Auto Dak
Auto Dak

PORTRET/ Bloomberg për Albin Kurtin: bëri burg e u zhdëp nga serbët, ja ç’përfaqëson kryeministri në pritje i Kosovës

Kur avionët e NATO-s bombarduan forcat serbe 20 vjet më parë për t’i dëbuar ata nga Kosova, Albin Kurti u gjend në një autobus plot me të burgosur të tjerë politik për t’i përdorur si mburojë njerëzore.

Ai u rrah në paraburgim, u dënua për terrorizëm nga një gjykatë serbe dhe u dënua me 15 vjet burg. Në fillim, mendoi se nuk do ta linte kurrë burgun për së gjalli. Por arriti të dalë kur presidenti i atëhershëm Sllobodan Millosheviç u rrëzua në vitin 2001.

Ajo që kishte lënë pas autobusit të kuq ishte krejt ndryshe kur u kthye. Ai e gjeti një Kosovë pa ushtarë serbë, por të mbërthyer në një harresë.

Tani vendi i rëndësishëm strategjik, i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, është në qendër të një lufte për ndikim në Ballkan e kontestuar nga Rusia, e Kina, por e ndarë në mendime sa i përket shteteve të Bashkimit Evropian.

E ardhmja e vendit duket të jetë në duart e të riut me profesion të inxhinierit të informatikës, i cili hoqi flokët e gjata dhe kaçurrele për të zëvendësuar veshjen “hipi” me një kostum e këmishë të bardhë.

Pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji, Kurti mund të caktohet kryeministër brenda pak ditësh, ku detyra e parë e tij është të përpiqet të formojë një qeveri stabile.

Pastaj ai do të duhet të punojë për të normalizuar lidhjet me Serbinë – një kërkesë kryesore për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE. Por për BE-në dhe fqinjët, ai është një zgjedhje e diskutueshme.

Si një i flaktë anti-korrupsion, ai organizoi protesta kundër administratorëve ndërkombëtarë që mbikëqyrnin kalimin e Kosovës nga territori i shkatërruar nga lufta në demokraci.

Në vitin 2007, dy aktivistë nga partia e tij vdiqën dhe dhjetëra u plagosën në një përleshje me policinë e Kombeve të Bashkuara. Kurti, 44 vjeç, ishte vetë i arrestuar dhe i burgosur për nëntë muaj.

Ai është gjithashtu një kritik i ashpër i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi – i cili vjen nga një parti politike rivale – dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiç, duke i quajtur ata “udhëheqës autoritarë”.

Ai i denoncoi ata për përpjekjet për të arritur një marrëveshje të fshehtë pajtimi vitin e kaluar, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në më shumë dhunë në rajonin më të paqëndrueshëm të Evropës.

Gjeneralët e ushtrisë

Vragat e plagëve midis serbëve dhe shumicës shqiptare të Kosovës janë të thella. Lufta e vitit 1998-99 vrau 13.535 njerëz dhe shpërnguli qindra mijëra të tjerë. Tani Kosova njihet nga SHBA dhe shumica e anëtarëve të BE-së. Pesë kombet e bllokut u bashkuan me Rusinë dhe Kinën në anën e Serbisë, e cila refuzon të njohë sovranitetin e Kosovës.

Kjo përbën një pengesë për Kurtin, i cili tani duhet të gjejë një mënyrë të ulet në një tryezë bisedimesh me Thaçin dhe Vuçiç. Gjithashtu, ndryshe nga Thaçi apo ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Kurti nuk ishte luftëtar gueril. Është ironik fakti që ai do të jetë në një tavolinë me rrethin e ngushtë të Millosheviçit, pasi Vuçiç shërbeu si ministri i informacionit në qeverinë Millosheviç.

Kurti ka qenë një kritik i ashpër i bisedimeve të ndërmjetësuara në Bruksel që kur filluan në 2013-tën, duke thënë se ka pak për të negociuar përveç dëmeve të luftës nga Serbia, për të cilën ai thotë se “na ka borxh shumë”.

Deklaratat e tij ishin mjaft të qarta: “asnjë marrëveshje pa dialog. Asnjë dialog me harta. Nuk ka harta me presidentë që duan të sillen si gjeneralë të ushtrisë”, ptha Kurti në njërën nga dy intervistat me Bloomberg.

Pas vitit 2013, kur Thaçi dhe Vuçiç nënshkruan një marrëveshje kornizë që parashikonte njëfarë autonomie për serbët në Kosovë, partia e Kurtit ndërpreu punimet e parlamentit duke vendosur gaz lotsjellës.

Dhënia e territorit

Kur bëhet fjalë për gjeopolitikën, Kurti nuk i ndërron fjalët se kush po shkakton tensione në Ballkan: Është Vladimir Putin.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, ku ai po përdor Serbinë si një instrument”, thotë ai.

Ndërsa ka folur për nevojën për të përparuar me bisedimet, ai thotë se Kosova nuk po nxiton të arrijë marrëveshje. Ai ka dërguar sinjale të përziera se si ndihet tani për një bashkim të mundshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, ide të cilën e ka përdorur për të krijuar identitet politik. Ai mbetet i bindur se nuk duhet të ketë shkëmbime territoresh me Serbinë si pjesë e një marrëveshje të njohjes reciproke.

“Është e gabuar t’i jepet territorit Serbisë’, tha ai në një intervistë në mars. “Ana që humbet luftën duhet të na japë një territor.”

Kurti mendon se BE duhet të hartojë një plan mini Marshall për rajonin ku do të hynin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e bllokut tani.

“BE është shumë e rëndësishme për ne,” tha ai. Nëse të gjashtë vendet nuk bëhen anëtare “kjo do të thotë se ata nuk kanë mësuar asgjë nga historia,” përfundon Kurti. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts