Prishtina dhe Prizreni në rinumërim votash: mbani hundët…ja pse vendimi mban era politikë

Nga Bashkim Kastrati

Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të dërguar në rinumrim gjithë Komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit, ka shkaktuar reagime të shumta. Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur këtë vendim politik, pasi që sipas tyre kjo po bëhet për faktin se partia e tyre ka fituar në këto dy komuna.

Ndërkaq, vendimi është quajtur i papranueshëm edhe për faktin se PZAP udhëhiqet nga Hasan Shala, i cili përmendet në aferën “Pronto” të zyrtarit të lartë të PDK-së, Adem Grabovci.

Adem Grabovci ishte “qind për qind” i sigurt se gjyqtari Hasan Shala është person i besueshëm i tij, për t’u emëruar në një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Në një bisedë telefonike që ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së kishte pasur me avokatin dhe mikun e tij Idriz Ibraj, në dhjetor të vitit 2011, i sugjerohej që ta emëronte një person me emrin Hasan në detyrë, në Këshillin Gjyqësor.

“E pashë në gazetë qaty, se për një anëtar të Këshillit Gjyqësor duhet me qenë [dikush] prej Dukagjinit”, thotë Ibraj, dhe vazhdon: “A kish ba Hasanin me e shti aty?”,. “Në daq me zgjidh problemin për qeknena, me e pas na një anëtar të fortë si me kanë i PDK-së”,vazhdon ai teksa tenton të bindë Grabovcin. Grabovci bindet. I thotë Ibrajt se është “qind për qind” i sigurt për emërimin e Hasan Shalës në KGjK. “Këqyr qysh shkojnë procedurat e më tregon, të lutem. Se qind për qind jam për Hasanin”, i thoshte Grabovci avokatit Ibraj, duke shprehur besim të plotë ndaj Hasanit, si person që do t’i nevojitej atij në KGjK”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e aferës “Pronto” të publikuara nga Insajderi.

E pikërisht kjo bisedë është ripublikuar sot nga aktivistë të LVV-së dhe sipas tyre Hasan Shala është në shërbim të partive në pushtet e jo të zbatimit të ligjit, pasi që nuk ka pasur asnjë ankesë të bazuar për rinumërim në asnjë vendvotim.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti vazhdon të shprehë pakënaqësinë për rinumërimin e votave në kryeqytet. Për këtë, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje ka disa pyetje për KQZ-në.

“Vendimi i PZAP thotë se duhet të rinumërohen votat me kusht dhe ato me postë. Si mund të rinumërohen kur ende nuk janë numëruar? Pse u ndal procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, pavarësisht vendimit të PZAP? Mandej rinumërimi do të ishte vendim më i lehtë bazuar në ankesa konkrete”, shkruan Ahmeti në Facebook.

Pse vetëm Prishtina dhe Prizrenit në rinumërim?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka thënë se vetëm dy komunat ku ka fituar VV po shkohet në rinumërim. Molliqaj, në një postim në Facebook ka thënë se në Sharr, dallimi është vetëm për 20 vota mes kandidatëve, por atje nuk do të ketë rinumërim. Për më shumë lexojeni postimin e tij të plotë: “Vetëm dy komunat ku ne kemi fituar në balotazh, Prishtina dhe Prizreni, po shkojnë në rinumërim. Dallimi në mes kandidatëve Sharr është vetëm 20 vota, por atje nuk do të ketë rinumërim. Dallim shumë të vogël ka edhe në Istog e Rahovec, por asnjëra nga këto komuna nuk do të shkojnë në rinumërim të tërësishëm. Ky është vendimi i padrejtë i radhës i institucioneve të kapura. Por nuk ua kemi frikën. Votat e qytetarëve do t’i mbrojmë deri në fund, e pas rinumërimit ju do të mbaheni mend si humbës të këqinj e neve do të na rikonfirmohet fitorja.”

Është e çuditshme se si është marrë vendim nga PZAP për rinumërim total në Prishtinë dhe Prizren, pasi që paraprakisht nuk është numëruar asnjë kuti, apo asnjë vendvotim. Disa analistë politik këtë e kanë quajtur si korrekte, pasi sipas tyre kjo i legjitimon kryetarët e Prishtinës dhe Prizrenit, gjersa rezultati është i ngushtë.

“Pse po sulmohet kaq ashpër vendimi për rinumërim në qytetet me rezultat të ngushtë? Në shumë vende rinumërimi është obligativ kur rezultati është me më pak se 1% diferencë. Tanimë kur kemi pasur disa zgjedhje që kanë kaluar testin e një organizimi demokratik të tyre, edhe rinumërimi do të duhej të ishte pjesë e këtij procesi kur ai siguron një legjitimitet të pakontestuar nga asnjëra palë. Askujt nuk i duhet një fitore që do të kontestohej nga gjysma tjetër”, ka deklaruar opinionisti Ilir Ibrahimi.

Por shtrohet pyetja pse nuk u dërguan në rinumërim total edhe Komuna e Dragashit, kur dihet se kandidati i LDK-së ka fituar me vetëm 41 vota diferencë? Nuk është dërguar gjithashtu as Komuna e Rahovecit në rinumërim total kur dihet se kandidati i AAK-së ka fituar me diferencë prej 241 vota, apo Komuna e Istogut, ku ka fituar kandidati i LDK-së me diferencë prej 671 votave.

Shembujt e krahasuar nxisin dyshime se vendimi për rinumërim mund të jetë i motivuar politikisht, ndërsa edhe më shqetësues është fakti se kutitë që do të rinumërohen nuk kanë qenë fare ne karantinë. Kjo do të thotë e para se nuk është evidentuar asnjë parregullsi gjatë auditimit që u bënë KQZ  këtyre kutive, por në anën tjetër, fakti që këto kuti nuk janë në karantinë. /tesheshi.com/