728 x 90 Leaderboard

Pazari i Korçës pronë e kujt ishte?

Nga Vepror Hasani

Pazari i Korçës ishte pronë e Iljaz bej Mirahorit (themelues i qytetit) dhe i myslimanëve të Korçës. Askush tjetër nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, hanesh, kafenesh, restorantesh, furra pjekjesh, sheshesh tregtimi, punishte zejtarish, magazinash etj. Pse ndodhi kështu? Gjithçka sqarohet në vijim, por fillimisht do të bëjmë një shpjegim të shkurtër çfarë përfaqëson Vakëfi.

 

I

Në vitin 1504-1505, Mirahori shpalli vakëf qytetin e Korçës ku jetonin myslimanët dhe fshatin Peskëpi ku jetonin ortodoksët. Të dy vendbanimet ishin prona personale të tij që nga viti 1496. Edhe Pazarin e shpalli Vakëf. Dekreti u firmos nga sulltan Bajaziti II. Vakëfet krijoheshin për qëllime bamirësie të përcaktuara. Të ardhurat shpenzoheshin për të vobektët, foshnjat, të sëmurët, jetimët, gratë e veja, pleqtë e vetmuar, për dhuratat e fëmijëve, për pajat e vajzave jetime, për librat dhe veshjet e nxënësve me rezultate të larta, për konvikte, për dijetarët, për kërkimet shkencore, për njerëzit që nuk lanin dot borxhet, për lirimin e robërve, për strehimin e të varfërve, për ndriçimin e rrugëve, për kurimin e kafshëve dhe shpendëve të sëmura ose të plagosura, për ruajtjen e ambientit, për sigurimin e ujit të pijshëm, për ndërtimin e rrugëve, urave, puseve, haneve, hamameve, karvansarajeve, mysafirhaneve etj. Gjithashtu vakëfet ishin qendra të mëdha punësimi. Njerëzorja ishte shndërruar në ndjenjën më fisnike të kohës. Francezi Comte de Bonneval shprehej i habitur: “Në vendin e osmanëve është e mundur të shohësh edhe turq të çmendur sa për të dhënë para për të paguar punëtorë që të ujisin pemë joprodhuese vetëm që të mos thahen (të mos vuajnë!) nga vapa!” ( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 26)

 

II

Edhe qëllimi i Mirahorit ky ishte: t’u qëndronte njerëzve pranë. Me të ardhurat e Vakëfit u çelën shkolla, biblioteka, spitale, farmaci, qendra sociale (imareti), kuvendi i qytetarëve të Korçës, (i quajtur ndryshe “qoshku”), u sistemua lumi, u ndërtuan çezma, rrugë, sheshe, ura, kalldrëme, mulli pa pagesë, bezisteni, postë-telegrafa, kulla e sahatit, rrobalarësja, prodhimi i sapunit, furra gëlqereje etj. Nëpërmjet vakëfit njerëzit duhej të mësonin se në këtë jetë vlerë ka vetëm mirësia, bamirësia, falja, mëshira, të gjendurit pranë tjetrit kur ai ka nevojë, ndihmë me ç’të mundesh, moslënia vetëm e tij dhe pa shpresë për jetën. Këtë gjë e kishte vërejtur edhe De la Motraye te populli turk: “Tek turqit, edhe sikur dikujt t’i digjet shtëpia e t’i bëhet hi me gjithçka, nuk dëgjohen klithma grash e të qara fëmijësh siç ndodh me popujt e tjerë. Te njerëzit që e kanë humbur në këtë mënyrë tërë kamjen, shihet një nënshtrim dhe dorëzim i plotë tek Zoti. Ndërkaq, populli mirëbërës mbledh ndihma të mjafueshme, disa herë edhe mbi nevojat, për t’ia rindërtuar dhe shtruar shtëpinë familjes së dëmtuar.”( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 32).

 

Për këtë arsye Mirahori e shpalli Pazarin vakëf dhe që nga ai çast ai ishte pronë vetëm e Allahut, që do të thotë pronë e njerëzve në nevojë. “Vakëf” ka kuptimin i palëvizshëm, përjetësisht vakëf; i patjetërsueshëm. Ndaj, vetëm pasi ishin ndihmuar të varfërit dhe ishin bërë punët publike të parashikuara, pjesa e mbetur e të ardhurave, shkonte për ngritje dyqanesh, zejtari, hane etj. Pazari zgjerohej nga viti në vit. Ky ishte rregulli nr.1 i Vakëfit.

 

III

Ligjet për funksionimin e Vakëfeve ishin të rrepta e të shkruara qartë. Ja disa prej tyre:

  1. Vakëfi konsiderohet si pronë vetëm e Allahut dhe nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf.
  2. Vakëfi ngelet përherë i tillë edhe nëse pronari i tij i parë ndryshon mendim.
  3. Vakëfi të mos jetë i përkohshëm por i përhershëm.
  4. Nëse vakëfi shitet, kjo shitje është e pavlefshme.
  5. Të respektohet destinacioni për të cilin ai është lënë vakëf nga pronari i tij i parë, si për shembull për të varfërit apo jetimët etj.

Pra, prej Vakëfit nuk mund të shitej asgjë; as truall, as ndërtesa, pasi kjo gjë me kalimin e kohës  tjetërsonte destinacionin dhe qëllimin e tij. Edhe në rast se shitja ndodhte, ajo ishte e pavlefshme. Pra, në Pazarin e Korçës askush nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, kafenesh, hanesh, magazinash trojesh etj, përveç vakëflënësit Iljaz bej Mirahori, pasardhësve të tij-Mytevelinjve dhe myslimanëve të Korçës.

