Post-profil: Dritan Prifti, 16 vjet betejë me “vdekjen”

Nga Ylli Pata 

Që prej vitit 2001, kur Dritan Prifti sapo ishte larguar nga detyra e Drejtorit të KESH dhe qeveria e Ilir Metës, ku shërbeu si ministër Shteti, një paralizë e rëndë e goditi pjesërish, si njëra prej simptomat e një sëmundje të rëndë.

Dramë, e cila ju bë lëkura e dytë pas asaj të politikës, ku Dritan Prifti nuk qëndroi asnjë ditë pa u përplasur, përballur dhe luftuar me dikë, ose edhe me këto.

Pikërisht në ato çaste kur sëmundja e rëndë e goditi fuqishëm dhe shumë të njohur i llogarisnin ditët e muajt, Dritan Prifti nisi një betejë “ferri” ndaj Fatos Nanos, kryetarit të asaj kohe të PS-së që kishte futur në qoshe Ilir Metën e fuqishëm dhe të gjithë njerëzit e “rëndë” të qeverisë së tij dhe kupolës së PS-së.

Duke përdorur influencën në prokurori, Nano inicon një hetim ndaj Dritan Priftit për abuzim me fondet e KESH-it, por ish-drejtori i kthehet kryetarit të PS-së me një kundërakuzë të llahtarshme për pastrim parash me një grup të huaj.

Nano, nuk dihet pse por shpejt u tërhoq ndaj luftës me Dritanin dhe prokuroria e mbylli dosjen ndaj tij.

Ilir Meta rikthehet në qeverinë me Fatos Nanos, por Dritan Prifti largohet nga PS i pari.

Më pas Meta largohet nga qeveria dhe bëhet gati për ikjen përfundimtare nga partia, së cilës iu bashkia në vitin 1991.

Fatos Nano nuk e zgjedh Metën e as njerëzit e tij në asnjë forum në kongresin e 2003-shit.

Ish-Kryeministri largohet përfundimisht nga PS dhe formon LSI-në. Por si njeriun kryesor për të mbledhur njerëzit e pakënaqur me Nanon brenda së majtës, por që ruanin respekt për Metën, thirri “lalën” nga Fieri që kishte treguar trimëri më shumë se askush për tu përballur me njeriun më të fuqishëm në vend.

Meta në fillim e mban Dritan Priftin jo në nivelet e larta, pasi kishte Xhufin, Klosin, Brokajn etj, por ishte viti 2009, kur ish-kreu i KESH do të bëhej lojtar kyç në politikë.

Pas një mungese të shkurtër në skenën politike si pasojë e kurimit jashtë shtetit, në vitin 2009, Prifti rikthehet fuqishëm në fushatë, duke u thënë të njohurve të tjerë se tashmë ishte shëruar thuajse plotësisht.

Dritan Prifti shpall i pari koalicionin me Sali Berishën, duke u bërë zëri i Ilir Metës, i cili do të pësonte një shizëm në LSI për lëvizjen që bëri.

Si pasojë e këtij coming uot-i, Prifti u bë ministri thuajse më me shumë peshë në qeverinë e Sali Berishës. Iu dha dikasteri i Energjitikës dhe Ekonomisë.

Në këtë pozicion, Prifti u bë edhe njeriu që më shumë se të tjerët përplasej me Edi Ramën dhe opozitën e majtë të asaj kohe, duke nxjerrë nga goja fjalë nga më të rëndat, por që më vonë tha se i kishte thënë nga nervozizmi.

Nuk qëndroi as edhe një vit ministër kur Ilir Meta i kërkon të largohet. Prifti nuk pranon dhe kreu i LSI-së e shkarkon nga kryesia e LSI-së dhe i kërkon Sali Berishës të vërë ministër vetë atë.

Këtu nisi dhe lufta më e gjatë e Dritan priftit me Ilir Metën, luftë që e bëri deri sa mbylli sytë nga sëmundje që iu rikthye si “papritur”.

Në fakt jo dhe aq papritur, Dritani e dinte vetë se shërimi nuk mund të vinte përfundimisht, por e mbante forca dhe optimizmi.

Pikërisht me Ilir Metën Prifti bëri edhe betejën më të gjatë, ku kulmi arriti me videon e famshme që e kishte filmuar vetën në zyrën e Ministrit të Energjitikës dhe Ekonomisë.

Pikërisht ajo videoja i shkaktoi gjithçka, sepse kundër tij u vu një establishment gjigand i politikës shqiptare.

Të cilin edhe pse u mundua ta përballonte, nuk pati kohë dhe fuqi. Në fushatën e 25 qershorit, ai edhe pse e dinte se sëmundja e rikthyer nuk kishte shpresë, mbështetësve ju tha se do të kthehej shpejt e do të bëhej më mirë… /tesheshi.com/