728 x 90 Leaderboard

Premtimi i Salvinit për dëbimin e emigrantëve: praktikisht i pamundur

Zotimi për dëbimin e 500 mijë emigrantëve pa dokumente ishte një hit në fushatën elektorale në Itali, por kritikët vënë në dukje pengesat e mëdha financiare dhe ligjore në përmbushjen e tij.

Më pak se një muaj nga marrja e detyrës, Matteo Salvini ka kapur titujt e parë të medias me ndalimin e anijes që mbartte emigrantët e shpëtuar në det nga hyrja në portet italiane, më pas me kërkesën për census për komunitetin rom dhe me udhëtimin në Tripoli “për të ndihmuar që edhe Libia, ashtu si Italia, të bllokojë migracionin”.

Ministri i Brendshëm italian ka akuzuar shoqatat jo-qeveritare se “po shkaktojnë telashe”duke shpëtuar njerëz në det, i cilësoi raportimet për abuzim të të drejtave të njeriut në qendrat emigratore në Libi si “gënjeshtra”dhe këmbënguli që vendi nuk do të pranojë as edhe një refugjat më shumë duke u zotuar se Italia nuk do të bëhet një “stallë e gjithë Europës”.

Ai nuk ka lënë rast për të treguar angazhimin e tij për të ndalur emigracionin masiv që ndihmoi të sjellë partinë e tij të së djathtës ekstreme e ksenofobe, Lega në pushtet. Por premtimi i tij elektoral, ligjërisht kompleks dhe tepër i kushtueshëm, për të dërguar në shtëpi 500 mijë emigrantë të paligjshëm që ndodhen tashmë në Itali, nuk do të jetë aq i lehtë për t’u mbajtur.

“Praktikisht është e pamundur”, thotë Sergio Bontempelli, aktivist i të drejtave të emigrantëve. “Por ka ndodhur prej vitesh – një politikan vjen thotë ‘do i nisim të gjithë në shtëpi’, por janë vetëm fjalë, që njerëzit për fat të keq i besojnë”.

Bontempelli i krahason taktikat e fushatës elektorale të Salvinit me ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili u zotua të ngrejë një mur në kufirin me Meksikën për të mbajtur larg emigrantët dhe se do ta detyronte Meksikën të paguante për këtë mur.

“Fjalët kanë shumë rëndësi. Ato nuk prodhojnë asgjë të ngjashëm me depërtimin, por ato prodhojnë shumë në nxitjen e urrejtjes dhe dhunës”, thotë aktivisti.

Sfida mund të jetë gjigante, por Salvini tashmë ka sinjalizuar se ai është i vendosur të veprojë në mbajtje të premtimeve që u ka bërë votuesve. Muajin e kaluar, ai bllokoi mbërritjen e mbi 600 emigrantëve që ishin në bordin e anijes së shpëtimit, “Aquarius” dhe ka paralajmëruar të tjerët se nuk janë të mirëpritur. Anija më pas, u ankorua në Spanjë.

Në faqen e Salvinit në “Facebook”, mbështetësit e tij e nxisin me shenjë inkurajimi sa herë ai përsërit zotimin për “t’i hequr qafe”. Por me gjasa, ata do të përfundojnë të zhgënjyer.

Anomalia e parë në retorikën e Salvinit është shifra prej 500 mijë personash.

“Nuk ka asnjë statistikë të besueshme për numrin e njerëzve në vend në këtë kohë që nuk kanë leje të vlefshme qëndrimi”, thotë Christopher Hein, profesor i ligjit dhe politikave emigratore në universitetin Luiss në Romë.

“Ekziston po ashtu përzjerje midis atyre që janë hyrë në territor në mënyrë të paligjshme dhe atyre që kanë hyrë me një viza të vlefshme por që kanë qëndruar më shumë sesa periudha e autorizuar. Kështu, sa kohë që ministri i Brendshëm nuk e tregon burimin e tij, nuk mund të gjykoj. Por ai mund të thojë pa problem edhe 2 milion: cila është e vërteta?”.

Hein tha se një tregues i vagullt sesa shumë emigrantë të paligjshëm mund të jenë në Itali mund të dallohet nga të dhënat mbi numrat e atyre që kanë kërkuar azil. Rreth 130 mijë kanë aplikuar në vitin 2017, me rreth 50 mijë prej tyre të refuzuar.

Sidoqoftë, shumë prej atyre që janë refuzuar fitojnë mbrojtje pas apelimit përmes gjykatës.

Procedura e deportimit në Itali është e rrëmujshme, e kushtueshme dhe për pjesën më të madhe, jo funksionale. Kur një emigrant ilegal merr urdhrin e deportimit, atyre së pari u jepet zgjidhja të rikthehen në shtëpi vullnetarisht, një procedurë që zakonisht organizohet nga shoqatat jo-qeveritare. Por, pak e përdorim këtë opcion, me vetëm 1500 që pritet të kthehen vullnetarisht në vitin 2018.

Nëse ata nuk kthehen në shtëpi vullnetarisht, atyre iu lihet një afat i fundit për t’u larguar nga vendi: nëse nuk e bëjnë këtë, përbën një vepër penale. Në këtë fazë, është po ashtu në dorë të emigrantëve të marrin dokumentet e udhëtimit dhe të financojnë udhëtimin e tyre drejt shtëpisë.

Për emigrantët e mbledhur në një prej pesë qendrave për identifikim dhe dëbim, u takon autoriteteve italiane t’u mundësojnë dokumentet e udhëtimit nga vendet e origjinës – një sfidë shpeshherë e pakalueshme, duke pasur parasysh se në këto vende, shpesh autoritetet përkatëse nuk ekzistojnë ose nuk funksionojnë në mënyrë efikase ose nuk dëshirojnë kthimin pas të qytetarëve të tyre – dhe financimin e kthimit të tyre.

Italia ka marrëveshje bilaterale depërtimi vetëm me Nigerinë, Tunizinë, Gambian, Sudanin dhe Egjiptin. Shkon kundër ligjit të BE-së të kthesh njerëz në vendet në luftë ose ku ata mund t’i nënshtrohen dënimit me vdekje, torturës apo kushteve të tjera jo-njerëzore. Libia e përfshirë nga lufta është pika kryesore e nisjes për emigrantët dhe refugjatët, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Afrika sub-Sahariane që ndërmarrin rrugëtim të rrezikshme duke kaluar detin deri në brigjet jugore të Italisë.

Vitin e kaluar, 31,624 të huaj pa dokumente u pikasën në Itali, nga të cilët u riatdhesuan 6,514 persona, sipas shifrave të ministrisë së Brendshme.

“Dështimi për të bashkëpunuar me vendet e origjinës do të thotë ëq është e pamundur të riatdhesosh një emigrant të parregullt, vetëm nëse ky i fundit zotëron një dokument të vlefshëm identifikimi”, thotë ministria.

Një person mund të mbahet në kampe vetëm për 90 ditë, edhe pse në disa raste qëndrimet zgjasin një vit apo më shumë, me kushtet që kritikohen rregullisht si çnjerëzore. Nëse Italia dështon të deportojë dikë, atëherë e lëshon me një urdhër të largohet nga vendi sipas rregullimeve të veta brenda një jave. Por pjesa më e madhe, thjesht zhduken.

Salvini thotë se ai do të rrisë numrin e qendrave të ndalimit në 20 për çdo rajon italian, në mënyrë që të përshpejtojë dëbimet. Pararendësi i tij bëri një deklaratë të ngjashme vitin e kaluar, por nuk arriti të kishte progres.

Në realitet, këto qendra nuk kanë funksionuar kurrë”, thotë Bontempelli. “Mban njerëzit në një lloj burgu, duke u shkaktuar vuajtje, por si mekanizëm deportimi nuk ka kuptim”.

Pengesa tjetër madhore për planin e Salvinit është kostoja masive. Në krye të kostos së identifikimit, ndalimit, seancave ligjore dhe fluturimeve, secili emigrant i depërtuar duhet të shoqërohet deri tek avioni nga dy oficerë policie me një kosto prej rreth 3 mijë euro.

Riatdhesimi i plotë kushton për një person afërsisht midis 6 mijë dhe 15 mijë eurove.

“Rregullimi i emigrantëve (mundësimi që ata të punojnë) do të ishte shumë më i lirë dhe madje do të lejonte kontribute përmes taksave në sirtarët e shtetit”, thotë Alessandra Ballerini, avokate.

Salvoni thotë se do të përdorë paratë që aktualisht shpenzohen në pritjen e azil-kërkuesve për të paguar depërtimet masive. Ai u tha votuesve që politikat e pritjes të administratave të mëparshme kushtonin 50 miliardë euro.

Një pjesë e kostos së pritjes së emigrantëve mbulohet nga BE. “Por 90 për qind e parave të taksapaguesve italianë do nevojiten për të depërtuar 500 mijë azilantë”, thotë Hein. “Do të jetë e pamundur të thuash ‘ne do të largojmë gjysmë milioni njerëz dhe BE duhet të paguajë për këtë”.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

Related posts