Prishtina dhe Prizreni shkojnë në rinumërim të votave, reagon Shpend Ahmeti: asgjë nuk ndryshon!

Edhe pse Shpend Ahmeti shpalli fitoren në Prishtinë e Mutaher Haskuka në Prizren pas rezultateve preleminare të KQZ-së, vetëvendosësit megjithatë duhet të presin ende për të marrë konfirmimin zyrtar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që në të rinumërohen të gjitha votat në të gjitha vendvotimet në këto komuna.

Kërkesën për rinumërimin e votave në Prishtinë e kishte paraqitur LDK-ja e Isa Mustafës, kurse rezultatin e zgjedhjeve në Prizren e ka kontestuar PDK-ja.

Në bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të PZAP nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë me një epërsi jo të madhe.

Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të VV-së, Mytaher Haskukaj ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.

Po ashtu, PZAP ka vendosur që edhe në Komunën e Dragashit të rinumërohen 35 vendvotime.

Menjëherë pas vendimit të PZAP-it, për të dërguar në rinumërim Prishtinën, ka reaguar kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, duke thënë se vota në kryeqytet nuk ndryshon.