728 x 90 Leaderboard

Policia zbardh dosjen “Mond Bego”: Asnjë urdhërarrest. Udhëtonte pa problem, në Itali e Greqi

Edmond Bego, biznesmeni i arrestuar nga autoritetet greke në Korfuz për llogari të drejtesisë italiane, sipas policisë shqiptare nuk ka patur asnjë problem me drejtësinë, ç’prej kur është liruar me kush në vitin 2011. Duke qenë se emri i tij është shndërruar në çështje politike të ditës, pasi PD pretendon se ka patur mbrojtjen e Ramës, Policia e Shtetit ka sqaruar se për Begon nuk ka patur asnjë udhërarrest, të brendshëm apo ndërkombëtar. Madje bëhet e ditur se si rregullisht udhëtonte, si në Greqi si në Itali, pa kurrfarë problemi.

“Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasi në fjalë ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë. Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, dhe në datë 13 korrik në vitin 2018. Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga PKK Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur.

Pra, për këtë shtetas nuk ka patur asnjë urdhër tjetër ndalimi ndërkombëtar përveç urdhërit të ndalimit të ekzekutuar nga Policia e Shtetit në vitin 2009, që do të vinte në lëvizje Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, apo ndonjë kërkesë nga autoritetet italiane dhe misionet e tyre policore në Tiranë, ndryshe nga sa u deklarua nga subjekti politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aty bëhet e ditur dhe procedura e lirimit të tij atë kohë, jo nga policia por nga gjykata, ndërkohë që në qeverisje ishte opozita e sotme.

“Sqarojmë se më herët, shtetasi Bego është arrestuar në datë 24 dhjetor 2009 në Tiranë për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2009, nga Gjykata e Apelit të Torinos.

Nga Prokuroria e Përgjithshme në datë 11 shkurt 2010 në Policinë e Shtetit ka ardhur kërkesa për njohje e vendimit penal italian nr.1735, datë 22 prill 2008, i formës së prerë të vitit 2009 dhënë nga Gjykata e Apelit Torino, Itali.

Me vendimin nr. 807, datë 15 shtator 2010, Gjykata e Lartë në Shqipëri ka bërë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ka dënuar përfundimisht me 4.4 vite burg këtë shtetas. Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht. Pas këtij vendimi, Policia e Shtetit nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi”, thuhet në sqarim.

Ndërkohë, policia greke vendosi ta mbajë në burg shtetasin Bego, deri në sqarimin e çështjes me palën italiane. /tesheshi.com/  

 

Related posts