Përplasja e re Rama-Meta, pjesë e luftës së madhe për naftën në Jon: ja prapaskenat dhe skenarët që po luhen

Dita e djeshme ka pasur dy zhvillime të rëndësishme të cilat nuk kanë qenë të rastësishme. Ndërkohë që Edi Rama ka firmosur marrëveshjen për kërkimin e naftës në kufi me Greqinë, Ilir Meta ka ndërmarrë një veprim që bllokon negociatat për kufirin detar po me Greqinë.

Të dyja këto akte kanë një rezultante: naftën; shkakun e një lufte të madhe gjeopolitike që po zhvillohet prej 10 vjetësh në rajon dhe Europë.

Kompanitë e mëdha botërore kanë zbuluar një “rezervuar” gjigand nafte dhe gazi në Mesdheun Lindor, i cili nis nga Joni deri në brigjet turke të Egjeut.

Edhe “imagjinata” e Edi Ramës në Prishtinë, ku “fluturoi” duke projetuar 10-vjeçarin e ardhshëm, nuk është gjë tjetër veçse një plan tashmë i hartuar nga grupe të fuqishme politike dhe ekonomike në këtë pjesë të botës.

Janë profilizuar qartë forcat që po qëndrojnë në terren: një nga këto është Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vendi i të cilit po ndërmerr një strategji ofensive në lidhje me naftën e gazin; dhe nga ana tjetër është Greqia, e cila gjithashtu ka një rol të rëndësishëm gjeopolitik që synon ta shfrytëzojë.

Dje shumëkombëshja ndërkombëtare SHELL ka firmosur një marrëveshje për të bërë kërkimin në Bllokun 4 energjetik të Shqipërisë.

Blloku 4 i lokalizuar në juglindje të vendit kufizohet nga kufiri shtetëror midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është një terren kodrinor-malor dhe maja më  e lartë është ajo e Nemërçkës. Ky bllok është i vetmi ndër 13 që ishin në total për të cilin po finalizohet një marrëveshje.

Qeveria gjatë vitit 2014 dhe 2015 nxori disa herë për shprehje interesi blloqet e lira të naftës, por në shumë pak raste pati interes duke bërë që rishpallja të bëhej një praktikë normale.

Situata nuk u favorizua as nga çmimet e ulëta të naftës në bursë ku shumë prej kompanive u detyruar në atë kohë që të ulnin planet e tyre të investimit si dhe zgjerimin e aktivitetit në zona të reja.

Kompania SHELL është një gjigand botëror dhe nuk ka interes të vijë në Shqipëri, siç ka ardhur fillimisht për zonën e Shpiragut, ku edhe po të ketë naftë apo gaz, nuk i përgjigjen standardeve të shumëkombëshes.

Sikur edhe Patoz-Marinza të jetë në duart e gjigandit holandez, sërish nuk arrin të plotësojë kërkesat apo standardet që kompania përdor në botë.

SHELL futet atëherë kur ka të bëjë me kapacitete shumë të mëdha prodhimi dhe rafinimi të naftës. Përndryshe ajo nuk futet. Siç kanë ndodhur deri tani, në Shqipëri kanë hyrë operatorë të vegjël dhe mesatar, që nuk kanë pjesë e elitës globale të energjisë.

SHELL është njëra prej 4 kompanive më të mëdha në botë dhe ardhja në Shqipëri ka padyshim një interes më të madh sesa shpimi dhe shfrytëzimi i disa puseve lokale. Duke qenë kompani globale, SHELL hyn në ato pjesë ku kryen punime që kalojnë kuftijtë e shteteve.

Në zonën e detit Jon, prej kohësh Italia ka nisur shpimet. Global Petroleum, një prej big-ëve botërore të energjisë ndodhet në zonën e Tarantos në Puglia ku ka nisur prej dy vitesh kërkimet për naftë dhe gaz.

Greqia nga ana tjetër, po para dy vjetësh ka bërë gati letrat që një kompani norvegjeze të nisë shpimet, pikërisht në zonën pranë Korfuzit, aty ku sipas Marrëveshjes së Detit Berisha-Karamanlis, Greqia i ka marrë territor Shqipërisë.

Por qeveria “Rama” nuk lejoi grekët të nisin shpimet pa bërë një marrëveshje.

Në verën e këtij viti, Edi Rama, i cili së bashku me Vuçiç ishin mysafirë të Erdogan në megasamitin e energjisë në Stamboll, deklaroi se Shqipëria hap portat për kompanitë e mëdha, pasi një sasi e madhe nafte e gazi është gjetur në vend.

Një nga këto kompani që kanë trokitur prej vitesh është SHELL-i holandez me patentë, por që është një shumëkombëshe në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

SHELL pritet gjithashtu që të marrë edhe të drejtën e gazifikimit të TAP-it në Shqipëri dhe ta shpërndajë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe të gjithë rajonin.

Ndaj ajo që Edi Rama tha në Kosovë nuk ishte thjesht utopi, por duket më tepër një plan i përgatitur nga qendra pushteti shumë të rëndësishme. Por ky plan kundërshtohet nga një qendër tjetër pushteti, i cili natyrisht ka kundërshtar jo vetëm SHELL-in por edhe pozitën që ky gjigand mund t’i japë Shqipërisë.

Bëhet fjalë për një përplasje gjeopolitike të nivelit shumë të lartë, ku beteja ka dy synime: kush merr në dorë menaxhimin e këtij rezervuari të madh në Mesdhe.

Turqia nga ana e saj vetëm para pak ditësh ndaloi ENI-n italian që të nisë kërkimet në Qipro, duke bërë të ditur se Ankaraja do të jetë aktor kryesor në lojë. Një lojë që duket se përballë Turqisë ka Greqinë, e cila me lidhjet e saj në Shqipëri kërkon të dobësojë rivalin e tij që duket se ka “shpatullat e ngrohta”. Ky rival është Edi Rama, i cili tashmë po e zbaton planin e tij për t’i dhënë shumëkombëshes SHELL “carta biancha”-n e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe gazit në tokë dhe në det.

Deri tani SHELL është instaluar në zonën e Shpiragut, ku ka arritur të gjejë një “damar” të rëndësishëm nafte. Në janar shumëkombëshja holandeze njoftoi nisjen e operacionit për pusin Shpiragu 4. Pusi Shpiragu-4 klasifikohet si një pus i thellë dhe është pusi i katërt që shpohet nga kompania Shell Upstream Albania, pas atyre Shpiragu-2, Molishti-1 dhe Shpiragu-3.

Sot po bëhen edhe më të qarta zhvillimet e mëdha që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kjo zonë është shumë e rëndësishme dhe nuk është rastësi që Benito Musolini, ardhjet më të shpeshta në Shqipëri i ka pasur në zonën e Shpiragut.

Duket se edhe shpërthimi i Luftës Italo-Greke në 1941-shin, që është zhvilluar kryesisht në vendet ku sot po shpon SHELL, nuk kanë pasur fare shkaqet e stërthëna, por thjesht “arin e zi”, që italianët e zbuluan të parët… /tesheshi.com/

 

Related posts