“Pavarësia”, poezia e bujshme por e harruar e Andi Bejtjes: kam lidhur historinë pas një gomari…

Nga Ermir Hoxha

Për ata që nuk e dinë, si dhe për ata që mund ta dinë por e kanë harruar, Andi Bejtja u fut në gazetari duke ardhur nga letërsia e mirëfilltë. Madje për disa vite ai i ushtroi paralel të dyja, duke drejtuar redaksi lajmesh, si dhe revistën letrare “Mehr Licht”, ndër më prestigjozet e pas-viteve ’90 në fushën e letrave.

Në fillimet dhe mesin e atyre viteve, nga pena e Andi Bejtjes do dilte një prej poezive më brilante për kohën, fituese dhe e një çmimi të madh në Amerikë, “Atdhedashuri”.

Ishte një kohë kur dhe jeta kulturore ishte në qendër të interesit publik, shprehur kjo nga fakti se të gjithë gazetat me emër kishin dhe suplementet e tyre letrare, gjë e paimagjinueshme sot, pa llogaritur faqet e kulturës me shumë lexues nga pas. Mjaft të kujtohet AKS-i famshëm i Koha Jonë, drejtuar një kohë dhe nga i ndjeri Teodor Keko, e ku bënte gazetari dhe Sokol Balla, me fillimet si reporter kulture.

Atë botë, “Atdhedashuria” e Andi Bejtjes pati bujën e vet; dhe mjaftojnë vargjet për të kuptuar pse; pse ishte, siç dhe mbetet akoma, kaq epokale. Dhe sot, në Ditën e Pavarësisë, ku shqiptarët anembanë përzhisin shpirtrat në prushin e atdhedashurisë, kjo poezi vjen mjaft kuptimplote.

 

Atdhedashuri

Në  këtë vend ku dembelizmi është virtyt

Ku ka fusha të gjera me vese

Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë

Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe

Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile, po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë

Po unë s’mërzitem

As ofendohem,

Europës nuk i mbaj mëri.

Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin

Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;

Duke mallkuar malet e larta krenarë

Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…

Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.

E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,

Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse

Për të shpallur në paqe e pa bujë

Pavarësinë e Mendjes Time…./tesheshi.com/