PRESIONET/ Qëndrime nga Prishtina: pse Haradinaj s’duhet ta heqë taksën doganore ndaj Serbisë

Prej javësh, kryeministri Haradinaj ndodhet nën presionin ndërkombëtar për heqjen e taksës ndaj mallrave serbë, një vendim i beftë që e kapi në befasi Beogradin dhe ia “prishi librin e llogarive”. Në fillim BE e tani dhe SHBA, po i kërkojnë me instistim shefit të qeverisë së Prishtinës që ta heqë taksën, duke vijuar të ndeshen njëherësh me stoicizmin e Haradinajt, që pa së paku një garanci ndërkombatëre se Serbia do e njohë Kosovën, nuk mund ta heqë. Në të kundërt, menjë garanci të tillë, e heq menjëherë.

Por fillimisht, a ishte veprim i drejtë? Arbër Vokrri, opinionist në Prishtinë dhe afër VV-së, e quan deri dhe të vonuar këtë vendim, e po ashtu dhe jo të plotë.           

“Taksimi 100% i mallrave të shtetit haptas armik është një hap gjysmak dhe tmerrësisht i vonuar. Serbia asnjëherë nuk e fsheh se angazhohet përditë për zhbërjen e Kosovës, pa kurrëfarë pendese për politikat gjenocidale të zbatuara përgjatë një shekulli. Në këmbim, Kosova në 19 vitet e pasluftës ia ka dhënë së paku nga 500 milionë € në vit duke ia blerë mallrat legalisht, dhe qindra milionë tjerë duke i mundësuar kontrabandë. Pra shpenzimet e fushatës shfarosëse populli i Kosovës ia ka kompensuar shumëfish. Ajo që qeveritë kaherë është dashur ta bëjnë është jo taksimi 100% por ndalesa e plotë e mallrave serbe dhe aplikimi i politikave të reciprocitetit në të gjitha aspektet ndaj shtetit armik, shoqëruar me kërkesën për reparacion të dëmeve të fushatës gjenocidale të fundit -1998/99. Përgjigja e qeverisë aktuale por edhe e cilësdo qeveri kosovare kundrejt presioneve proserbe nga europianët dhe amerikanët duhet të jetë mospurtekja. Kosova deri më tani asnjëherë nuk u ka thënë “jo” presioneve të këtilla dhe kjo vetëm sa e ka trimëruar Serbinë kurse Kosovës jo vetëm që ia ka pamundësuar kompletimin e shtetësisë, por edhe e ka kthyer këtë proces prapa. Nga nënshtrimi i qeverive kosovare nën presionet euro-amerikane për koncesione ndaj armikut, Serbia ka realizuar një mori beneficionesh në raport me BE-në, kurse Kosova e ka marrë veq MSA-në dhe njëkohësisht edhe Gjykatën Speciale për UÇK-në. Tani Serbia ndodhet nën presionin e kohës, sepse, marrë parasysh rrethanat, don t’i thyejë rekordet në procesin e integrimeve europiane – e them kështu sepse një shtet fashist i mbushur me varreza masive s’do të duhej ta kishte fare një ofertë të tillë; kurse Kosovës i kërkohet t’ia mundësojë atë rezultat”, shprehet Vokrri.

Më tej, ai është i idesë se masa duhet të vijojë të mbetet në fuqi.  

“Gjykoj se Kosova duhet jo veç ta avansojë taksën 100%-she në ndalesë të plotë të mallrave serbe dhe reciprocitet të gjithanshëm, por edhe t’i ndërprejë negociatat të cilat Serbisë po ia shtrojnë udhën për express-integrim në BE, e kjo të jetë edhe përgjigjja ndaj presioneve të administratës së Trump-it dhe të burokratëve si Mogherini”, përfundon Arbër Vokrri.

Edhe opinionisti tjetër, Albinot Maloku, mban të njëjtin qëndrim.

“Insistimi për masa reciproke të Kosovës ndaj Serbisë është i kahmotshëm. Taksa në prodhimet serbe e vendosur nga qeveria Haradinaj, gjithsesi nuk është masë reciproke, mirëpo ishte nga vendimet më të drejta dhe që nisur nga insistimi për reciprocitet, u mirëprit fortë nga gjithsecili që i do të mirën shtetit të Kosovës. Si hap ishte e është fortë i nevojshëm të ngelet në fuqi. Efektet janë që të gjitha pozitive e në favor të Kosovës. Prej provës së parë prej pavarësisë që shteti të faktorizohet e deri te ringitja e vëmendjes për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, shprehet Maloku.

Sipas tij, Haradinaj nuk duhet të tërhiqet, edhe pse këtë po ia kërkon SHBA, për më tepër me gojën e Thaçit.   

“Kjo taksë nuk duhet të hiqet, por duhet që një herë e mirë Kosova të nxjerr vendimet e prera për masa reciproke në të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, pra deri edhe te targat e regjistrimit të veturave. Presioni evropian nuk ka nevojë të përfillet përderisa BE nuk ka përfilluar as një hap të Kosovës e aq më pak bëmat e Serbisë që provojnë shkërmoqjen e shtetsisë së Kosovës. Në këtë rrafsh, kryeministri Haradinaj duhet të vazhdojë me këmbëngulje taksën, por edhe nga populli duhet të ketë qasje të njëjtë ndaj prodhimeve serbe si të qytetarëve të Serbisë ndaj prodhimeve të Kosovës. Në raport me qasjen amerikane ndaj taksës, mendoj se edhe ata mund të kenë ndonjë mendim. Këtë ligjeratën e presidentit Thaçi për miqësinë e përhershme Kosovës-SHBA dhe se duhet t’i jemi mirënjohës përgjithmonë SHBA-ve, e di dhe e ka në zemër çdo qytetar që i ka përjetuar vitet 1998-1999. Ky është një presion i ulët i presidentit Thaçi se gjoja taksa është teke e individëve. Kosova mund të mos e ketë fuqinë por të drejtën e ka në lidhje me çdo masë ndaj Serbisë, e cila pandalshëm po e ofendon edhe gjakun e martirëve e dëshmorëve të Kosovës e lere më shtetin njëdekadësh të Kosovës. Kushdo që do të jetë në krye të qeverisë së Kosovës, duhet të vazhdojë me taksën plus masat tjera reciproke deri në vetëdijësimin e Serbisë se në Kosovë ka shtet dhe qytetari i saj nuk duhet të nëpërkëmbet”, përfundon Maloku. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts