reklama juaj ketu

PRAPASKENAT/ Rama-Basha, orët e dialogut pa fjalë dhe rikthimi i koalicionit Meta-Berisha-Mediu

Ilir Meta ka dhënë një mesazh jo pak të rëndësishëm sot. Ndërkohë që Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë vazhduar takimin e tyre krejtësisht të rezervuar në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta, është ngjitur në ndërtesën Aba Center dhe ka takuar Sali Berishën në një takim në dukje të rastësishëm, por që realisht ka qenë demonstrativ.

Pas takimit, jo menjëherë, por pas dy orësh Ilir Meta ka folur.

Ai ka thënë dy fraza kyçe: “Jam shumë i lumtur që ka pasur një marrëveshje, sipas medias, mes Ramës dhe Bashës. Kjo ka qenë ëndërra ime të ketë një marrëveshje. Shpresojmë të bëhet publike.

 Unë nuk kam qenë negociuesi, por imponuesi i kësaj marrëveshje. Berisha është dobësia ime dhe unë jam i gatshëm ta ndjek gjithmonë”.

Po pse Presidenti i ardhshëm i Republikës takoi ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Sali Berisha.

Ky i fundit ka eksperiencë dhe mund të ndihmojë me eksperiencën e tij në këshilla istitucionale. Por zoti Berisha realisht është palë politike dhe palë e fortë në PD që çdo ditë e tregon në qëndrimet e tij publike kundër Edi Ramës, socialistëve dhe që kërkon një revolucion politik që do të përmbysë këtë qeveri.

Por Sali Berisha është një kundërshtar i një marrëveshje të qëndrueshme PS-PD, siç e ka treguar dhe në verën e vitit të shkuar me rastin e reformës në drejtësi.

Ai është njëkohësisht edhe një kundërshtar i ligjit të vettingut. Kërkon ndryshimin e tij. Berisha ka ndikuar që PD të mos votojë apo të mos ushtrojë të drejtën e 50% të komisioneve të vettingut.

Ilir Meta, nga ana e tij, ka deklaruar në Top Story se “nuk do të ketë dy procese vettingu, por vetëm një sipas institucioneve shqiptare”.

Që u përkthye në atë kohë që nuk do të ketë selektim nga ndërkombëtarët.

Po sot edhe Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane shkoi tek zyra e Berishës dhe pas daljes nga ajo tha se për hir të marrëveshjes ishte anuluar një takim mes atij dhe Lulzim Bashës dhe zv/presidentit amerikan Mike Pence.

Po a mund të imagjinohet se këtë mund ta bëjë një politikan shqiptar që të humbë rastin që takojë Mike Pence pikërisht kur zoti Pence nuk ka kohë as të takojë familjen e tij pasi është 24 orë në 24 në negociata mes Senatit e Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për tërmetin politik që ka shpërthyer sot në SHBA.

Por Mediu tha pasi doli nga zyra e Berishës se ishte shumë skeptik për dialogun Rama-Basha.

“Çdo marrëveshje ka vlerë kur i shërben qytetarëve. Nuk kam idenë se kush mund të jetë data, nëse ka një datë tjetër duhet të ketë një arsyetim logjik. Më thanë që është një marrëveshje e qëndrueshme. Kemi rënë dakord për një takim me aleatët pas përfundimit të takimit të zotit Basha me kryeministrin Rama”, tha Mediu.

Po mirë, pse ata takuan Berishën apo dhanë këtë mesazh pas takimit me Berishën?!

Konkluzioni nxirret nga ajo që vetë marrëveshja Rama-Basha sjell: një process reformash të mëdha që do t’i sigurojë Shqipërisë hyrjen në BE pas një koalicioni të madh politik, i cili do të prodhojë në radhë të parë zbatimin e vettingut, jo thjesht për drejtësinë por në radhë të parë të politikës.

Dhe i gjithë ky process reformash tashmë ka dy aktorë; Edi Rama dhe Lulzim Basha që nuk është çudi që pas zgjedhjeve të jenë edhe partner në një qeveri të “Grosse Koalition”.

Po kush është Angela Merkeli në këtë rast? Eh, kjo varet…

E rëndësishme është të analizosh dy fakte: takimet mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës janë zhvilluar në dy raunde; i pari si në filmat pa zë. Pasi secili shkruante atë që donte të thonte mbi një fletë formati A4 dhe i dyti është zhvilluar mbi parime të përgjithshme.

Ende nuk e di askush se për çfarë kanë negociuar dy liderët kryesorë të politikës. Ndaj kanë ndodhur edhe spekulimet gjatë ditës së sotme. Por ka rënë në sy se zotit Bylylkbashi sot gjatë takimit në Pallatin e Kongreseve nuk i ka punuar celulari. Ka gjithnjë mungesë valësh aty…/tesheshi.com/