728 x 90 Leaderboard

Portret / Kush është Visar Ymeri, njeriu që do ta zëvendësojë Albin Kurtin në Vetëvendosje?

Nga Jeton Llapashtica

Njeriu i cili së shpejti do të zyrtarizohet si lideri ri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka “stazh” në këtë parti poaq sa ka edhe vetë lideri në ikje, Albin Kurti.

Sikurse Kurti, fillimisht Visar Ymeri ka qenë pjesë e Lëvizjes KAN – e njohur si Rrjetit për Aksion për Kosovën, rrjet ky që më vonë u shndërrua në Lëvizjen Vetëvendosje.

Dje pas një periudhe jo shumë të gjatë, Ymeri, një figurë që dikur ishte tërësisht e panjohur për publikun, kishte arritur të bëhet ndër personat më të njohur të Lëvizjes Vetëvendosje, krahas Albin Kurtit e Glauk Konjufcës.

Ai ka lindur në vitin 1973, siç shkruan në biografinë e tij, ka ndjekur studimet për Media, Filozofi, Letërsi dhe Politikë në City and Islington College në Londër, për të vazhduar më pas me studimet në Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ndërkaq, para angazhimit të tij të drejtpërdrejt në politikë, për dy vjet  Visar Ymeri ka punuar si gazetar dhe zëvendësredaktor në Koha Vizion. Deri në vitin 2008 ai ka punuar gjithashtu  edhe në Trustin Pensional të Kosovës.

Karriera e tij kishte filluar ta marrë përpjetën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010 – në të cilat Vetëvendosja po merrte pjesë për herë të parë.

Në këto zgjedhje ai kishte marrë 6,892 vota, duke u radhitur i 9-ti në listën e të votuarve të Vetëvendosjes, ku padyshim i pari ishte Albin Kurti 58.467 vota.  Është llogaritur sukses arritja e tij që të bëhet deputet edhe për faktin se lista zgjedhore e Vetëvendosjes ishte bërë duke u bazuar në abc-në, pra, ndërsa Albin Kurti ishte i pari në listë, Ymeri ishte i fundit – numër 106.

Dhe menjëherë pasi ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës, partia e tij ia kishte besuar postin e Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes – që ishte edhe një plus në karrierën e njërit prej deputetëve më shtatgjatë të asaj legjislature.

Gjatë legjislaturës së kaluar, Ymeri ka qenë ndër deputetët më aktiv në Kuvendin e Kosovës, në fakt, nga Instituti Demokratik i Kosovës – që është një organizatë joqeveritare që monitoron Kuvendin e Kosovës, ai  ishte zgjedhur deputeti më aktiv i legjislaturës së fundit.

Mbahet mend, ndër tjera, gjatë mandatit të kaluar legjislativ, një debat goxha i ashpër në mes të tij dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në emisionin Interaktiv të KTV-së, ku Ymeri dukshëm patë dalë më i bindshëm në atë që atëbotë e thoshte.

Ymeri kujtohet edhe për faktin se gjatë legjislaturës së kaluar disa herë ishte përplasur, madje edhe “grushtuar” nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa ai merrte pjesë në demonstrata të ndryshme të thirrura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në opinion, pasardhësi i Albin Kurtit njihet edhe si tezaku, ose djali i tezës së Shpend Ahmetit – kryetarit të Prishtinës. Madje, thuhet se Ymeri ka luajtur rolin kryesor kur Ahmeti kishte aderuar në Vetëvendosje së bashku me kryesinë e partisë së tij – FER, me të cilën nuk pati arritur të futet në Kuvendin e Kosovës.

E gjithë kjo veprimtari e tij ka bërë ai të forcohet brenda partisë edhe më shumë se që vetë kishte besuar. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ai ka dalë të jetë personi i dytë më i votuar në lisën e Vetëvendosjes, duke mbledhë 29,648 vota, përkitazi me Albin Kurtin i cili kishte marrë 63,602 vota.

Si do qoftë, Ymeri në zgjedhjet e fundit ka marrë 22,756 vota më shumë sesa në zgjedhjet paraprake, që do të thotë se pozita e tij në parti është forcuar, ndërsa, sërish iu ka besuar pozita e Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – pozitë kjo nga e cila do të detyrohet të heqë dorë ngase statuti i partisë nuk ua lejon që lideri të ketë edhe një pozitë tjetër në institucione.

Emri i tij pasardhës në krye të Vetëvendosjes ka dalë vetëm pak kohë pasi lideri në ikje i kësaj partie, Albin Kurti, kishte paralajmëruar se do të tërhiqet nga posti i kryetarit të Vetëvendosjes, pavarësisht, se statuti ia lejonte ta drejton partinë edhe për një mandat.

Por, a ishte Ymeri, shpëtimi i Kurtit?

Shumëkush mendon se po!

A u organizua plani “Putin – Medvedev” në Vetëvendosje?

Shumëkush e ka cilësuar si të tillë ikjen e Kurtit dhe ardhjen e Ymerit!

Visar Ymeri është njëri nga personat më të afërt i Kurtit në Vetëvendosje, ndërsa Shpend Ahmeti dhe anëtarët e Vetëvendosjes që kishin ardhur nga partia FER nuk e kanë këtë tretman. Ata shihen si “zbukurues” të partisë, dhe vetëm kaq.

Në ditët e para kur ishte lajmëruar largimi i Kurtit dhe ardhja e Ymerit, shumëkush pat  vlerësuar se Ymeri i ka hyrë garës i nxitur nga Kurti, për t’ia pamundësuar Shpend Ahmetit që ta marrë timonin e partisë.

Më saktësisht, ishte spekuluar se duke u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, po i ndihmon Albin Kurtit që të pushojë tash, mos ta shpenzojë mandatin e fundit që ia lejon statuti dhe të njëjtin ta shpenzojë duke u rikthyer në krye të Vetëvendosjes pasi ta përfundon mandatin Ymeri, dhe në këtë formë t’ia pamundësojë Shpend Ahmetit zgjedhjen e kryetarit të partisë, atëherë kur ai do të jetë i gatshëm për të garuar për kryetar partie. Është e qartë dhe e pritshme që Ahmeti do t’i humb zgjedhjet karshi Kurtit ngase ai nuk e ka as fuqinë dhe as karizmën e Kurtit.

Sidoqoftë, sot nëpër disa degë të Vetëvendosjes nëpër Kosovë, të cilat kjo parti i quan qendra, kanë filluar votimet nga anëtarët e Vetëvendosjes për kryetar të partisë, – proces  ky që nga Albin Kurti cilësohet si kulmi i demokracisë.

Në fletëvotimin ku anëtarët duhet ta rrumbullakësojnë njërin nga emrat për kandidat të Vetëvendosjes mundësia për të gabuar nuk ekziston – aty në fakt është vetëm një emër: Visar Ymeri, me numrin një – pa kundërkandidat!

Zgjedhja e Ymerit në krye të Vetëvendosjes do të zyrtarizohet pas dy ditësh. Kështu do të largohet një lider – Albin Kurti dhe do të vijë Visar Ymeri, i cili bazuar në rezultatin e fundit zgjedhor, kishte rreth tridhjetekatërmijë vota më pak se Kurti. Bazuar në këtë, mbetet të shihet se çfarë të mira do t’i sjellë partisë, lideri i ri!/TeSheshi/

Related posts