Përse Shefqet Krasniqi dhe të ngjashëm si ai duhet të ngrejnë padi ndaj akuzatorëve

Shoqëria kosovare po përjeton një shock këto ditë, që pas publikimit të një aktakuze dalë nga Prokuroria Speciale, në adresë të hoxhës së njohur Shefqet Krasniqi. Ka qenë aq e beftë, aq e paparashikueshme, aq e trashë mbi të gjitha, sa ka mundur të rreshtojë krah klerikut të njohur edhe zëra që nuk e duan, dhe pak rëndësi ka nëse për shkak të besimit të tij apo profilit të tij publik.

Shefqet Krasniqi është një ish-ushtar i UÇK-së. Ai mban titullin doktor dhe është autor i një sërë librash të karakterit fetar e social bashkë.

Nuk është e para herë që instanca shtetërore që merren me ligjin t’i qepen nga pas duke u kapur pas ndonjë fraze të tij, meqë e ka “defektin” e të thënit të asaj çka mendon. Por kësaj here duket loja me të e ka kaluar masën. Vetë aktakuza është denoncuar në media e rrjete nga zëra kompetentë në fushën e juridiksionit, si një idiotësi. Por edhe pa u futur shumë në anale juridike, ajo është lexuar si një veprim i pastër me prapavijë politike a diç tjetër. Dhe është pikërisht kjo e fundit që ka sjellë dhe reagimin e armiqve të tij që i janë shndërruar sakaq në miq.

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë më tutje me të, dhe nëse presioni i madh publik do e detyrojë Prokurorinë që të tërhiqet me lezet nga ajo çfarë ka gatuar; por vetë Krasniqi është në një moment që duhet ta nxjerrë vetë “gomarin nga balta”. Ai duhet që njëherë e mirë t’i japë fund odisesë së akuzave e procedimeve ndaj tij, jo vetëm për vete por dhe për të gjithë ata sishokë klerikë që rrijnë ngrij-shkrij se mos policia u troket befas në derë e u vë prangat, siç ndodhi dhe para më shumë se 2 vjetësh me një numër hoxhallarësh, një pjesë prej tyre po aq të njohur.

Krasniqi duhet t’i kthehet fort shuplakës së radhës që ia japin arsyet okulte nëpërmjet instancave ligjore të përdorura si mashë, duke i dhënë grushtin jo vetëm të mbrojtjes, por dhe të denoncimit, duke zgjedhur ta bëjë këtë nëpërmjet një studioje avokatore të huaj dhe me prestigj, që do ta vendoste me shpatulla për muri akuzën kosovare.

Këtë duhet ta bëjnë dhe ata kolegë të tij që u prangosën pak vite më parë, duke mos u mjaftuar me lirimin pas disa javësh në qeli, si një dhuratë shpirtmadhësie nga një shtet më së paku pa dinjitet. Ata duhet ta mbrojnë nderin dhe dinjitetin jo të vogël që e posedojnë, duke kaluar në pozitë ofensive ndaj gatuesve të akuzave budallaqe, por tejet të liga, me hedhjen në gjyq. Duhet ta bëjnë këtë gjë me patjetër, me çdo mënyrë, këmbënguliësisht për vete dhe për të gjithë atë komunitet besimtarësh dhe jo vetëm, që trazohet sa herë ngjasin proçka të tilla në shoqëri. Ata duhet ta çojnë shtetin e tyre deri të Strasburg në mundshin si zgjidhja më adekuate për t’i thënë stop kësaj maskarade që vijon që prej vitesh.

Si hap i parë, duhet që njerëz pranë hoxhës Shefqet të hapin një xhirollogari, ku çdokush të kontribuojë edhe financiarisht në sigurimin e një fondi që do duhet për pajtimin e një zyre avokatore prestigjoze. Nëse gjithë ajo zemëratë kolektive e shprehur verbalisht, do konvertohej dhe në kontribute financiare, kjo do ishte goditja e parë ndaj atyre segmenteve shtetërore që duan ta çojnë sërish klerikun e njohur pas hekurave, e kohë pas kohe të tjerë si ai. Më pas, pajtimi i një mbrojtjeje që flet anglisht dhe ngritja e një padie, diçka që akuzatorët kurrë nuk e kanë menduar se mund të ndodhë, pikërisht nga fakti se i shohin bashkësitë e besimtarëve dhe klerikët e tyre në pozita inferiore, do i çarmatoste në superioritetin e tyre, që realisht nuk e kanë, porse rrethanat jua diktojnë.

Ka ardhur momenti për ta bërë këtë gjë…./tesheshi.com/

 

 

Related posts