Patrick Ekeng, më i fundit futbollist që humb jetën në fushë

Mesfushori kamerunas i Dinamos së Bukureshtit është shembur në fushë vetëm shtatë minuta pasi kishte hyrë në lojë si zëvendësues.

Në takimin e kampionatit rumun mes Dinamos së Bukureshtit dhe Vitorulit, të zhvilluar mbrëmjen e së premtes, 26-vjeçari po qëndronte në stol, për t’u futur në lojë në minutën e 63-të. Minuta e 70-të ka qenë fatale për të. I pangacmuar nga askush, ai është shtrirë për të mos u ngritur më.

Një atak kardiak e ka rrëzuar lojtarin që ka luajtur dhe me kombëtaren e Kamerunit, për t’u dërguar më pas në spital. Nga dhe është dhënë dy orë më pas lajmi i vdekjes, pasi mjekët nuk qenë në gjendje ta mbanin në jetë Ekeng-un.

Ai qe transferuar në janarin e këtij viti te Dinamo e Bukureshtit, si një lojtar i lirë. Kamerunasi ka luajtur1346124 më herët me Kordovën në Spanjë, ndërsa ka kaluar vite të tëra në Francë, nga njëra skuadër në tjetrën.

Drejtori ekzekutiv i skuadrës së njohur rumune do ta përshkruante si makth atë çka kishte ngjarë. “Eshtë një makth. Për mua, për ekipin, dhe për mbështetësit e Dinamos.”

Një tjetër futbollist i Dinamos së Bukureshtit, Catalin Haldan, do të humbte jetën thuajse në të njëjtën mënyrë në fillim të viteve 2000, teksa luante në një ndeshje miqësore.

Klubi i Kordovës do të shprehte po ashtu brengosjen për humbjen e ish-futbollistit të saj: “Nuk ka fjalë për ta shprehur pikëllimin tonë për vdekjen e Patrick Ekeng-ut. Ne vajtojmë humbjen tuaj. Ne kurrë nuk do t’u harrojmë, mik!” /tesheshi.com/

 

Related posts