Portret / Mehmet Gjata, gjysmë shekulli vetëm në gazetari: pak për veten, shumë për Rilindjen!

Mehmet Gjata, tashmë një nga veteranët e gazetarisë kosovare, për rreth dyzet vjet pune si gazetar, redaktor e kryeredaktor nëpër shtypin kosovar të kohës, evokon për  Portalin TeSheshi ditët e vështira dhe të mira të profesionit. Aktualisht ai punon si kryeredaktor tek revista Ekonomia

Nga: Jeton Llapashtica

Prishtinë – Duart i dridhen nga pak, por jo aq sa t’ia pamundësojnë punën e përditshme në “zanatin” e vetëm që di ta bëjë – gazetarinë. E ndërsa flet për rreth dyzet vjet pune si gazetar, redaktor e kryeredaktor nëpër media të kohës, assesi nuk mund t’i shmanget emocioneve.

Padyshim, bëhet fjalë për një periudhë të rëndësishme të jetës së tij.

Me një zë aq të ulët, sa mezi kuptohet, Mehmet Gjata, fillon rrëfimin për jetën dhe profesionin e tij. Dhe, sado që flet me modesti, ky gazetar nuk mund t’i shmangë momentet më specifike dhe të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar. Por, assesi duke u lavdëruar.

“Mua nuk më pëlqen shumë publiciteti. E dua punën shumë, por jo edhe reklamën”, është fjalia që ai e thotë teksa nisë të tregojë detaje për jetën e tij.

Ai ka lindur në fshatin Bajçinë të Komunës së Podujevës në vitin 1952, ku e ka bërë shkollim fillor, për të vazhduar më pas me gjimnazin në Podujevë, ndërsa studimet në Universitetin e Prishtinës.

Siç kujton edhe vet, fillimisht ishte regjistruar në Fakultetin Teknik të asaj kohe, por, me tu hapur Dega e Gazetarisë, që atëbotë vepronte në kuadër të Fakultetit Juridik, Gjata, do t’i ndërpriste studimet në teknik dhe do ta regjistronte gazetarinë, ku siç e kujton sot, përveç tjerash, do ta ketë profesor edhe shkrimtarin Ramiz Kelmendi, i cili, ligjëronte lëndën e Stilistikës.

“Isha gjenerata e parë e gazetarisë. Studimet i pata përfunduar në vitin 1977. Gjithë jetënm punuar vetëm si gazetar. Në tetor të vitit 1978 pata nis punën në gazetën Rilindja. Pata punuar gjashtë muaj, pastaj në prill të vitit 1979 shkova në shërbimin ushtarak përreth dymbëdhjetë muaj”, thotë ai.

Gazeta Rilindja çdo ditë në Kragujevc!

Në kohën kur ka funksionuar ish-Jugosllavia, të rinjtë nga Kosova kryesisht janë dërguar për shërbim ushtarak nëpër vende jashtë Kosovës.

Asokohe, kishte një praktikë të rregullt, që vendi i punës mos t’i humbë asnjë të punësuari, pavarësisht se do të “mungonte” një vit.

Ndërsa Gjata kishte filluar punën në të përditshmen e parë dhe të vetme shqipe në atë kohë, ftesa për shërbim ushtarak ia kishte ndërprerë punën. Por, assesi nuk kishte qëndruar larg nga “gazeta e tij”.

“Rilindja ka qenë aq e kujdesshme edhe ndaj meje si punëtor fillestar, sa që çdo ditë, në mesditë më ka ardhur gazeta Rilindja në Kragujevc me postë. Në atë kohë ktheheshim në kazermë, ishte koha që i pastronim armët, më vinte edhe e shfletoja shpejt e shpejt. Në Kragujevc kam qenë i vetmi që i ka ardhur gazeta kështu. Stafi menaxhues i gazetës ka qenë aq i kujdesshëm sa që secilit punëtor të saj, ku do ka qenë në shërbim ushtarak, ia ka dërguar gazetën.  Më vinte gazeta e bërë rrotull, që ishte e mbështjellë me një shirit ku shkruante adresa ime në ushtri, Mehmet Gjata, posta ushtarake në Kragujevc. Kështu për një vi të tërë më ka ardhur gazeta dhe mund të them se ndihesha jo pak krenar”, tregon ai.

Në kohën kur ky, tashmë gazetar para pensionimit, kishte nisur karrierën e tij tek Rilindja, kjo gazetë drejtohej nga kryeredaktori, tashmë i ndjerë, Fadil Bujari, të cilin ai e kujton si profesionist të mirë.

“Mua çka më bënë shumë përshtypje, në fakt përshtypje të keqe, është sjellja e shoqërisë ndaj Fadil Bujarit,  se askush nuk e kujton atë. Fadil Bujari gjatë punës së tij, në atë kohë nuk ka qenë lehtë të jesh edhe burrë i mirë edhe kryeredaktor dinjitoz. Unë e konsideroj që ai ka qenë i tillë. Ka qenë nga Prizreni, është mbajtur pak ndoshta si “prizrenali”, mirëpo ai e ka përkthyer komplet Dostojevskin”, kujton ai, duke u shprehur i habitur se si botuesit nga Tirana që pas viteve të demokracisë kanë përkthyer veprat e autorit të njohur rus, jo pak kanë rrahur gjoks se ”janë të parët që e kanë bërë një gjë të tillë”, ndërkohë që përkthimet e Dostojevskit ishin bërë me dekada më parë në Prishtinë dhe pikërisht nga Fadil Bujari, sot pothuaj i harruar. Bujari, në momente vendimtare ka pasur guximin të mbrojë edhe gazetarët.

Mehmet Gjata - foto ridvan slivova (3)

Vitet e vështira në Rilindjen e madhe!

Në Rilindjen e dikurshme, njëri nga rregullat për të nisur punën një gazetar ishte që ai të merret me problemet “elementare” të qytetarit. Kështu kishte ndodhur edhe me Gjatën, i cili, siç tregon vetë, me tu kthyer nga ushtria kishte vazhduar punën në të përditshmen e famshme, duke shkruar raporte për kryeqytetin.

“Në vitin 1981, nuk më kujtohet  muaji, ka ardhur kryeredaktor Maksut Shehu. Për mendimin tim, ai ishte kryeredaktori më i arrirë, më i miri, më profesionisti, më i përkushtuari nga të gjithë kryeredaktorët shqiptarë, këndej dhe andej kufirit. Ka qenë organizues shumë i mirë, ka ardhur direkt nga gazetaria. Në kohën kur ka ardhur kryeredaktor ka qenë korrespondent i Rilindjes në Neë York, Amerikë. Plus ai ka pasur edhe backgrand shkrimtari, sepse merrej edhe me krijimtari letrare. Kishte disa romane për fëmijë dhe për të rritur të botuara ”, kujton ai.

Një detaj interesant që Gjata e kujton është tirazhi jashtëzakonisht i madh i Rilindjes në kohën e Shehut, që dëshmon jo vetëm për interesimin e qytetarëve për të lexuar, por edhe për faktin se çfarë respekti kanë pasur kosovarët për Rilindjen.

“Mesatarisht është botuar një periudhë njëqindmijë deri në njëqindenjëzet mijë ekzemplarë në ditë, në disa vite mesatarja ditore ka qenë shtatëdhjetëmijë kopje kurse, unë e mbajë mend se për një Vit të Ri, një Rilindje festive është shtypur edhe në treqindepesëdhjetë mijë kopje. Kam qenë kujdestar atë ditë në shtypshkronjë me disa kolegë, kur dy rotativat me kapacitet shumë të madh kanë punuar me orë të tëra për ta shtypur këtë tirazh”, thotë ai.

Gjata kujton se ndër gjërat më të vështira të bëhen në kohën e okupimit serb ka qenë puna e gazetarit, siç thotë ai, me ndërgjegje, personalitet dhe profesionalizëm.

“Unë mendoj se, pavarësisht kornizave pak a shumë të përcaktuara nga sistemi, kjo është varur shumë edhe nga personaliteti, edukata dhe arsimimi i gazetarit.  Normalisht, ka pasur gjithmonë censurë dhe më shumë autocensurë”, thotë ai.

Gazetari, që beson se Rilindja e dikurshme ka qenë shkollë për edukimin dhe arsimin e popullatës në atë kohë, kujton se si, ishte përballur me policinë serbe, ngase kishte folur “gjëra që s’bënte të fliten” në atë kohë.

“Periudhë shumë e rëndë për gazetarët shqiptarë të Kosovës, gjithsesi ka qenë periudha pas vitit 1981, e sidomos pas viteve 1985-86 e deri në ditë e luftës, kur gjithanshëm dhe në çdo fushë u shtua ekspansioni serb kundër qenies shqiptare në Kosovë. Në ato vite gazetarët shqiptarë të Kosovës kanë qenë shumë të rrezikuar, të sulmuar dhe të kërcënuar në format më të ndryshme. Më kujtohen si sot, kohët e diferencimit politik që filluan në Rilindje dhe ato mbledhjet që zgjatnin pa fund ku secili nesh ishte direkt dhe indirekt i atakuar nga pushteti i kontrolluar totalisht nga serbët”, thotë ai, duke kujtuar se “patate e nxehtë” kishte qenë mbrojtja e Universitetit të Prishtinës, dhe profesorit Ali Hadri, ndaj të cilit përgatiteshin lloj-lloj skenarësh nga pushteti serb.

Gjata e kujton se si drejtori i dikurshëm i Rilindjes, Asllan Fazliu, i kishte mbledhur në zyrën e tij gazetarët dhe i kishte inkurajuar që të raportojnë, pavarësisht nga vështirësitë, rreziqet dhe sfidat që do t’i kenë në rrugë.

Ai iu kishte kërkuar që të qëndrojnë stoik dhe të raportojmë guximshëm nga mbledhjet difrerencuese  të organizatave themelore te Lidhjes Komuniste në Universitet .

“Dhe, edhe nga distanca kohore e sotme unë mendojë se ne e bëmë këtë”, shprehet ai.

“Më ka ndodhur, sa e mbajë mend, më duket  ka qenë viti 1992, kur kryeredaktor i Rilindjes ishte Xhemail Rexhepi, një nga gazetarët e respektueshëm të Rilindjes. Ai ishte arrestuar si kryeredaktor kur unë isha njëri nga redaktoret në Rilindje, por që atë kohë ajo ishte e mbyllur dhe ne mundoheshim që ta kompensojmë disi këtë mbyllje duke botuar tekstet e Rilindjes në revistat Zëri, Shkëndija, dhe më vonë Bujku, kur në katin e pestë të objektit të Rilindjes erdhën tre veta, dy serbë dhe një shqiptar, zyrtar të SUP-it serb. Pa një vendim dhe pa asnjë sqarim më morën dhe më qitën përpara duke më urdhëruar që tani e tutje të flas vetëm në serbisht. Dhe këta kanë filluar të më rrahin, mund të them mjaft brutalisht që nga moment që më kanë futur në veturën e tyre, gjatë gjitha rrugës dhe gjatë qëndrimit një ditor në lokalet e policisë. Jam rrahur keq vetëm se në përgjigjen në pyetjen e tyre se ku është Xhemail Rexhepi, pra kryeredaktori i Rilindjes, iu  pata thënë pse më pyetni mua kur ju e dini më mirë se unë se ai ndodhe këtu te ju, diku i arrestuar”, kujton ai.

Mehmet Gjata - foto ridvan slivova (1)

Maksut Shehu, kryeredaktori më i miri shqiptar!

Gazetari, që tashmë i ka kaluar të gjashtëdhjetat nuk mund të flas për jetën e tij, e mos ta përmend njeriun, që siç duket ka lënë mbresa të thella tek, ai. Është fjala për Maksut  Shehun.

“Maksut Sheku ka qenë një kryeredaktor, të cilin jo vetëm unë që e kujtoi, por krejt ata që kanë punuar me të e kujtojnë me fjalët më të mira. Ka qenë profesionist i shkëlqyeshëm, njohës i mirë i profesionit edhe i rrethanave, ka ditur të rezistojë në kohët më të vështira, ka ditur t’i mbrojë gazetarët edhe e ka ndarë të mirën e të keqen me gazetarët. Ka menduar gjithmonë edhe për kushtet ekonomike edhe sociale të gazetarit”, thotë ai.

Madje, sipas tij, ai ishte përkushtuar shumë për t’ua zgjidhur çështjen e banimit , sa më shumë gazetarëve, qoftë duke blerë banesa me fondet e Rilindjes, qoftë nëpërmjet kredive për ndërtimin e shtëpive.

“Unë jam njëri nga përfituesit e kredisë. Shtëpinë që e kam sot e kam ndërtuar në tokën që e pata blerë me kreditin e Rilindjes. Ma pati dhënë kredinë pa bërë shumë fjalë, pa procedura të shumta”, thekson ai.

Gjata kujton kur një natë kishte mbetur vonë duke shkruar,  ndërsa, jetonte në Podujevë. E derisa ai e përfundonte punën, shoferi i gazetës i kishte kërkuar që të ngutet ngase rrugët po u bënin të pakalueshme për shkak të acarit e borës.

“I tha shoferit shko ti, dhe më ftoi për kafe. Dolëm bashkë, mendoja se po shkojmë tek kafja ku rrinim ne gazetarët, quhej ‘Alo-alo’. Kur dolëm nga redaksia, tha po shkojmë në Hotel Grand. Aty sapo shkuam foli me recepsionistin, të cilit i kërkoi që të ma siguroi dhomën më të ngrohtë dhe më të mirë që ka hoteli. Kundërshtova boll, por s’kishte shans, kështu që kalova një natë në Hotel Grand”, kujton ai.

Ka ndodhur, kur rajoni i Dukagjinit, e sidomos Gjakova, u bllokua nga të reshurat e mëdha të borës dhe praktikisht ishte e pamundur të arrish në Dukagjin, kryeredaktori Shehu kishte siguruar helikopterin që ta dërgojë ekipin për të raportuar nga Gjakova dhe rajoni i bllokuar.

Shehu, siç thotë ai, ka pasur tipare që duhet t’i ketë çdo kryeredaktor në raport me gazetarë.

“Një kohë të gjatë e kam përcjell Kuvendin Federativ, në kohën më të rëndë për Kosovën, në vitet e sulmeve të tmerrshme të bëra nga Serbia për ta rrënuar autonominë e Kosovës. Mbledhjet janë mbajtur gjithmonë në Beograd, ku në shumë raste kam raportuar edhe nga Kuvendi i Serbisë. Në të shumtën e rasteve kam raportuar direkt pa shkruar fare, unë diktoja  në telefon e daktilografi shkruante në Prishtinë”, kujton ai, duke shtuar se asnjëherë nuk e kishte lënë që të merr rrugën për Beograd pa u interesua se a kam marrë para të mjaftueshme, siç kujton ai, duke e porositur që “të qëndrosh në hotelin më të mirë të kohës, të ushqehesh në restorantet më të mira dhe të ndjehesh i dinjitetshëm në raport me të tjerët.

 

Fundi i Rilindjes dhe “Rilindja” e Bujkut

Ndërkohë që Maksut Shehu e kishte përfunduar mandatin prej katër vjetësh, dhe më vonë në krye të Rilindjes kishin ardhur, siç thotë Gjata, kryeredaktorë dhe drejtorë lojal ndaj pushtetit të atëhershëm. Fundi i viteve tetëdhjeta dhe fillimi i nëntëdhjetave të shekullit të kaluar, do të ishin “të tmerrshme” për gazetarinë kosovare.

“Unë kam punuar në Rilindje deri në mbyllje. E pata përjetuar shumë rëndë mbylljen. Rilindja u patë mbyllë me dhunë dhe nuk ka dalë më. Unë kam qenë aty kur ka ardhur urdhri që të mbyllet. Patën ardhur forcat policore, por më shumë ka dominuar policia civile”, kujton ai, njërën nga ditët më të pakëndshme të jetës së tij.

Gazetari, që sot është kryeredaktor në revistën Ekonomia, thotë se pak ditë pasi ishte mbyllur e përditshmja, që ishte dritarja e vetme informative në Kosovë, ishin mbledhur i tërë stafi dhe kishin diskutuar për hapat e mëtutjeshëm – ku kishin marrë një vendim të rëndësishëm.

Për ta mbajtur të gjallë sa do pak shpresën se kosovarët nuk do të mbesin pa një media të tyre, grupi, pjesë e së cilit ishte edhe Mehmet Gjata të mirëkuptuar nga Revista Zëri, nisën ta botojnë informacionin ditor në këtë të përjavshme, e cila, në fakt, ishte bërë gati-gati e përditshme, ngase, ishte nevojë e kohës që të jepen sa më shumë informata për qytetarët, prandaj, siç kujton ai, pa një dizajn të bukur, pa kushte të mira të punës, megjithatë gazeta që ishte e përjavshme botohej shpesh për cdo ditë e herë herë së paku çdo të tretën ditë të javës.

“Na u mbyll Rilindja, por ne nuk u larguam nga zyra. Ndërkohë, ka qenë një revistë që kushtohej bujqësisë, me emrin Bujku, e regjistruar, por që në vitet e fundit, kur u patë mbyllë Rilindja nuk ka funksionuar. Në atë kohë, jemi orientuar edhe kemi filluar ta nxjerrim Bujkun e përditshëm nga redaksia e Rilindjes, e kemi përdorë komplet teknikën që e kishim të Rilindjes”, thotë gazetari.

 

Rilindja botohet në Tiranë

Ishte viti 1993, ndërkohë gazeta Bujku do të vazhdonte të botohej, ndërsa redaksia e Rilindjes do ta dërgonte Gjatën në Tiranë, ku do ta merrte barrën për krijimin e redaksisë së gazetës Rilindja, e cila më pas do të botohej dhe plasohej gjithandej Shqipërisë dhe në trevat shqiptare në Maqedoni, pra me kryeredaktor Mehmet Gjata.

Në atë kohë, e njëjta gjë bëhej në perëndim, gjegjësisht në Cyrih të Zvicrës, ku gjithashtu ekzistonte redaksia e Rilindjes për diasporë.

“Në kohën kur u botonte Bujku, kemi filluar edhe Rilindjen në perëndim që ishte e përditshme, me materiale nga Kosova të cilat i dërgonim përmes modemit, që ishte sistem i vjetër i postës së sotshme elektronike. Një vjet pas kësaj, filloi botimi i Rilindjes në Tiranë, diku me 13-14 prill 1993. Unë kam qenë me një staf shtatë-tetë veta, fillimisht kemi punuar në lokalet e Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Shqipërisë”, kujton ai, duke shtuar se është përballur me lloj-lloj vështirësish, madje, siç thotë vetë ai, ka pasur ditë kur është ndalë energjia elektrike deri në pesëdhjetë herë në ditë, ndërsa ruajtja e dokumenteve që shkruheshin ka qenë thuajse e pamundur.

Ai kujton se si në atë kohë, kur edhe Shqipëria po përballej me ndryshime rrënjësore – rënien e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë, Rilindja ishte pritur mjaftë mirë.

“Akoma shtypi i shkruar nuk e kishte gjetur veten. Sa më kujtohet mua më 1993 në Tiranë botoheshin si të përditshme vetëm Rilindja Demokratike, një gazetë ditore e filluar të botohet bashkë me lëvizjet e demokracisë dhe Zëri i Popullit, organ i socialistëve shqiptarë, në të kaluarën ishte organ i Partisë së Punës, më vonë pati filluar si e përditshme edhe Koha Jonë. Këto gazeta më 1993 nuk kanë pasur thuajse fare rubrika të ndara, botoheshin gjithsej në tetë faqe dhe në të shumtën tekstet plasoheshin në gazetë vetëm me një titull, pa nëntituj dhe pa mestituj, qoftë gjatësia e një teksti edhe një e më shumë faqe gazete. Në këto gazeta nuk kultivohej thuaja se fare fotografia. Për dallim nga to, Rilindja i kushtonte mjaft kujdes redaktimit të teksteve, fotografisë, gjuhës standarde, nuk ka ndodhë që të bohet një tekst pa iu bërë paraprakisht lektura gjuhësore. Dhe strukturimi i faqeve, përkatësisht ndarjes së rubrikave nga e brendshmja, e jashtmja, e kulturës, sportit, fejtonistikës e të tjera, nuk kishte se si mos të vërehen nga lexuesit shqiptarë, që ishin të shumtë. Rilindja e Tiranës plasohej edhe në viset shqiptare të Maqedonisë)”, thotë ai.

Ish-kryeredaktori i Rilindjes së Tiranës kujton se kanë qenë kushtet ekonomike të mira, , për rrethanat e atëhershme të Shqipërisë, të cilat ia mundësuan Rilindjes që t’i ketë rreth vetës, siç thotë ai, pendët më të njohura të asaj kohe në Shqipëri, si Mero Baze, Sami Neza, Astrit Patozi, Entela Komnino, Xhovalin Kola, Andrea Stefani…

“Sado që të gjithë thuajse  e patën një pedigre profesionale, ata u poqën dhe e perfeksionuan zanatin te Rilindja”, thekson ai, duke kujtuar se si informatat e Rilindjes së Tiranës shkëmbeheshin me Rilindjen në Zvicër dhe Bujkun në Prishtinë. Ishte një “familje” prandaj, secila i dërgonte informata njëra-tjetrës për t’i mbuluar rubrikat “e jashtme”.

Madje, roli i Rilindjes, pothuajse ishte përmbushur, kur duke hapur rubrika të veçanta brenda saj për Shqipërinë, si dhe duke angazhuar korrespondentë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, gjegjësisht duke e përfaqësuar Shqipërinë në faqet e Rilindjes në Tiranë dhe Rilindjes në Zvicër, ishte arritur që t’i “mësojnë” që edhe gazetat e Shqipërisë t’i hapnin rubrikat e veçanta për Kosovën dhe të strukturojnë edhe faqet e tjera të gazetave të tyre.

“Më vonë të përditshmet shqiptare që filluan të lindin si kërpudhat filluan të strukturohen me rubrika, ta kultivojnë fotografinë dhe të plasojnë më shumë informacione dhe tekste të shkurta, duke aplikuat edhe mbitituj, nëntitujt dhe mestituj”, kujton ai.

 

Rikthimi në Prishtinë, sfidat e njëpasnjëshme

Ishte qershori i vitit 1997, Gjata po e përfundonte mandatin katërvjeçar, dhe pastaj së bashku me familjen do të kthehet në Prishtinë, ndërsa gazeta do të dilte në treg deri në vitin 1999.

“Pastaj unë u ktheva në Prishtinë. Kanë qenë ditët të vështira. Tirana ka qenë shumë më e sigurt sesa Prishtina, por unë e përfundova në një farë mënyre misionin edhe u ktheva në redaksi në Prishtinë. Në periudhën kur jam kthyer unë kemi punuar pa paga vetëm që ta nxjerrim gazetën, edhe e kemi nxjerrë. Shtypin na e botofshin pa pare shtypshkronjat e ndryshme private, ose me borxhe”, kujton ai.

Mirëpo, pavarësisht nga kjo, gazeta shpeshherë nuk botohej, dhe atë, për mungesë të letrës, e cila nganjëherë mungonte në shtypshkronjat ku shtypej ajo.

Kështu kishte ndodhur disa herë, ndërsa Gjata e kujton një moment kur  ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, kërkonte që me cdo kusht të dilte gazeta që atë ditë ishte ndërprerë për mungesë letre. Rugova kërkonte duke  insistuar që gazeta të dalë sa më parë.

Ishte pragu i luftës, në fakt, zona të ndryshme të vendit ishin në luftë, ndërsa, gazetarët kosovar nuk po duronin më.

“Në vitin 1999 dhe ne vendosëm dhe e nxorëm Rilindjen, pa pyetur fare autoritet sepse ishte e ndaluar. Njëfarë mënyre ilegalisht e nxirrnim, ishte dymbëdhjetë faqe, nuk dilte në atë formën standarde, por e nxirrnim. Faqet i përgatitnim gjithandej madje edhe nëpër duhane private. Me këtë rast nuk mund pa e përmendur Luan Shllakun, edhe në atë kohë në krye të Soros-it, i cili në fillim të vitit 1999, për rreth 3 javë rresht me gjithë rrezikun e madh na i hapi dyert e mjediseve të veta të punës për ta përgatitur Rilindjen 12 faqesh. Deri 3-4 ditë para se të fillojnë  bombardimet e NATO-s ne e kemi nxjerrë Rilindjen”, shprehet me emocion Gjata.

