reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

“Po, ne mundemi”: fjalimi i fundit i Obamës, thirrje për të mbrojtur Demokracinë në Amerikë

“Po, ne mundemi”, tha ai për herë të fundit. “Po, ne mundemi”. Dhe turma gjëmoi.

Barak obama, djali i një bariu dhish nga Kenia dhe që e përshkroi dikur veten si “djali thatanik me emër qesharak” që u rrit të bëhej presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës, dha fjalimin e lamtumirës.

Por, ndërsa përgjatë tetë vjetëve të shkuar, dukej se nata e lamtumirës do të ishte plot gëzim dhe nostalgji, ajo mori një tonalitet të trishtuar, mbushur me ogure dhe paralajmërime për demokracinë e vendosur nën rrethim.

Obama kishte shpresuar se do ta jepte fjalimin e fundit për t’i kaluar drejtimin tek kolegia demokrate, Hillari Klinton. Por, fitorja tronditëse e Donald Trump ka një element të kërcënimit ekzistencial dhe kërkoi prej tij të pikturonte në një kanavacë më të gjerë. Në fjalimin për  “gjendjen e demokracisë sonë”, ai e përqendroi zjarrin jo tek presidenti i zgjedhur, por tek pakënaqësitë që e prodhuan atë. Në 4300 fjalë ai e përmendi Trumpin me emër vetëm një herë – por përcolli shumë kundër tij me anë të reflektimit.

Obama hodhi poshtë çështjen e një Amerike post-raciale, që doli në modë pas zgjedhjes së tij në vitin 2008, si jo realiste. Ai mbrojti të drejtat e emigrantëve dhe muslimanëve amerikanë. Ai sulmoi ashpër ata që refuzojnë të pranojnë shkencën për ndryshimet klimaterike. Ai paralajmëroi për kërcënimin që përbën “rritja e njëanshmërisë lakuriqe”, ndërsa njerëzit tërhiqen në flluckat e tyre vetë-konfirmuese.

Nuk kishte ndoshta emocionin shpues që mbajnë fjalimet më të mëdha të Obamës. Por, kur erdhi puna tek gruaja e tij, Mishela, që e ka mbështetur gjatë gjithë presidencës, një elegji që nxiti duartrokitjet më të mëdha të natës, ai u përlot.

“Çdo ditë kam mësuar prej jush”, tha Obama për audiencëën. “Ju më bëtë një president më të mirë dhe një burrë më të mirë”.

Përpara se ai të vazhdonte, pati një shpërthim nga audience që kërkonte katër vjet të tjerë për të në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti ngriti dorën dhe u përgjigj: “Nuk mund ta bëjë këtë. Nuk jemi në monarki në fund të fundit”.

“Për dhjetë ditë bota do të jetë dëshmitare e një shenje dalluese të demokracisë sonë”. Kjo nxiti reagime në sallë, por ai vazhdoi: “Transferimi paqësor i pushtetit nga një president i zgjedhur lirisht tek një tjetër”. Pati duartrokitje. “U angazhova tek presidenti Trumo që administrate ime do të sigurojë tranzicionin më të qetë të mundshëm, ashtu si presidenti Bush e mundësoi për mua”.

Për gjatë tetë vjetëve, Obama ka udhëtuar gjithë globin duke punuar në favor të eksperimentit amerikan për demokracinë, duke pranuar se ka të meta por duke këmbëngulur për një bashkim më perfekt. Ai nuk e priste që të përfundonte mandatin e dytë duke u detyruar të mbrojë këtë projekt të madh, pikërisht në tokën e tij.

Demokracia bazohet tek barazia, argumentoi ai, dhe ekonomia po rritet sërish. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. “Pabarazia e dukshme është gjithashtu gërryese e parimeve tona demokratike… një recetë që sjell më shumë cinizëm dhe polarizim të politikave tona”.

Më pas, Obama përcaktoi kërcënimin e dytë ndaj demokracisë. “Ndarjet rracore mbeten një forcë e fuqishme dhe shpesh përçarëse në shoqërinë tonë”.

Demokracia është e kërcënuar kur merret si e mirëqënë, tha Obama, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet amerikane. “Kushtetuta jonë është impresive, një dhuratë e bukur. Por është në të vërtetë, vetëm një copë letre. Nuk ka asnjë fuqi në vetvete”.

Demokracia ka nevojë për ju, iu drejtua ai publikut prej 18 mijë personash në sallë. “Jo vetëm në raste zgjedhjesh, jo vetëm kur interesat tuaja janë në rrezik, por gjatë gjithë jetës suaj. Nëse jeni të lodhur duke debatuar me të huaj në internet, përpiquni të bisedoni me dikë në jetën reale”.

“Nëse diçka duhet të shpëtohet, lidhni këpucët dhe organizohuni. Nëse jeni të pakënaqur me zyrtarët e zgjedhur, merrni nënshkrime dhe garoni për detyrën vete. Ndonjëherë do të humbni… më shumë sesa kjo do të konfirmohet besimi juaj tek Amerika dhe tek amerikanët”.

Fjalimi i fundit i Xhorxh Uashingtonit paralajmëronte për ndasitë mes partive politike. Ai i Duajt Ajzenhauer për rritjen e kompleksit industrial ushtarak.  Ai i Obamës ishte paralajmërim se demokracia mund të jetë në rrezik.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/