728 x 90 Leaderboard

“Pranvera e Pragës”: 50 vjet nga pushtimi sovjetik i Çekosllovakisë, kronikë e shkurtër e medias botërore

Në gusht të vitit 1968, tanket sovjetike hynë në Çekosllovakinë komuniste për të shtypur lëvizjen demokratike të njohur si Pranvera e Pragës.

Ai pushtim ishte ngjarja e dytë pas Hungarisë, ku Moska me forcën ushtarake ndaloi një proces të hapjes ndaj Europës dhe mbajti me dhunë gjysmën e Europës, për 20 vjet të tjera.

Socializmi me një fytyrë njerëzore

“Në orën 23.00 trupat sovjetike, polake, gjermano-lindore, bullgare dhe hungareze kaluan kufirin e Çekosllovakisë”, njoftoi agjencia AFP më 21 gusht 1968, duke cituar Radio Pragën.

Më parë, tensionet u rritën midis udhëheqësit të atëhershëm sovjetik Leonid Brezhnjev dhe qeverisë reformiste që mori pushtetin në Çekosllovaki.

Në janar, sllovaku Aleksander Dubçek zëvendësoi Antony Novotny si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste Çekosllovake dhe në mars President i Republikës u zgjodh Ludvik Svoboda.

Iniciativa e Dubçekut paralajmëroi reforma që kishin për qëllim “socializmin me një fytyrë njerëzore”. Ato përfshinin një ndalim mbi censurën, lirinë e tubimit dhe shoqërimit, dhe reformën e kujdesshme ekonomike. Moska u përgjigj me paralajmërime dhe një ultimatum.

Tanke në qytete

Radio Praga njoftoi në 4:59 të mëngjesit se kryeqyteti dhe pjesa tjetër e vendit ishin të pushtuara.

Moska dhe aleatët e saj komunistë dërguan 200,000 ushtarë në ditën e parë të pushtimit në Çekosllovaki, dhe numri i ushtarëve u rrit në 600,000 më vonë.

Qeveria në Pragë u bëri thirrje qytetarëve që “të qëndrojnë të qetë dhe të mos përdorin armë kundër trupave të huaja”.

Shumë prej tyre e morën vesh për pushtimin përmes valëve të radios.

Forcat sovjetike në Pragë u përqendruan në tre qendra: në selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, në Kështjellën e Pragës dhe në selinë e Radios.

Qindra banorë të kryeqytetit çek u mblodhën përpara godinës së Radios, e cila ishte e rrethuar nga tanket. Ushtarët qëlluan me mitralozë në ndërtesën e saj dhe shtëpitë aty pranë, ndërsa çekosllovakët shpërthyen në thirrje si: “Gestapo” apo “Rroftë Dubçeku.

Në ditët e para të pushtimit, u vranë rreth njëqind njerëz.

U arrestuan krerët

Agjensia ruse e lajmeve TASS njoftoi se ndërhyrja u krye me kërkesë të krerëve të Çekosllovakisë. Historianët më vonë pohuan se ishte Vasil Bilak, një anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Çekosllovake që i vetmi miratoi pushtimin.

Ushtria e Kuqe sovjetike në orët e para të pushtimit arrestoi Dubçekun, kryeministrin Oldrich Cernik dhe të tjerët, duke i marrë në Kremlin më 22 gusht.

Një ditë më vonë ata u bashkuan me një grup tjetër që përfshinte presidentin Svoboda.

Katër ditë pas negociatave, u pa e nevojshme të nënshkruhet Protokolli i Moskës, i cili formalizoi pushtimin sovjetik.

Rezistenca kombëtare

Çekët dhe sllovakët në ndërkohë filluan një rezistencë jo të dhunshme ndaj okupimit. Për të ngatërruar sovjetikët, ata hoqën tabelat e emrave të rrugëve, dhe në fshatra shenjat u vendosën në drejtim të Moskës.

Dymbëdhjetë radiostacione të lira vazhduan transmetimin pavarësisht përpjekjeve nga Moska për t’i shuar ato.

Boritë e makinave, fabrikat dhe këmbanat e kishës vazhduan të bien në mbështetje të Svobodas dhe Dubçekut, kthimi i të cilëve nga Moska ishte duke pritur me padurim.

Në mëngjesin e 27 gushtit Dubçek dhe liria po ktheheshin. Turma të mëdha njerëzish morën rrugën që shpinte nga aeroporti në Kështjellën e Pragës ku u kthye dhe flamuri shtetëror. Por entuziazmi ishte i shkurtër.

Dubçek në fjalën drejtuar kombit vuri në dukje se largimi i pushtuesit ishte kushtëzuar nga normalizimi i situatës.

“Liria do të kufizohet për disa kohë në mënyrë që të lejojë kthimin në normalitet”, shtoi Dubçek nën një zë të thyer, shkruante AFP më pas.

Dubçek u hoq nga posti i liderit të Partisë Komuniste pas një muaji.

Demokracia do të vinte pas revolucionit të kadifenjtë në vitin 1989 dhe katër vjet më vonë shteti u nda në Republikën Çeke dhe Sllovake. /tesheshi.com/

 

Related posts