Siç patë ndodhur me gjysmën e kosovarëve, edhe familja e Mehmet Gjatës do të largohej nga Kosova për në kampet në Maqedoni, nga ku do të shkon në Gjermani deri në futjen e forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Mehmet Gjata - foto ridvan slivova (5)

Karriera e pasluftës: Dita, Zëri, Koha Ditore, Ekonomia

“Në këtë periudhën, korrik 1999 – dhjetor 1999 kam qenë i angazhuar si gazetar në revistën e përjavshme Zëri. Një ditë e takoi të ndjerin Bardh Hamza, më thotë që duam ta bëjmë gazetën Zëri të përditshme dhe më fton të punoi si redaktor. Numri i parë i kësaj të përditshme patë dalë në dhjetor 1999”, tregon ai.

Si do qoftë, siç ndodhë rëndom me njerëzit e medieve – edhe Gjata ishte “përballur” me një ofertë të mirë për atë kohë, të cilës nuk kishte mundur t’i thotë “jo”. Ishte, analisti politik, Belul Beqaj, i cili i kishte bërë ofertë për të punuar si redaktor përgjegjës në gazetën që do ta nxirrte – Dita.

“Në Zëri punova vetëm pesëmbëdhjetë ditë, dhe pastaj shkova tek Dita”, kujton ai. Në këtë vend pune, në mes tjerash, ishte përballur edhe një herë me mbyllje të redaksisë – ndërprerje të botimit për pak kohë. Kësaj radhe, ky veprim kishte ardhur nga policia e Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e njohur si UNMIK, me pretekstin se kjo gazetë kishte nxitur vrasjen e një serbi në banesën e tij në Prishtinë.

Gazeta Dita pas një viti do të mbyllet, ndërsa, Gjata do të rikthehet në Zëri.

“Jo që më pranuan në Zëri, por më ftuan, edhe atë që të nis punën me të njëjtin status që kam pasur, – pra redaktor i ekonomisë. Këtu punova deri në vitin 2009, pastaj në shtator të vitit 2009 kam shkuar tek Koha Ditore, ku kam punuar mbi 4 vjet, pastaj kam mbetur pa punë pesë muaj, dhe tani jam këtu ku jam, kryeredaktor tek revista Ekonomia”, tregon gjashtëdhjetedyvjeçari që, së shpejti do ta ketë datëlindjen e gjashtëdhjetetretë, ndërsa mezi pret të pensionohet.

“Të jem i sinqertë, unë e dua pensionimin”, është përgjigjja e tij, kur të pyetet nëse do të jetë aktiv ose jo pasi të dalë në pension.

“Unë jetoj si kosovarët, si shtresa e mesme e kosovarëve,  jo pa vështirësi, ndonjëherë edhe të mëdha. Me të ardhurat nga profesioni. Profesioni i gazetarisë, tash, pas luftës nuk vlerësohet në Kosovë. Gazetarët e Rilindjes kanë pasur edhe status material shumë të mirë”, përfundon ai.

 

Kujtimet për Ibrahim Rugovën

Gazetari Gjata kujton me respekt presidentin Ibrahim Rugova, kohën kur ai më shumë se politikan ishte shkrimtar dhe studiues.

“Ibrahim Rugovën e kam takuar për herë të parë gjatë udhëtimit për në Beograd, ka qenë kryetar i shoqatës së letrarëve, edhe ka qenë bukur shpesh i ftuar në forume letrare. Në atë kohë ka qenë një autobus, afarist i thoshin, që shkonte nga Prishtina në Beograd direkt pa u ndaluar askund. Unë shkoja si gazetar, dhe gjatë rrugës bisedonim në autobus. Pastaj i kam përcjellë konferencat e tij të shtypit që i mbante të premteve”, kujton ai, duke shtuar se gjatë qëndrimit në Tiranë, shumë herë është takuar me liderin e atëhershëm të kosovarëve teksa ai ka qëndruar në kryeqytetin e Shqipërisë, gjatë shkuarjes dhe kthimit nga vizitat në shtete të shumta të botës. I kujtoj sot këto biseda në Tiranë, që ndonjëherë kanë zgjatur me orë. I kujtoj edhe shumë njerëz-kosovarë, të cilët në Tiranë, në vende publike çirreshin duke e sharë Rugovën, dhe kur ai nisej për të ardhur në Tiranë, pikërisht këta, pa fije turpi dilnin dhe me orë të tëra e pritnin në Qafë Thanë, por edhe te Vila e Enverit ku akomodohej gjithnjë Rugova, për t`u takuar me te.