 

III

Tashmë, pas kësaj hyrjeje të shkurtër, dikush mund të thotë: Nga sa kuptuam më sipër, Vakëfi e kishte tejet të ndaluar të shiste pjesë të pasurisë së vet, atëherë pse myslimanëve u lejohej të blinin troje, bujtina, magazina etj, apo blerjet e tyre nuk e ndryshonin destinacionin e Vakëfit, kurse blerjet e ortodoksëve e tjetërsonin qëllimin bamirës të tij! Përgjigjja: si fshati Peskëpi ku jetonin ortodoksët ashtu edhe qyteti i Korçës ku jetonin myslimanët, u shpallën vakëfe, por Vakëfi nuk cënonte pronën private. Mitropolia kishte pronat e saj dhe shumë prej tyre i shiti për ndërtimin e kishës- Katedrale dhe kishën e Shën Gjergjit, që do të thotë se pronat e saj ruajtën atë pronar që kishin patur edhe pse fshati Peskëpi u shpall vakëf. Edhe banorët ortodoksë nuk i humbën pronat e tyre; ata shitën një pjesë të tyre (ara dhe kopështe) kur ato u bënë shumë të kërkuara nga banorët e fshatrave larg dhe afër Korçës, kurse myslimanët i kishin pronat edhe te pazari i Korçës (sepse jetonin në qytetin e Korçës) dhe me to mund të ngrinin dyqane, hane, kafene, punishte etj.

 

IV

Pyetja e dytë: Po hanin e Elbasanit kush e ngriti? Po të Manastirit, të Trebickës, të Vithkuqit, të Panaritit? Po hanin e Baba Aliut? A nuk ishin këto investime nga vetë pronarët e tyre? Mos vallë manastirjotët, elbasanllinjtë, panaritasit etj kishin patur prona në qytetin e Korçës?! Përgjigjja: Në Vakëf mund të investojë gjithkush që dëshiron, por në asnjë rast nuk mund të bëhet pronar i investimit të tij. Ajo që ndërtohet, i dhurohet Vakëfit; bëhet për bamirësi. Të ardhurat shkojnë për të varfërit dhe për vepra publike. Hanet e përmendura më sipër, nuk ka asnjë dyshim që kanë qenë kontribut i njerëzve nga zonat e përmendura: Manastir, Elbasan, Panarit, Vithkuq etj, por bamirësit e kërkojnë shpërblimin vetëm te Zoti: “Personi, i cili e kthen pasurinë e tij në vakëf, këtë e bën për të arritur shpërblimin e Allahut edhe pas vdekjes së tij.” Në rastë të tilla, hanet kishin statusin e mysafirhaneve ku udhëtarët, haxhinjtë, studentët, banorët e zonave përkatëse e njerëzit në nevojë pushonin falas. Hani i Baba Aliut u vinte në ndihmë besimtarve që vinin në malin e shenjtë të Tomorit ose shkonin drejt Mekës apo në vende të tjera të shenjta.

 

V

Pyetja e tretë: Po dyqanet a mund të jepeshin me qira? Përgjigjja: Dhënia me qira ishte e lejueshme. Vetë vakëfi ishte investim; shfrytëzimi i pasurive të tij nëpërmjet qirave siguronte të ardhura. Qiraja për ndërtesat jepej për një vit, për tokat bujqësore deri në tre vjet. Marrëveshja përsëritej çdo vit. Kontratat shumëvjeçare ishin të palejueshme, pasi ato  çonin në dëmtimin ose asgjësimin e plotë të vakëfit. “Përjashtohen rastet kur këtë e kërkon interesi i ndërtimit të vakëfit, dhe kjo duke marrë paradhënie qiranë e viteve të ardhshme. Në një rast të tillë kontrata e qirasë duhet të ripërsëritet vit për vit”. Qiraja jepej me vlerën e tregut, asnjëherë poshtë saj. Edhe për tokën-vakëf kishte rregulla të përcaktuara deri në detaje. Ajo mund të jepej me qira për një kohë të gjatë, të lihej në dorë të qiramarësit për çfarëdo që do të ndërtonte sipër saj, madje edhe me të drejtën të qëndronte në të dhe të ishte pronë e tij, por vetëm përsa kohë që paguante qiranë dhe kur plotësoheshin këto kushte:

1. Kur vakëfi ishte  prishur dhe nuk përfitohet më prej tij.

  1. Kur administratorët e vakëfit nuk kanë mundësi financiare të investojnë në të.
  2. Kur nuk gjendet kush mund t’i japë administratorëve të vakëfit një borxh të mjaftueshëm për rindërtimin e tij.
  3. Kur nuk është e mundur që ky vakëf të zëvendësohet me një tjetër nga i cili do të merren të ardhura”.

Pra, të ishe pronar në pasurinë e Vakëfit, ishte e pamundur dhe e palejueshme; nëse ndodhte, akti i pronësisë ishte i pavlefshëm. Pronarë të Pazarit të Korçës ishin Mirahorët, pasardhësit e tyre – Mytevelinjtë, dhe myslimanët e Korçës. /tesheshi.com/

 

Shënim: Përsa i përket funksionimit të vakëfeve i jemi referuar artikullit: “Gjykimi fetar për disa çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe investimin e vakëfeve.”

 

 

Related posts