PERSONAZH/ Një hero rrugësh: pastron grafitet e urrejtjes, që të mos fyhet askush (video)

Ishte një ditë e zakonshme për Corey Feische. Me mjetet e tij të pastrimit në bagazh, ai po ngiste kamionin drejt një pike tjetër të punës, kur papritur i ranë në sy dy shenja svastika dhe një “KKK” e ngjyrosur me bojë të fortë në veturën e një transportuesi ushqimesh.

Kaq u desh që ta bindë pronarin që të përdorë mjetet e tij të pastrimit për ta fshirë gjuhën e urrejtjes. Dhjetë minuta punë u deshën, dhe ajo pamje u zhduk përgjithmonë. Ky ishte edhe momenti kur Corey vendosi që kurrë të mos ndaloj së fshiri mesazhet që përcjellin urrejtje.

Puna e asaj dite mund të kishte qenë thjeshtë një punë e mirë, por për Corey Fleischer, ky ishte fillimi i një misioni që do ta zbatonte në qytetin e tij të lindjes, në Montreal të Kanadasë.

Që atëherë, ai ka zhdukur me mijëra grafite në zonat publike ku shihej gjuhë e urrejtjes a mosdurimit. Veprimet e tij u bënë lëvizje e quajtur “Fshirja e Urrejtjes” dhe u zgjeruan edhe në Toronto. Duke filluar nga gjuha islamofobe, racizmi dhe antisemitizmi, Fleischer shënjestron me mjetet e pastrimit “atë që fyen njerëzillëkun”.

Fleischer tregon se në momentin e parë kur fshiu grafitin e urrejtjes, ndjeu eufori.

“Nuk dija gjë, por këmbët më çonin nëpër gjithë rrugët e Montrealit ku syri pengohej nga gjuha e urrejtjes, dhe kështu për pesë vite, s’kam lënë mur pa pastruar nga ajo që fyen njerëzit”, tregon Fleischer.

Pasi prezantoi punën e tij në mediat sociale, Fleischer thotë se “e gjithë jeta i ka ndryshuar”.

“Dikur isha vetëm unë që endesha nëpër qytet për të gjetur krimet e urrejtjes dhe për t’i zhdukur, por tani jemi dhjetëra që e bëjmë këtë gjest në saje të lëvizjes ‘Fshirja e Urrejtjes’”, tregon Fleischer.

Ai thotë se ka marrë nismën për të edukuar qytetarët lidhur me atë se shërbimet e tij janë të qasshme dhe pa pagesë.

Fleischer thotë se puna e tij nuk përqendrohet te njerëzit që po dëmtojnë pronën publike, por më shumë në ngritjen e vetëdijes për praninë e gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts