Auto Dak
Auto Dak

POST-TËRMETI/ Kosova e vogël me zemër të madhe: e gjithë ndihma nga matanë kufirit

Qysh nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, Kosova u aktivizua me gjithë kapacitetet për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit dhe më pas për të ndihmuar financiarisht të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.

Mëngjesi i djeshëm nisi me urdhrin që dha presidenti Hashim Thaçi për të dërguar forca ushtarake matanë kufirit për të asistuar në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat, dhe më pas, shpalljen ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.

Forcat e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me ato të shtetit shqiptar, kryen shumë operacione kërkim-shpëtimi me rezultate shpresëdhënëse, duke shpëtuar jetë njerëzish duke reaguar në “kohën e artë”, pra para 12 orësh.

Por përveç veprimeve të koordinuara nga zyrat e shtetit, organizata të shumta humanitare, parti politike, pushteti lokal, klube sporti, biznese të vogla dhe të mëdha, por edhe individë të shumtë, u gjendën me shpejtësi matanë kufirit për të dalë në ndihmë me të mira materiale dhe gatishmëri të tjera.

Organizata “Jetimët e Ballkanit”, e cila në Kosovë është tejet aktive dhe udhëhiqet nga imami nga Prizreni, Halil Kastrati, është paraqitur në zonën e shkatërruar të Thumanës me kamionë të mbushur me të mira ushqimore dhe higjienike. Organizata madje ka pezulluar aktivitetet në Kosovë duke bartur një pjesë të planeve për ndihmë pikërisht në Thumanë.

Edhe  Vetëvendosje, e cila njihet për “afeksionin” e bashkimit kombëtar, gjatë ditës së djeshme ka organizuar mbledhje të fondeve dhe të mirave materiale në secilën pikë të Lëvizjes, duke sjellë më pas në Durrës dhe Thumanë batanije, ushqim dhe mjete bazike.

Edhe klubi sportiv “Plisat” u gjendën duke ndihmuar me ushqime dhe rroba, por edhe duke marrë me vete për strehim banorë të Durrësit që kishin mbetur pa kulm mbi kokë.

Edhe biznese të shumta kanë dërguar kamionë me ndihma bazike dhe veshmbathje, duke krijuar kolonë në kufi.

Një tjetër gatishmëri e shpërndarë gjerësisht në media sociale ka qenë gatishmëria e mjekëve specialist të traumës dhe ortopedisë për të ofruar ndihmë në trajtimin e të lënduarve, duke kujtuar se numri i madh i personave me thyerje kockash mund të jetë vështire i menaxhueshëm.

Një numër i madh i përdoruesve të rrjeteve sociale kanë publikuar fotografi me veturat plot ndihma duke pritur në radhë për të paguar taksën në “Rrugën e Kombit”, ku nuk kanë munguar kritikat për mos pezullimin e saj në këto kohëra të jashtëzakonshme.

Madje, në rrjet qarkullojnë edhe shumë postime se ky moment nuk është për t’u lutur për “ata” por për “ne”, gjë që sigurisht që po kalon në një nivel tjetër, nga lutja në veprim. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts