PDK e LDK, bashkë kundër Haradinajt për Demarkacionin: si ia kryqëzuan të përzgjedhurin Bulliqi

Nga Blendi Gashi

 I pëzgjedhuri i Haradinajt për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ish-deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi është kritikuar jo pak nga deputetët në raportimin e bërë të hënën në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit me shtetin malazez.

Kritikat më të mëdha Bulliqit ja adresuan deputetët e PDK-së dhe LDK-së, të cilët hapur shprehën pakënaqësinë me punën e bërë nga komisioni i ri duke treguar hapur se vazhdojnë të kenë një qëndrim ende unik për çështjen e Demarkacionit edhe pse tashmë janë “armiq” pasi nuk ndajnë së bashku tortën e pushtetit.

 

Kritikat e Bulliqit ndaj ish-komisionit “Meha”

Bulliqi, i cili për herë të parë raportoi para deputetëve, tha se komisioni që udhëheq ai po punon në mënyrë efikase që të dalin me rezultate finale, ndërsa kritikoi jashtëzakonisht shumë ish-komisionin “Meha” duke thënë se ka tejkaluar kompetencat e veta, sepse ka qenë i themeluar për demarkimin e jo vijë të re kufitare, dhe se fare nuk ka insistuar në kritere standarde.

Komisioni kosovar shkoi në takim me dy vija kufitare, njëra vijë me 6889 hektarë që duhet t’i kthehen Kosovës, dhe në variantin e dytë me 543 hektarë. Kjo do të thotë se pala kosovare qysh në takimin e dytë e ka pasur të qartë se territori i Kosovës po humbet”, tha ai.

Bulliqi shtoi se komisioni që udhëheq ai është në presion të kohës e mediave, por shtoi se nuk guxojnë të nguten për këtë raport sepse çështja është shumë serioze.

Ai sqaroi se kanë zhvilluar takime pune në Kroaci e Slloveni, me qëllim të sigurimit dhe verifikimit të të dhënave faktografike, konsultimeve dhe shkëmbimeve të përvojave me zyrtarët relevantë të këtyre shteteve.

Bulliqi premtoi se po bëjnë përpjekje që sa ma shpjet t’i bëjmë të ditura këto të gjeturat e t’i dorëzojnë edhe në qeveri.

Jemi shumë afër raportit përfundimtar me të gjitha të gjeturat dhe faktet”, tha Bulliqi, i cili nuk dha një datë finale se kur mund të dorëzojnë në qeveri.

 

PDK e LDK: Asgjë e re nga komisioni i Haradinajt

Ky prezantim i bërë nga Bulliqi fare nuk i kënaqi deputetët, sidomos ata të PDK-së dhe LDK-së të cilët i thanë në sy se nuk dëgjuan asnjë fakt të ri dhe se kanë pritur shumë më tepër nga ai, duke lënë të nënkuptohet se nëse një raport i tillë sillet në Kuvend këto dy parti nuk do japin votën pro.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se ka pritur shumë nga raportimi i komisionit të ri, ngase sipas tij Shpejtim Bulliqi raporti vetëm për punë e ish-komisionit duke këshilluar që me punë e komisionit të merret drejtësia nëse ka nevojë.

Ju z.Bulliqi në atë kohë keni fol si ekspertë e sot kom prit më shumë argumente që na ndihmojnë neve. Unë nuk dëgjova kurgjo ma shumë që keni pas atë vizitën. Mu personalisht nuk kam asnjë emocion për atë komisionin e kaluar e as për juve se na shumica dojn me nxjerr diçka që bë e mbyll këtë proces pa e paragjyko asnjë lloje të rezultatit. Në krejt çka dëgjua këtu ke puna për ish-komisionit e që nëse ka diçka le të merret drejtësia. Ju e dini që argumentet janë politike e na nuk mujna me i anashkalo këto e nuk u lejohet as politikës me luajt me këtij. Nëse nuk keni pas argumente nuk është dashtë me ardhur”, tha Pajaziti.

Kurse deputeti tjetër i PDK-së, Fatmir Xhelili ka thënë se po i vjen  keq që komisioni aktual për shënimin e vijës kufitare kanë ardhur në raport sot të papërgatitur.

Cila është sipërfaqja e territorit të Kosovës”, pyeti Xhelili kryetarin e komisionit Bulliqin.

Kritika për ish-kolegun e tij të partisë dha edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj i cili ashtu si Pajaziti i PDK-së tha se Bulliqi nuk ka thënë asgjë të re lidhur me çështjen e Demarkacionit.

Ai ka thënë se Komisioni duhet të jetë më konkret pasi sipas tij ata si deputetë duhet të kenë rekomandime si të ecin tutje.

Nuk dëgjova asgjë të re, bash asgjë të re… që neve si deputetë na bënë koshient, na bënë një rekomandim që të ecim më tutje. Çka do t’iu themi atyre që kanë vu afat për liberalizim vizash. Ju kisha lutur të jeni më konkret, tepër më konkret”, deklaroi Zemaj.

 

VV e AAK “mbrojnë” Bulliqin, të mos i bëhet presion

Ndërsa PDK e LDK tashmë rivale, por parti në bashkëqeverisje kur u nënshkrua Demarkacioni kritikuan Bulliqin, në mbrojtje siç pritej i doli AAK-ja e Ramushit si dhe Vetëvendosje të cilat kërkuan të mos i bëhet presion komisionit të ri.

Vetëvendosësi Ali Lajçi kërkoi që Komisioni Shtetëror ë vazhdojë punën pa presion.

Leni pallavrat të tanë, se e dime që është prekë territori i Kosovës. Të gjithë keni ba komente kapak, unë po e la kapak, jam dakord shumë strict me qenë. Le të gjejë Komisioni a ka ratifikim të këtij version diku në Kuvendet e Malit të Zi ose Serbisë sepse është shumë me rëndësi. Le të punojë Komisioni, se a është deformue edhe Kadastri që duhet të definohet rreth kufinit. E shohim se edhe kadastri është deform që është shumë e rëndësishme.  Merrni vesh, nuk kemi ba ne këtu shaka. Është material e matjes së Komisionit. Në fund, një Komision i cili është marrë me hapësirën territorial të Republikës, ka gjetë se i mungojnë 2 mijë hektarë në Debëllde. Dhe çka pra? Qysh nuk ka hupë Kosova territor. Edhe me Malin e Zi, ka hupë territor” tha Lajçi.

Kurse deputeti i AAK-së Ahmet Isufi, tha se pret që komisioni i ri të ofroj të dhëna të sakta pa marrë parasysh se sa kohë do t’i marrë kjo.

Kjo çështje sipas tij, nuk është humbje kohe sepse është e natyrshme që shtetet e reja të përballën me probleme të tilla siç është shënimin i vijave kufitare.

Puna juaj është me përgjegjësi sepse ka të bëjë territorin e shtetit tonë, sa për kohën  mos bini pre  ë të nguteni , ndërsa koha të mbetët në ndërgjegjen e komisionit”, tha Isufi.

 

“Dilni me rezultatin final, s’mund ta presim janarin e shkurtin”

Në një vijë me VV-në e AAK-në nuk qëndron deputeti i Alternativa-s Ilir Deda i cili kërkoi që raporti i komisionit të ri të publikohet para muajit janar të vitit të ardhshëm, ngase sipas tij, vedndi nuk ka kohë për të humbur.

Kjo situatë është kundër Kosovës sa i përket çështjes së demarkacionit. Ju sa më shpejt të dilni me raportin përfundimtar. Nuk mund ta presim janarin ose shkurtin e vitit të ardhshëm. Por, kjo nuk do të thotë të punohet shkel e shko. A do të mund që orientimisht ta na tregoni një periudhë kohore, kur ne do të mund ta merrnim raportin e juaj. Nëse zgjatet kjo periudhë, do të ishte mirë të shihemi edhe njëherë këtu në komision, dhe të raportoni për punën tuaj”, tha Dedaj.

Ndërsa deputeti i Nismës, Milaim Zeka, tha se është i vetëdijshëm për presionin që ka Shpejtim Bulliqi, por tha se në bazë të informatave që ka, ka ekzistuar një marrëveshje federative për përcaktimin e kufijve.

Ai tha se nëse ka bërë shkelje kushtetuese ish-komisioni duhet të ndërhyjë edhe Prokuroria.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj sa ishte opozitë bashkë edhe me Vetëvendosjen dhe partnerin e koalicionit të tanishëm Nisma për Kosovën, kundërshtuan versioni aktual të marrëveshjes me shtetin fqinjë nën pretendimet se Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektar nga ky demarkim.

Marrëveshja u nënshkrua më 26 gusht nga atëherë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. /tesheshi.com/