PROFIL/ Armando Prenga, deputeti që e nisi karrierën politike me një grusht ndaj Edi Palokës

Në verën e vitit 2009, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u numëruan votat e zonës së Fushë-Kuqes në Kurbin, një terren ku gjithmonë zgjedhjet kanë qenë përleshje. Në tavolinat e gazetarëve ishte ulur një djal i ri me stilolaps dhe letër që shënonte rinumërimin e votave që shqiptonte kreu i atëhershëm i KQZ-së, Arben Ristani. Në fund buzëqeshi dhe u përqafua me kolegun Gjovalin Kadeli.

U prezantua më pas tek gazetarët si kryetari i Partisë Socialiste në Laç. Që prej asaj kohe, qyteti bastion i Partisë Demokratike u rikthye majtas, duke i marrë bashkinë në kulmin e pushtetit, në vitin 2011.

Por aktivitetin politik në Kuvendin e Shqipërisë, Armando Prenga nuk e filloi me ndonjë fjalim mbi zhvillimin e Kurbinit apo mbi sistemin gjyqësor, që nisur nga diploma e juristit që mban në xhep mund të flasë lirisht.

Pak kohë pasi socialistët u rikthyen në Parlamentin e zgjedhur në 2009, ndërsa deputeti “luftarak” Edi Paloka, po përplasej si zakonisht verbalisht me kolegët e opozitës së asaj kohe, Armando Prenga, u ngrit nga vendi iu afrua kolegut të qarkut Lezhë dhe e qëlloi me një grusht të thatë poshtë mjekrës. Kjo ishte vula e parë politike e deputetit socialist të Laçit, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.

Në vitin 2011, në një sherr të ndodhur në Tiranë, i vëllai i deputetit Prenga u përfshi në përleshje të armatosur në një kazino, ndërkohë që policia bënte të ditur se ai kishte precedentë penalë në shtetin italian. Por në vitin 2013, Prenga ishte sërish kandidat për zonën e Laçit ku edhe pse në këtë zonë pati përplasje të madhe ku u vra edhe një komisioner i majtë, Prenga arriti të bëhet sërish deputet.

Gjatë dy viteve të qeverisjes së së majtës, edhe pse opozita ka sulmuar ashpër parlamentarët e “fortë” të PS-së Prenga nuk dihet pse mbeti “në hije” por që doli në mesnatën e mbrëmshme, ku u përfshi në një sherr të tmerrshëm që pati 7 veta të plagosur…

/tesheshi.com/