728 x 90 Leaderboard

PROFIL/ Barbara Bush, bashkëshorte dhe nënë presidenti: kush ishte gruaja që vigjilonte mbi familjen

Zonja e parë e Amerikës – gruaja e presidentit Xhorxh Bush dhe nëna e Xhorxh Bush të Riut, ishte një fushatuese e fortë e kauzës republikane dhe një mbrojtëse vigjilente ndaj familjes së saj.

Barbara Bush, e cila ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, ishte grua dhe nënë presidenti. Hyrja e saj e beftë në jetën publike amerikane ndodhi kur bashkëshorti i saj, George H. Bush, pas 16 vjetësh në biznesin e naftës, grumbulloi një pasuri të mjaftueshme për të shitur gjithçka e për të nisur karrierën politike. Kur ai u bë kongresmen republikan në vitin 1967, familja u zhvendos në Uashington dhe Barbara u përball me çështjen e komplikuar të sjelljes si mikpritëse politike në një qytet ku thikat pas shpine dhe shtirja janë hiret kryesore sociale. Shpejt u bë e njohur se i jepte secilit atë që meritonte, edhe pse zakonisht i rezervonte thumbat e saj për demokratët.

Ndërsa bashkëshorti i vet u ngjit me shpejtësi në disa detyra – ambasador amerikan në OKB dhe më pas në Kinë, drejtues i partisë Republikane, drejtor i CIA-s, zëvendëspresident i Ronald Reganit dhe më pas, nga viti 1989 u zgjodh president – Barbara u përkujdes për 29 vendndodhjet e ndryshme të familjes së saj me pesë fëmijë.

Ajo po ashtu ishte e pranishme vazhdimisht në fushatat politike të bashkëshortit dhe kandidatëve të tjerë republikanë, duke udhëtuar me mijëra kilometra për të predikuar kauzën republikane. Edhe pse më pas ajo u etiketua si “gjyshja e kombit”, “putrat e saj” u shfaqën shpesh në marrëdhënien me median, të cilën e konsideronte zakonisht si një komplot të demokratëve.

 

Pavarësisht dukjes së saj me një përballje luftarake me jetën, ajo pohoi në autobiografinë e saj të vitit 1994, se kishte pasur episode të rënda depresioni. “Ndonjëherë dhimbja ishte aq e madhe”, shkroi ajo, “saqë ndjeja nevojën të përplasesha me makinë pas ndonjë peme apo me makinën që vinte përballë. Kur kjo ndodhte, unë hapja krahun në rrugë derisa ndjehesha më mirë”.

Barbara u lind në Nju Jork në një familje të mirë. Ajo e takoi burrin e saj të ardhshëm në një prej vallëzimeve të shumta që zhvilloheshin nga adoleshentët e klasës së mesme të asaj kohe, kur ishte 16 vjeç. Pearl Harbor sapo ishte sulmuar nga japonezët, dhe brenda disa muajsh 18-vjeçari, Xhorxh Bush nisi trajnimin si pilot i marinës. Ata u martuan në janar 1945 dhe Barbara nisi peripecitë e gruas me bashkëshortin në shërbim.

Rropatjet e tyre nuk zgjatën. Me përfundimin e luftës, Xhorxh Bush mbaroi studimet në universitetin e Jelit. Në vitin 1948, përmes njohjeve familjare, ai u rekrutua në industrinë e naftës në Teksas dhe nisi karrierën deri në majën e hierarkisë së koorporatës.

Më pas, kur burri i saj u bë zëvendëspresident ajo vendosi se duhej të gjente një kauzë bamirësie për ta mbështetur. Pasi më parë kishte ndjerë se fëmijët e saj kishin pasur vështirësi në shkollim, ajo vendosi të mbështesë fushatën kundër analfabetizmit.

Ajo e ruajti këtë interesim gjatë gjithë jetës. Kur u bë Zonja e Parë e Amerikës, shkroi dy libra, në mbështetje të fushatës.

Libri i dytë pati një sukses të jashtëzakonshëm duke shitur më shumë se 400 mijë kopje dhe mblodhi më shumë se 1 milion dollarë për fondacionin e Barbara Bush për promovimin e shkrim-këndimit, themeluar në vitin 1989 dhe ende funksional.

Kontributi i rastësishëm i Barbara Bush në historinë amerikane ishte se ajo u bë gruaja e dytë amerikane që kishte qenë bashkëshorte e një presidenti dhe nënë e një tjetri. E para grua ishte e mrekullueshmja Abigail Adams. Edhe pse të lindura me diferencë 180 vjet mes tyre, dy gratë i bashkonte një rastësi tjetër interesante –kundërshtinë e hidhur që rrethoi hyrjen e djemve të tyre më të mëdhenj në Shtëpinë e Bardhë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts