reklama juaj ketu

Përse europianët i janë rikthyer leximit të Cvajgut

Pas një viti, ndër më të zbërdhylurit e shumë vjetëve në Europë, në ajër endet tingulli i bisedave të shumta e plot vrull që risjellin në kujtesë vitet 1930. Lidhjet e besimit midis kombeve janë duke u tensionuar, dhe thënia e vjetër se Bashkimi Europian përparon vetëm në kohë krizash po testohet për të sjellë shkatërrim. Populistët janë në marshim. Britania është duke u larguar. Dhe fqinjët e Europës janë ose duke e kërcënuar atë (Rusia) ose duke i sjellë përmbytje refugjatësh. Një eurokrat i ethshëm së fundmi tha në konfidencë se i druhej një lufte tjetër franko-gjermane.

Kështu, që nuk ka shumë vend për të vrarë mendjen për arsyet përse europianët e ngrysur po nisin të heqin pluhurin nga librat e Stefan Cvajgut të tyre.

Autori pjellor dhe në kohën e vet, shumë popullor, Cvajgu ka botuar shumë tregime, biografi e traktate politike. Ai mishëroi idealet e periudhës midis dy luftërave për  europianin e kultivuar. Një hebre që pa librat e tij tek digjeshin nga nazistët, Cvajgu ishte në azil së pari duke ikur nga shtëpia e vet në Austri në vitin 1934 dhe më pas nga Europa. Por më vonë, ai u eklipsua nga bashkëkohës të tij, si Thomas Mann dhe Joseph Roth.  Por dëshmia e tij për katastrofën e Europës dhe përkushtimi i tij ndaj kauzës së bashkimit të saj, kanë ndihmuar në restaurimin e pëlqimit popullor për të. (Hotel Budapesti, një film i vitit 2014 frymëzuar nga librat e Cvajgut, mund të ketë pasur dorë në këtë rritje të popullaritetit)

Cvajgu kishte neveri estetike për grindjet e shtyrjet e politikës, por apelet e tij për Bashkimin Europian u bënë më urgjente përgjatë viteve 1930 ndërsa kontinenti po drejtohej me kokë në luftë. Kur lufta më në fund mbërriti, Cvajgu nuk mundi të ishte pjesë e shpresës që kishte inkurajuar tek të tjerët.

Në librin “Bota e së Djeshmes”, një ankesë e kompozuar nga fundi i jetës së tij për Vienën kozmopolitane të fund-shekullit të kohës së fëmijërisë së tij, Cvajgu e deklaronte Europën “të humbur” për të, ndërsa ajo shkatërrohet për herë të dytë në të gjallë të tij.

Në vitin 1942, Cvajgu dhe gruaja e tij kryen vetëvrasje në shtëpinë e përshtatur prej tyre në Petropolis, që ndodhej në kodrat sipër Rio de Zhaneiros.

Në një vlerësim të ashpër të Xhon Grej, një kritik i tij, Cvajgu kishte treguar shumë pak kurajo në jetë që vdekja e tij të konsiderohej tragjike. Por nuk mund të fshihet ironia në atë që pasoi. Më pak se një dekadë pas vetëvrasjes së tij, gjashtë vende europiane u morën vesh për të unifikuar prodhimin e tyre të çelikut dhe të qymyrit duke ngritur një klub që më pas do të zhvillohej e rritej në një projekt europian që Cvajgu kishte apeluar shumë kohë që të krijohej. Një organizatë e krijuar mbi themele kaq prozaike, padyshim, nuk do ta kishte ekzaltuar imagjinatën e lartë të shkrimtarit. (Dhe pavarësisht gjithë historisë europiane të mbledhur, Brukseli nuk do të krahasohet kurrë me Vienën e Cvajgut). Por, unioni kërkoi të arrinte bashkimin me mjete burokratike, atë që Cvajgu kishte shpresuar të arrihej përmes arsimimit dhe kulturës: për ta bërë luftën midis Francës dhe Gjermanisë, jo vetëm të pamendueshme, por edhe të pamundur.

Miti themelues që më pas u shndërrua në Bashkimin Europian, ende gjallëron mendjen e liderëve sot. Në një fjalim të fundit, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, vuri në dukje paralajmërimin e Cvajgut se ata që kapen nga ndryshimet historike nuk e vënë re kurrë nisjen e tyre. Tusk duke vajtuar “grackën e fatalizmit” që, argumentoi ai, ka zënë në grackë politikanët e moderuar që përballen me kërcënimin e populizmit. Në kohën e Cvajgut, tha ai, liberalët hiqnin dorë “virtualisht, pa asnjë betejë, madje, edhe kur kishin në dorë gjithë kartat e duhura”.

Politikanë më të vjetër në Bruksel ankohen nga mungesa e vizionit në liderët e sotëm, sikur ringjallja e Kohlit, Miteranit apo Delorit do të ishte mjaftueshëm t’i kthente shëndetin Europës. Por kujtimet e viteve 1940 nuk po zbehen vetëm në kujtesën e politikanëve. Duke e bërë luftën mes anëtarëve të vet të pamiagjinueshme, BE ka prerë vetë mbështetjen për të. Pa një mision të tillë kaq të mirëpritur, disa vënë në dyshim sakrifikimin e sovranitetit që kërkon anëtarësia në union.

Mesazhi i Cvajgut është dyfish joshës. “Ideja Europian”, shkroi Cvajgu, “është fruti i pjekur ngadalë i një mënyre më të lartësuar mendimi”. Shumë në Bruksel e mendojnë këtë frazë të admirueshme.

Por, ashtu si edhe Cvajgu e pohonte, një klub shumëkombësh nuk mund të krijojë dashurinë e qytetarëve siç e bën kombi. Mjekimi që ai ofronte – një kryeqytet europian me rotacion me ngjarje dhe festime për të imituar spektaklet kombëtare – praktikisht u pranua, edhe pse në një formë të holluar.

Por, kryeqyteti europian i Kulturës, siç njihet ndryshe-  nuk ka ngritur ende europianët në ndërgjegjen e lartësuar për të cilën shpresonte Cvajgu. Tërheqja rezistente e aleancave kombëtare ende rezulton mjeti më i mirë i mobilizimit të europianëve për veprim. Nëse ata që ëndërrojnë një supershtet europian federal, ashti si Cvajgu, e kanë humbur debatin, është më mirë të punojnë në terrenin e politikës kombëtare sesa të mëshirojnë idiotësinë e atyre që fituan.

Dhjetë vjet më parë, rreziku për Europën ishte të zhdukje në parëndësi. Që nga atëherë, ritmi i ngjarjeve është shpejtuar dhe rreziku i ç’integrimit është thelluar. BE, institucioni më i veçantë, nuk e ka gjetur ende se si të fermentojë nevojën për një autoritet qendror me energjinë demokratike të një kombi-shtet.

Emergjencat e situatës aktuale e bëjnë këtë detyrë akoma edhe më urgjente. Por sfidat në Europën e sotme, të pasur, të lirë, demokratike e gjerësisht paqësore nuk janë ato të viteve 1930. Cvajgu e nis “Botën e së Djeshmes” me një sugjerim nga Shekspiri: “Përmbushe kohën ashtu si ajo kërkon”. Për këtë, të paktën, kishte të drejtë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/