Prishtina vetëndihet e kërcënuar, barriera betoni për sigurinë në prag festash

Komuna e Prishtinës ka vendosur mbrojtëse të betonit në hyrje të shesheve. Zyrtarë të Komunës kanë thënë se kjo kërkesë ka ardhur nga policia dhe ata e kanë zbatuar.

“Për shkak të rritjes së nivelit të sigurisë nëpër sheshe, nëpër vende ku festohet më tepër ka qenë direktivë e policisë të cilën ne si komunë e Prishtinës e kemi zbatuar”, ka thënë zëdhënësi Adonis Tahiri për Radio “Evropa e Lirë”.

Megjithatë, disa qytetarë kanë thënë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet terroriste dhe se nuk duhet të ngjallet frikë.

“Mendoj se në Kosovë nuk ka terrorizëm. Kosova është shumë vend i rehatshëm. Policia, siguria është shumë në rregull. Kosova nuk është e rrezikuar. Turqia është e rrezikuar, ndoshta edhe Evropa, por unë nuk shohë rrezik në Kosovë”, thotë Mehmed Jerar, një i huaj që me gjasë jeton në Kosovë.

“Çfarëdo që merret prej policisë e komunës është e mirëseardhur për qytetarët. Në këtë rast po shohim se këto vazo i kanë vendosur, pra janë një mbrojtje për qytetarët”, thotë qytetari Mentor Zeka.

Mbyllja për vetura e hyrjeve të shesheve me mbrojtëse të betonit është bërë edhe në qytete të ndryshme evropiane.

Pas përfundimit të festave këto mbrojtëse prej betoni do të largohen dhe gjithçka do të kthehet si më parë. /tesheshi.com/

 

Related posts