Përplasje në politikën kosovare për fondet e luftës: ku shkuan 8 milion marka?

Nga Blendi Gashi

Ngjarjet e luftës po përplasin çdo ditë e më shumë ish-protagonistët, tashmë politikanë, të cilët po fajësojnë njëri-tjetrin për shumëçka, qoftë për mospjesëmarrje në të e qoftë për abuzime me fonde luftë.

Një debat i ashpër ka ndodhur edhe në seancën më të  fundit plenare ku për fatin e 8 milion markave janë përplasur Xhavit Haliti i PDK-së dhe Anton Quni i LDK-së (komandat në Koshare).

E gjitha ka nisur pasi Quni në një emision televiziv deklaroi se Haliti ka marrë 8 milion marka nga kolonel Ahmet Krasniqi për për UÇK-në, për çka Haliti ka reaguar ashpër nga foltorja e Kuvendit duke e quajtur Qunin një rrenc.

“Qysh ke rrejt dje publikisht unë e demantova sot publikisht. Nëse ki argument që unë i kam marrë 8 milionë. Duhet ta kesh parasysh se në strukturat politike dhe ushtarake ka pas bashkëpunim me qeverisë së Kosovës dhe UÇK-së. Struktura nuk janë marrë me kalamaj që kanë nejt nëpër therra. Unë veç me Bujar Bukoshin kam fol, pas lufte për ty kam dëgjuar. Nuk është mirë me gënjye opinionin sepse ti s’ke qenë kurrë prezent. Po të them në sallë të Parlamentit se nëse ti ki fakte me ja prezantu opinionit se unë kam marrë 8 milionë (marka) unë jap dorëhqje sot”, deklaroi Haliti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qunit që ka thënë se shifrën e saktë mund ta zbulojë dhe do të publikojë në detaje ditën, datën, shifrën e gjithçka tjetër në lidhje me këto ngjarje të kohës së luftës.

“Kur e kemi diskutuar ligjin për veteranët dhe kur unë e kisha fjalën ndër shumë gjëra që kam potencuar ishte se ju personalisht keni marrë të holla nga Ahmet Krasniqi. Kam thënë se është fjala për një shifër shtatëshifrore. Mbrëmë e kam cek saktësisht. Çfarë ka të keqe nëse ky fond ka qenë për ndihma urgjente për UÇK-në. Nuk ka asgjë sekrete. E kanë fol edhe shumë të tjerë. Edhe shokë tuaj, të idealit, partisë e organizimit. Nëse dëshironi fakte, unë do t’i siguroj. S’jam i sigurt, 6, 7 apo 8, por do t’i siguroj të gjitha faktet që të saktësojnë me ditë, me datë, me ngjarje, me zhvillime, që ju këtë shumë e keni pranuar personalisht me autorizim të Krasniqit”, është shprehur Quni.

Haliti ka marrë sërish fjalën duke thënë se Qunin e ka njohur vetëm pas luftës, ndërsa për marrëveshjet ekonomike ka qenë në njohuri vetëm Bujar Bukoshi, kryeministër i asaj kohe.

“Ke rrejt. Ti s’di asgjë për këtë punë. S’kanë qenë as shokët e tu. Ka qenë prezent Agim Mehmeti, është biseduar me Bujar Bukoshin, e di edhe Isa Mustafa. Ju tjerët ishin ushtarë. Juve ju konvenon të flisni për njerëzit e vdekur të UCK-së, sepse të gjallët s’kanë rëndësi”, tha Haliti.

Mbetet të shihet nëse dy të apostrofuarit, Isa Mustafa e Bujar Bukoshi do të tregojnë se kush i mori 8 milionët nga koloneli i ndjerë Ahmet Krasniqi.

Kujtojmë se së fundmi për ngjarjet e luftës janë përplasur edhe kryeminstri Ramush Haradinaj me deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi se kush ka qenë e kush jo, në frontet e luftës. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts