Përplasja turko-greke, Rusia hyn në lojë si biznes: mirëpret kërkesën e Athinës për armatim

Përplasja më e fundit ndërmjet Greqisë e Qipros greke me Ankaranë po kthehet në një përshesh gjeopolitik që i shërben biznesit më fitimprurës në botë, atij të armatimit.

Siç bën të ditur Sputnik, Moska ka vendosur që të furnizojë me armë Athinë dhe Nikozia-n pas kërkesave të këtyre të fundit.

Portali i Kremlinit i referohet këshilltarit të lartë të Presidentit të Rusisë, Vladimir Kozhin.

“Greqia dhe Qipro janë jo thjesht vende të Bashkimit Europian, por edhe të NATO-s, she sipas konjukturës politike do të duhet të na evitojnë por nuk është kështu.

Ne i kemi dorëzuar Qipros dhe Greqisë sisteme të mbrojtjes ajrore, ndërkohë që të dy vendet kanë dërguar kërkesa të reja”, ka deklaruar zyrtari i lartë rus pa dhënë detaje të tjera.

Kozhin ka shtuar se “kontrata të vogla” po realizohen aktualisht me Bullgarinë dhe Republikën Çeke, si dhe kërkesa të tjera për armë kanë arritur nga Serbia.

Tensionet mes Turqisë, Greqisë dhe Qipros janë rritur pas vendimeve të njëanshme të Athinës dhe Nikozias për të kërkuar naftë në Mesdheun Lindor.

Madje Nikozia miratoi edhe një kontratë me kompaninë italiane të naftës ENI për kërkime në det.

Por Turqia e dëboi sondën italiane,duke demonstruar forcën në det, me anë të një manovre të fuqishme luftarake nga marina ushtarake e saj.

Para pak ditësh, kryeministri turk, Binali Yıldırım takoi në Ankara homologun e Qipros Turke,Tufan Erhurman.

Yıldırım tha se Turqia do të jetë pranë Qipros së Veriut në çdo rast dhe shtoi: “Nëse dëshirohet që në Ishull të vendoset një zgjidhje e përhershme dhe e vazhdueshme atëherë duhet që pala greke e Qipros të jetë e përgatitur mendërisht për këtë”.

Kryeministri turk deklaroi se pretendimet që kërkimet greko-qipriote për naftë në jug të ishullit të Qipros do të mbrohen nga 6 flota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk qëndrojnë.

“Veprimtaritë e njëanshme të filluara prej tyre nuk priten kurrë me pëlqim nga ana jonë. Edhe Republika Turke e Qipros së Veriut nuk e pëlqen këtë. Çdo akt i ngjashëm do të ketë përgjigjen e prerë dhe adekuate të Turqisë”, tha kreu i qeverisë së Ankarasë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se vazhdon procesi ligjor për dy ushtarët grekë të arrestuar pasi shkelën hapësirën ushtarake të Turqisë duke kaluar kufirin më 1 mars dhe reagoi ndaj përpjekjeve të Greqisë për ta çuar çështjen në Bashkimin Evropian.

“Tani është bërë e zakonshme që çdo temë që ka lidhje me Turqinë të çohet në Bashkimin Evropian dhe të merret mbështetje prej tij. Nisma të tilla dhe të ngjashme nuk i çojnë aspak përpara marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian, por as nuk i çojnë prapa”, tha Yildirim. /tesheshi.com/

Related posts