728 x 90 Leaderboard

Pija e zezë mikpritëse: udhëtim në vendlindjen e kokrrës së kafesë

Nga kasollet në fshatra të izoluar deri tek kafenetë me internet në kryeqytet, ceremonitë e kafesë janë qendra e jetës sociale dhe mikpritjes në Etiopi, vendlindjen e kafes.

Zemra e shoqërisë etiopiane

“Jepu kafe në filxhanë bambuje”, udhëzon Annaz Haile, matriarkja e familjes, ndërsa miqtë ulen në një ceremoni kafeje që ajo po shtron në kopshtin e shtëpisë së saj. Ndodhemi në Bongan rurale, në zonën malore jugore të rajonit Kafa në Etiopi dhe dielli i paradites djeg përmes reve në qiell.

Miqtë bisedojnë në gjuhën lokale, ndërsa gruaja dhe vajza e saj të cilën ajo e mbikëqyr nga afër, përgatisin kafenë. I zoti i shtëpisë thyen një copë të madhe buke të bërë në shtëpi dhe udhëzon anëtarët më të rinj të familjes ta ndajnë mes vizitorëve.

Frymëmarrje aromatike

Për të përgatitur kafenë, gruaja ka vendosur kokrrat e kafes në një pjatë balte për t’u tharë në diell përpara se të lahen dhe të piqen në një tigan të sheshtë hekuri në zjarr. Secili i ftuar atëherë inkurajohet të marrë frymë duke shijuar aromën që vjen nga kokrrat që piqen. Ato pasi piqen, shtypen në një havan dhe vendosen në jebena, kavanozin tradicional të kafes në Etiopi.

Së bashku me aromën e kokrrave të pjekura, në shumë ceremoni kafeje etiopiane, të ftuarit po ashtu trajtohen edhe me erën e djegies së temjanit. Në ceremonitë që zhvillohen larg natyrës në qytete dhe lagje, shtrohet bar ose kashtë në dysheme – gjë që sjell kujtimet e jetës së fshatit për shumë të pranishëm.

“Ne mësojmë sesi të përgatisim kafenë, që kur jemi nga shtatë vjeç. Nënat tona na mbajnë duart për të pjekur, bluar dhe larë kafenë”, thotë Haile.

Kafeja vjen gjithnjë e para

Edhe pse ky ritual kërkon kohë dhe mund, është e zakonshme për Haile të mbajë ceremoni kafeje tre herë në ditë. “Ne kemi mësuar nga pararendësit tanë që kafeja duhet të jetë gjëja e parë që u shërbehet të ftuarve. Është shenjë respekti”, shpjegon ajo.

“Nuk është një detyrim, është kultura jonë”, thotë Haile me krenari, duke theksuar rëndësinë e traditave sociale në komunitetin etiopian. “Të ftuarit tanë ndjehen mirë për shkak të erës së tymit të kafesë, dhe për shkak se ata nisin të bisedojnë me njëri-tjetrin”.

Të rejat më të fundit

Gjatë një ceremonie kafeje, çështjet e ditës diskutohen nga miqtë dhe mikpritësi. “Nëse ndihet nevoja për ndihmë në fermë ditën që pason, në ceremoninë e kafes, një fqinj do të kërkojë ndihmë të tjerëve”, shpjegon Haile

Vajza e saj, Asayech qesh duke i kujtuar së ëmës se “në ceremonitë e kafesë, nuk diskutohen vetëm gjërat e mira”. Të dyja shpjegojnë se thashethemet apo lajmet më të fundit shpesh bëhen objekt bisede, të tilla se me kë shoqërohet ndonjë vajzë apo shtatzanitë e padëshiruara.

Kafeja është shtëpia jonë

Ceremonitë e kafes si ajo në shtëpinë e Haile, gjenden pothuajse në çdo rrugë në Etiopi. Por në rajonin Kafa, shtëpi për Haile, kafeja ka edhe më shumë domethënie. Anëtarët e familjes së saj janë fermerë kafeje, dhe Kafa (domethënia gjendet në emër) është vendlindja –dhe shtëpia shpirtërore – e kafesë së egër arabike.

“Kafeja është shtëpia jonë. Toka jonë njihet për të. Ne mbjellim kafe, ne mbledhim kokrrat, ne shesim kafe dhe shpërblehemi prej saj”, thotë Haile.

Kaldi dhe dhitë valltare

Sipas legjendës, një bari i ri dhish e quajtur Kaldi po drejtonte kafshët e saj përmes pyllit të dendur të shiut në Kafa kur ai vuri re që ato po bëheshin të papërmbajtura- gati po vallëzonin. Pasi vëzhgoi më shumë, ai pa se ato po ushqeheshin me kokrra të kuqe nga pemët, dhe kështu që ai provoi disa prej tyre, duke u bashkuar me vallen e dhive.

I mahnitur nga zbulimi i tij, Kaldi i solli kokrrat e kafesë në një manastir të afërt ku praktikohej si murg xhaxhai i tij. “Murgjit i hodhën kokrrat në zjarr për shkak të frikës shpirtërore”, shpjegojnë banorët që mbajnë mend se historia u është treguar nga gjyshërit.

Por, kur murgjit thithën aromën e kafesë së pjekur, ata patën të njëjtën ndjesi si Kaldi dhe ndryshuan mendje, duke menduar për staminën që kjo energji e sapogjetur do të sillte në praktikën e tyre fetare.

“Pasi ndjeu aromën e kokrrave të kafesë në zjarr, nëna e Kaldit i hoqi kokrrat nga zjarri dhe i vendosi ato në ujë për t’u ftohur. Kjo solli një aromë të re dhe ata nisën të shijojnë kokrrat. Kjo ishte edhe nisja e udhëtimit tonë të pirjes së kafesë dhe ceremonive të kafesë”, tregojnë banorët.

Vendlindja e kafesë

Sot, një pjesë e vendasve punojnë në rezervatin e Kafës për të mbrojtur pyjet autoktone të kafesë në Etiopi, ku bimët rriten natyralisht. “Pylli është shtëpia ime, jeta ime dhe çdo gjë imja”, thotë një banor, duke ftuar vizitorët drejt një pylli me një gjelbërim të fortë, të lagësht e me një bimësi të harlisur, të cilit ai i ka dedikuar jetën për ta mbrojtur.

“Pyjet tona të kafesë janë një dhuratë për botën, ndërsa komuniteti global konsumon dhe e shijon kafenë”, thotë ai me një buzëqeshje, duke shtuar se në një ditë të vrullshme, ai pi deri në 14 kafe.

Një kopsht Edeni

Në këtë “kopsht të Edenit” në lartësi të mëdha për rritësit e kafes, kokrrat e kafesë nga bimët e egra bien në tokë, shpërthejnë dhe rriten drejt, sipas ciklit të tyre natyral – një fenomen mjaft i rrallë.

Më shumë se 5 mijë lloje kafesh janë gjetur në pyjet e shiut në Kafa. Por, ashtu si shumë pyje të tjera indigjene në botë, pyjet Mankira janë në rrezik zhdukjeje. Sipas UNESCO-s, 40 vjet më parë pylli mbulonte 40 për qind të sipërfaqes së tokës etiopiane – sot mbulon vetëm 3 për qind.

Babai i pyllit të kafesë

Poshtë gjetheve të një peme të lartë, gjejmë Ëoldegiorgis Shaëo, një të moshuar vendas. “Kjo pemë është babai i bimëve të kafesë për shkak se u jep atyre hijen e duhur”, thotë duke shtuar se edhe ai vetë e përdor pyllin për të gjetur hije për veten dhe kafshët e tij. “E trashëgova të drejtën për t’u kujdesur dhe për të vjelë bimët e kafesë në këtë pyll nga stërgjyshërit e mi”.

“Nëse pema më e lartë në pyll është babai, cila do të jenë nëna”. I moshuari i drejton me krenari vizitorët në pyllin e tij drejt asaj që banorët vendas e kanë cilësuar si “pema nënë e kafesë”- më e vjetra në pyllin Mankira – për shkak se besojnë se ajo u ka dhënë jetë gjithë pemëve të kafesë në pyll dhe ndaj edhe quhet si vendi i lindjes së kokrrës së kafesë.

Tradita që nuk zbehet

Tradita etiopiane e ceremonive të kafesë nuk shfaq shenja zbehjeje. Në fshat, banorët tregojnë se organizojnë të njëjtën ceremoni kafeje edhe në shtëpitë e tyre. Edhe vajza e shtëpisë, Asayech thotë se do të organizojë të njëjtat rite kur të ketë shtëpinë e saj. “Ne duhet të ndjekim kulturën e paraardhësve tanë – nuk kam nevojë të krijoj një kulturë të re”.

Ndërkohë që kultura të reja kafeje po zhvillohen edhe në Etiopi – degë të dyqaneve që imitojnë Starbucks të quajtura Kafeja e Kaldit po shtohen në Addis Ababa, për shembull – kafenetë e rrugës si ajo në foto dhe ceremonitë tradicionale mbeten shumë më të zakonshme, madje edhe në kryeqytetin me zhvillim të shpejtë.

Dhe me njerëz të vendosur për të mbrojtur pyjet autoktone të kafesë në Etiopi, shpresa është që kafeja të mund të rritet edhe në shekujt që vijnë – duke furnizuar ata që e pëlqejnë atë brenda dhe jashtë vendit.

“Kur shoh një filiz të ri kafeje, shoh një brez të ri. Është dhuratë nga natyra që na lidh me të kaluarën dhe na drejton në të ardhmen”.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

 

Related posts