reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Platforma e partive shqiptare në Maqedoni, Ramadan Ramadani: pozitive dhe inshallah jo zhgënjyese!

Një prej analistëve më aktiv në Maqedoni, Ramadan Ramadani, e sheh si një arritje të madhe unifikimin e faktorit politik shqiptar, pas së cilës rrodhi dhe një platormë e përbashkët e tyre, e cila do të diktojë zhvillime të mëtejshme politike, ku kryesore mbetet formimi i qeverisë. Në fakt, Ramadani e sheh si bashkërendim e jo unifikim. Por megjithatë i jep një notë pozitive me tej lutet që kjo arritje të mos ketë fatin e Marrëveshjes së Ohrit, me një ….inshallah!   

 

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Pas takimit të liderëve partiakë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, u nënshkrua Deklarata e Përbashkët e partive politike në Maqedoni. Si e vlerësoni këtë hap në shikim të parë?

Ky është një hap i madh për avancimin e artikulimit politik shqiptar në Maqedoni; dhe uroj që të nisë të reflektojë dhe zbatohet menjëherë në qeverinë e ardhshme në Maqedoni.

Si është e mundur që në këtë Deklaratë të mos përfshihet vazhdimi i mandatit të Prokurores Speciale dhe regjistrimi i popullsisë?

PSP përkrahet paqartë që nuk nënkupton domosdoshmërisht se nuk vazhdohet, kurse regjistrimi është një mangësi por ngase është në platforma të  veçanta partiake mund të  kërkohet gjatë negociatave që çdo parti politike do i bëjë në mënyrë të veçantë me bartësin e mandatit. Mosekzistimi i regjistrimit është mangësi pasi me këtë mungesë ushqehen paragjykimet në opinionin maqedonas për atë nëse shqiptarët janë ende mbi 20% që është një perceptim totalisht i jologjiktë pasi më afër janë maqedonasit për humbje të statusit shumicë me mbi 50% se sa shqiptarët. Në fakt sipas regjistrimit të fundit në fillim shekullin në 2002 shqiptarët ishin 25.7 përqind që është një e katërta më shumë se njëzetpërqindëshi kurse maqedonasit vetëm një të gjashtën larg nga 50 %.

Nga ana tjetër, si një ndër pikat kryesore e kësaj deklarate është arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.  Thirrja në këtë marrëveshje pas 15 vitesh nga nënshkrimi i saj, e cila në fakt duhej të implementohet brenda 4 vitesh, a nënkupton se BDI ka dështuar si bartëse e legjitimitetit të popullit në mos implementimin e saj as 25 përqind?

Marrvëveshja e Ohrit nuk qe e parapame të realizohet në përqindje, por me afate konkrete dhe BDI si bartëse kryesore e saj gjatë gjithë kohës është përgjegjëse për këtë dështim.

Unifikimi eventual i partive politike për të ardhmen, a parasheh falje dhe harresë për të kaluarën e qeverisjes së BDI-së?

Jo. Siç u tha edhe nga koalicionet tjera, kjo nuk është asnjë lloj unifikimi por një lloj bashkërendim për një paltformë afatgjate.

Më shumë jeni optimist në zbatimin e plotë të Deklaratës së përbashkët nga partitë politike, apo jeni skeptik se edhe ky dokument do ta ketë fatin e njëjtë si Marrëveshja e Ohrit.

Inshalla jo, pasi në këtë rast kemi edhe eksperiencën e hidhur të MKO-së por edhe të Këshilllit Mbipartiak të partive në vitin 2002. Besoj që pas dy këtyre përvojave është marrë mësim në drejtimin e duhur që mos përjetojë edhe kjo platformë të njëjtin fat të parakalimit të saj me truqe politiko-partiake.

Dhe në fund, pse liderët politik shqiptarë gjithmonë vuajnë nga kompleksi i bashkimit me vetiniciativë të tyre, dhe gjithmonë duhet të ketë ndërmjetësues?

Në rastin tonë pas aq përçarjeve të mëdha në kampanjë zgjedhore para dhe pas saj kjo është normale. Kurse meritat për këtë nuk i shkojnë një ndërmjetësuesi të thejshtë por shtetit shqiptar dhe kryeministrit të saj z. Edi Rama që mundësoi këtë bashkërendim. /tesheshi.com/