Haradinaj pret që në dhjetë ditët e ardhshme të ulet në karrigen e Kryeministrit të Kosovës, ai tashmë ka nisur betejën për të marrë pushtetin për herë të parë edhe në Prishtinë, ku sot zyrtarisht ka nominuar kandidat për kryetar, prishtinasin Arbër Vllahiu, i cili në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit ju bashkua AAK-së.

Haradinaj në konferencën e sotme tha se “Arbëri unifikon vlera të lidershipit, të një mendimtari dhe atij që mundet që ato mendime me i kthy në plan. Ai ka vlera intelektuale që janë të nevojshme dhe të veçuara për secilin që përfaqëson vendin. Çdo qytetar i Prishtinës me Arbrin do ta gjente veten e vet”.

Kurse Arbëri edhe pse nuk e përmendi emrin e kreut aktual të Prishtinës dhe kandidatit të Vetëvendosjes për një mandat të dytë, Shpend Ahmeti, e thumboi që në fillim, duke thënë se “ka ardhur koha që Prishtinës t’i shërbejmë me përkushtim. Ka ardhur koha që Prishtina të bëhet kryeqendër me tiparet e saj dhe kjo do të bëhet realitet me ne”.

Padyshim që Haradinaj mund të thuhet se ka bërë gjetjen më të mirë brenda partisë së tij, duke parë se Arbër Vllahiu nuk është një figurë kontraverse edhe pse një kohë ka qenë i lidhur me politikën.

Kjo kandidaturë mund të jetë paksa  befasuese po të kihet parasysh fakti se Vllahiu sapo është anëtarësuar në parti, por sigurisht ajo vjen pas dështimit në zgjedhjet e kaluara me Besnik Tahirin për të fituar kryeqytetin.

Megjithatë duhet pritur 22 tetori për të parë nëse Haradinaj ka bërë gjetjen e duhur për të sfiduar seriozisht Shpend Ahmetin e VV-së apo mban shpresat që kandidati i partisë së tij të shkojë në balotash dhe më pas të marrë përkrahjet e partive tjera.

Aktualisht këto janë matematika të mundshme por që do jenë prishtinasit që do thonë fjalën e tyre për kryekomunarin e ri.

Po kush është Vllahiu?

E gjithë karriera e tij brenda institucioneve është koha kur ka shërbyer si ish-këshilltar dhe zëdhënës për mediat i ish-presidentes Atifete Jahjaga.

Ndërsa e gjithë karriera e tij është e lidhur me gazetarinë, ku edhe ka kryer studimet master në komunikimin masiv në Prishtinë.

Për rreth 27 vjet ka punuar si gazetar, 11 vite korrespondent i Shërbimit Botëror të BBC-së nga Kosova.

Më pas tre vjet në Londër me BBC World Service si prodhues. Po ashtu korrespondent i Deutche Welle-s dhe Korporatës Suedeze të Transmetimeve nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Gjithashtu ka punuar edhe si shefi i shërbimit të Radio Europa e Lirë në Kosovë.

Për një kohë ka bërë edhe lektorin në Universitetin e Prishtinës në Degën e Gazetarisë.

Vllahiu është lindur në vitin 1967 në Prishtinë. /tesheshi.com/