POST-DORËHEQJA/ Haradinaj, letër popullit të Kosovës: taksa mbetet, ja ku po gabojnë ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas aktit të dorëheqjes, i ka përcjellë një letër të hapur opinionit kosovar.

Në të, përveçse mbron veten nga çdo akuzë, Haradinaj mbron dhe vendimmarrjen nën qeverisjen e tij, sidomos atë mbi taksën ndaj mallrave serbe, duke thënë se ajo do të mbetet në fuqi.

Gjithashtu, Haradinaj rendit disa nga gabimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, të politikës së brendshme gjithashtu, dhe shpreh gadishmërinë për ta qeverisur sërish Kosovën, pasi të ketë përfunduar punë me Specialen, për shkak të së cilës dha dorëheqjen.

 

Letra e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falemnderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci.

Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë.

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes.

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kkosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet.

Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë. Kurrë nuk është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje, e jo ndarja apo Republika e Dodikut.

Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime.

Pas kësaj dorëheqjeje MANDATIN IA KTHEJ POPULLIT. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës.

Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, POPULLIT, ATDHEUT DHE SHTETIT TIM KOSOVËS! Faleminderit.

I juaji,
Ramush Haradinaj. /tesheshi.com/

 

 

 

auto pjese dak

Related posts