Prishtina një ditë pas zgjedhjeve: ja ç’mendojnë qytetarë të saj mbi rezultatin

Nga Bashkim Kastrati

Rezultatet e së dielën për zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovë, ishin befasuese për shumëkënd. Një ditë pasi njerëzit rendën dhe hodhën votën në kuti, në rrugët e Prishtinës vërehet një entuziazëm me suksesin e arritur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Kudo flitet për këtë rezultat dhe mundësinë e koalicioneve për krijimin e qeverisë.

Në sheshet e kryeqytetit kosovar mbrëmë i festua nga si koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) ashtu dhe nga Vetëvendosje; ndërkaq sot në shesh situata duket e qetë, pa festime, por me mjaft diskutime miqsh nëpër kafene mbi fatin e qeverisë.

Kujtojmë që rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje me 42,06% të votave, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës 34,54%, koalicionit PAN me 19,87% dhe partitë tjera të vogla. Në shumicën e qendrave të votimit, Vetëvendosje ka marrë numrin më të madh të votave, përveç në lagjen “Kodra e Trimave”, ku ka udhëhequr LDK-ja në shumicën e vendvotimeve, por e një rezultat të ngushtë me LVV-në. Ndryshe, kjo lagje ka qenë bastion i padiskutueshëm i LDK-së.

Gjithashtu para zgjedhjeve të fundit lokale, Komuna e Prishtinës ka qenë bastion i padiskutuar i LDK-së për 15 vite dhe se nuk ka pasur asnjë rivalitet, kur përballë Isa Mustafës doli vetëvendosësi Shpend Ahmeti, i cili arriti t’a marrë këtë bastion.

Ekipi i tesheshi.com ka dalë në sheshet e Prishtinës për të pyetur disa qytetarë në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të brendshme. Ata thonë se populli po kërkon ndryshim dhe se për këtë duhet të mbesin në opozitë partitë që kanë qenë në pushtet.

Duhet cekur se grupmoshat e reja janë në masë të madhe me LVV-në, ndërsa ata që janë më të moshuar i mbesin “besnik” LDK-së.

“Zgjedhjet e mbrëmshme kanë qenë shumë të mira, nuk ka pasur probleme. Unë kam votuar për herë të parë dhe kam vendosur vet që të votojë për LVV-në, besoj që ata punojnë më mirë për këtë popull sesa partitë që kanë qenë deri më tani. Mendoj që e meritojnë një shans për t’i provuar. Po shihet se kur populli dëshiron të bëjë ndryshime mund t’ia dalë”, thotë Lautrimi, një i ri nga Prishtina.

Ndërsa Arsimi gjithashtu thotë se partitë që nuk kanë qenë në pushtet duhet provuar dhe se sipas tij çdo ndryshim është i mirë për qytetarët e vendit.

Një vend ku një parti, ose një komunë udhëhiqet për disa vite nga një parti, aty nuk ka më efikasitet. Për këtë arsye duhet bërë ndryshime, që edhe ata që janë edhe ata që vijnë të mos ndihen komod e të mos mendojnë që e kanë fitoren e sigurt. Ndryshimi që është bërë në Komunën e Prishtinës mund të them se ka qenë pozitiv, ka pas punë më të mirë, përgjegjësi më shumë kjo tregon se duhet ndërruar partitë që janë në pushtet. Edhe rritjen e LVV-së e shoh në këtë aspekt dhe e kam përkrahur përmes votës, pasi që na duhet një ndryshim në krejt Kosovën”, u shpreh ai.

Ndërkaq qytetarë tjerë thonë se LVV duhet që të merret me çështje konkrete dhe të përditshme ekonomike dhe sociale dhe t’i heq nga retorika çështjet e nacionalizmit, pasi që aktualisht nuk është koha e tyre, por e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetit të Kosovës.

Aktualisht nga rezultatet e publikuara nga KQZ në nivel vendi, nga 99.16 % e votave të numërua, prinë PAN me 34,06%, e dyta është LVV dhe 27,04% dhe LDK-AKR me 25,73%. Duhet cekur se në këtë rezultat nuk janë përfshirë 30959 vota me kusht dhe rreth 15 mijë vota me postë, të cilat do të numërohen së shpejti dhe mund të bëjnë ndonjë diferencë sidomos ndërmjet vendit të dytë dhe të tretë. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts