Patatja e pashitur e Korçës, Rama ofron formulën: të zëvëndësohet me mollë, Kukësi e ka më të mirë

Kryeministri Rama iu është drejtuar fermerëve të Korçës me thirrjen që të mos mbjellin më patate, gjersa ankohen se nuk u shitet.

“Në Korçë ka një problem, ka mbiprodhim të patates, nuk ka treg dhe të gjithë shikojnë nga shteti, a thua se është qeveria që duhet të shkojë t’u blejë patatet. Në një treg të lirë ku ka konkurrencë të hapur dhe nuk mund të shkosh pas berihait, me idenë ta prodhoj njëherë dhe pastaj mesiguri do ta shes.

Ka disa arsye se pse ata që kanë mbjellë patatë në atë zonë duhet të heqin dorë nga mbjellja e patateve dhe nuk duhet të rrinë dhe të mendojnë se patatja nuk u shitet sepse shteti nuk i bën të mundur shitjen e saj.

Ka disa arsye, është një patate e bardhë që së pari është më pak e preferueshme se patatje e verdhë e Kukësit dhe së dyti del kur del patatja e dytë e Divjakës dhe kështu që janë të detyruar ta mbajnë pataten nëpër stoqe. Kështu që çfarë duhet të bëjmë? Duhet të ndërrojnë lojë. Të heqin dorë nga patatja dhe të kalojnë tek pemtaria, tek molla”, tha Rama, gjatë një takimi me studentë të Universitetit Bujqësor.

Ai ndërkohë, u rezervoi dhe një këshillë atyre, se si duhet të sillen me shkollimin dhe profesionin, në një kohë që po pret shkrirjen e Drejtorisë të Bujqësisë për t’i zëvëndësuar me qendra informimi.

“Unë kam qenë dhe mbetem i paduruar që shikoj të shkrihen Drejtoritë e Bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi që janë pranë fermerëve. 

Në vend se të mbaroni masterin dhe të rrini tek kafja dhe të prisni punë shteti apo të hyni në një parti që t’ju japë ndonjë punë, të shikoni në këtë hapësirë që ka mundësi që ju të specializoheni në këtë fushë dhe të bëheni të aftë që duke ndihmuar si konsulentë fermerët për shkrimin e projekteve të merrni ju pjesën e fitimit nga projekti fitues”, theksoi Rama. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts