Presioni ndaj muslimanëve: mënyrat e habitshme me të cilat Kina përpiqet të mposhtë ujgurët

Zyrtarët kinezë e përshkruajnë provincën e largët perëndimore të Xinjiang si “zemrën” e hapësirave të pafund të territorit që përfshihen në “Nismën e Brezit dhe Rrugëve” e cila synon nxitjen e lidhjeve ekonomike me Azinë Qendrore dhe rajonet përtej saj. Ata shpresojnë se pasuria që do të gjenerojë kjo skemë do të ndihmojë ta bëjë provincën më të qëndrueshme – pasi për vite ajo ka qenë e goditur nga dhuna separatiste të cilën Kina mendon se e financon “xhihadizmi global”. Por, autoritetet nuk po presin me durim për këtë ditë. Në muajt e fundit ato kanë intensifikuar përpjekjet për të gjymtuar identitetin islam të ujgurëve etnikë të Xinjiang, me frikën se shfaqja publike e besimit të tyre fetar mund të formësojë militantizmin.

10 milionë ujgurët e Xinjiang (gati gjysma e popullsisë së provincës) prej kohësh kanë qenë subjekte të masave të rënda: ndalim i pelegrinazhit të paautorizuar në Mekë, urdhërimi i studentëve për të mos agjëruar për Ramazan, kufizime të ashpra ndaj mbulesës islame (gratë me fytyrë tërësisht të mbuluar nuk lejohen ndonjëherë në autobuzë), ndalim i hyrjes në shumë xhami për personat nën 18 vjeç e kështu me radhë.

Por, që kur mori kontrollin si shef i partisë Komuniste të Xinjiang, vitin e kaluar, Chen Quanguo ka ndërmarrë masa akoma edhe më të ashpra – i kënaqur siç duket nga shtypja e disidentëve në Tibet ku ai ka shërbyer më parë si lider.

Ashtu si në Tibet, shumë banorëve të Xinjiang u është kërkuar të dorëzojnë pasaportat e tyre në polici dhe të kërkojnë leje kur udhëtojnë jashtë vendit. Në një pjesë të provincës, u urdhërua instalimi në të gjitha automjetet i pajisjeve satelitore të gjurmimit. Ka pasur disa demostrime të asaj që pushtetarët e cilësojnë “pushtet gjëmues” ku përfshihen disa parada të trupave paramilitare që tregojnë forcën nëpër rrugë.

Muajin e kaluar, hynë në fuqi rregulla të reja që ndalonin mjekrat “jo-normale” (të tilla si ajo që mban ky burrë në një fotografi në hyrje të xhamisë së madhe në Kashgar, në jug-perëndim të Xinjiang).

Autoritetet gjithashtu, u kërkuan punonjësve të transportit të raportojnë gratë që mbajnë mbulesë të fytyrës në polici dhe ndaluan “vendosjen e emrave të fëmijëve me zell të ekzagjeruar fetar”. Një listë e publikuar pa autorizim e emrave të ndaluar, përfshin Muhamed, Meka dhe Sadam. Prindërit mund të mos jenë në gjendje të marrin dokumentet vitale të regjistrimit të fëmijëve me emra të papërshtatshëm, që do të thotë se rrezikojnë të mos u sigurojnë dot arsim publik dhe kujdes shëndetësor.

Banorëve u është kërkuar edhe të spiunojnë njëri-tjetrin. Në Urumqi, kryeqytetin e rajonit, vendasit mund të raportojnë kërcënimet për sigurinë përmes një aplikacioni të ri telefonik. Njerëzve që jetojnë në Altay në Xinjiang-un verior u janë premtuar shpërblime deri në 5 milionë juane për informacione që mund të ndihmojnë në kapjen e militantëve – mbi 200 herë më shumë se sesa të ardhurat lokale për person.

Në të gjithë provincën Xinjiang, banorëve iu është kërkuar të informojnë autoritetet për çdo aktivitet fetar, përfshirë martesa dhe rreth-prerje. Qeveria po teston, gjithashtu, besnikërinë e vetë njerëzve të saj. Në mars, një zyrtar në Hotan në jug të provincës, u ul në pozitë për shkak të “ndrojtjes” në “luftën kundër esktremizmit fetar” pasi ai zgjodhi të mos tymosë cigare në syrin e një grupi mullahësh.

Zyrtari Chen, ndërkaq, thuhet gjerësisht se do të jetë kandidat për një vend në Byronë Politike qeverisëse, në një freskim që do të ndodhë këtë vit. Këto shfaqje të autoritetit të ashpër mund ta ndihmojnë atë të bëjë për vete presidentin e Kinës, Xi Jinping, i cili ka apeluar për “një mur të madh hekuri” që të shpëtohet Xinjiang.

Shpenzimet për sigurinë në Xinjiang ishin 20 për qind më të larta në vitin 2016 sesa një vit më herët. Kërkesat për vende pune të lidhura me sigurinë, u rritën me shumë sesa trefish vitin që kaloi, vënë në dukje ekspertë e analistë.

Ujgurët janë fajësuar për disa sulme të fundit në Xinjiang. Në një prej tyre në shkurt, në prefekturën jugore, Hotan, tre persona të armatosur me thika vranë pesë njerëz dhe plagosën disa të tjerë përpara se të qëlloheshin për vdekje nga policia (raportime lokale sugjerojnë se dhuna ndodhi pasi një familje ujgure u ndëshkuar për mbajtjen e faljeve në shtëpi). Zyrtarët mund edhe të ndjehen të kënaqur me suksesin e taktikave të tyre: sulmet në shkallë të gjerë nga ujgurët brenda dhe jashtë provincës kanë rënë ndjeshëm në 18 muajt e fundit. Megjithatë ashtu si dhe në Tibet, mbikqyrja e fortë dhe kufizimet mbi shfaqjet kulturore i kanë hedhur benzinë dëshpërimit të njerëzve. “Një komunitet është si një frut”, thotë një shofer taksie ujgur nga Kashgar. “Shtrydhe shumë fort dhe do të shpërthejë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/